SPAÇI: LUGINA E QËNDRESËS

Hungaria kishte revoltën e 1956, Gjermania Lindore ka revoltën e 1953, Çekosllovakia pati pranverën e saj më 1968. Po Shqipëria? Konferenca e 1956 nuk ka lidhje me revoltën, liritë qytetare dhe as disidencën. Ishte “çështje familjare”. 1946 një revoltë lokale në Postribë? Më 1947 pushkatimi i disa deputetëve kritikë. Gjatë viteve 1947-1950 rezistenca simbolike me mbështetje nga jashtë?

Shqipëria nuk pati lëvizje disidente dhe as qytetare, pranoi regjimin me të gjithë fatalitetin dhe brutalitetin e tij dhe se në dallim nga vendet e tjera, çdo zë kritik përfundoi përpara togës së pushkatimit me dhe pa gjyq. Simbolika e protestës?

Mbetet unike revolta e të burgosurve politikë në Spaç 1973. Unike për nga mesazhi politik dhe simbolika politike.

Më 25 maj ka përvjetorin. Duhet ta kujtojmë. Në 28 vite nuk kemi bërë pothuajse asgjë për memorien historike.

Në Spaç më shumë rëndësi i kemi kushtuar koncesionit të nëntokës nga një firme turke sesa ruajtjes së kampit / burgut dhe shndërrimit të tij në vend pelegrinazhi dhe memorie ndaj të kaluarës. E ka një të tillë çdo vend ish komunist, por jo Shqipëria. Ne kemi shtëpi muze banesën e Enverit por jo burgjet dhe kampet brutale politike të tij.

Instituti i Studimeve Politike (ISP) me modesti ka realizuar një faqe dedikuar revoltës së Spaçit, – me elementë të animuar dhe ilustrime mbi kronologjinë, ngjarjen, burgun dhe pasojat. Harxhoni 3 minuta ta shikoni dhe 2 minuta të na jepni çdo sugjerim apo ndihmë për përmirësimin ose plotësimin e tij.

Klikoni në http://luginaeqendreses.al/

dhe ne video https://www.youtube.com/watch?v=8ejKUwQnP8A