Ti nuk je femër, as bukuri e skajshme, por je shpirt
Je magjia që më bën krenar, më bën të fluturoj
E diellit t’ia bëj me sy
E përveçme je dhe s’ngjan më askënd në botë
E madhe sa gjithë bota me zota, qiej, tokë e dete përsosen në ty.

Sendet e gjërat rreth teje qeshin, marrin jetë
S’mundet askush kur të sheh ty të mos shtanget për një çast
Të të deshirojë pastaj me gjithë fuqinë e tij, të mbetet duarthatë
Dhe i kënaqur, gojëhapur të të ndjekë me sy
I lumtur për fatin që të pa ty.

Ti je zjarri i ngrohtë që s’shihet, flaka që të përcëllon kur e prek
Zjarri që shkrumbon botën, prushi që s’shuhesh në mua
Shpirti që ecën, oh shumë më i mrekullueshëm se trupi yt i derdhur
Shpirti që fluturon mbi mua, më merr në krahë, më mbështjell në gji.

Ti je levizja, rendja, rrufeja
Që shkruan ballit tim dashurinë, në palat e rrudhave që m’thellohen
Je reja në qiell e dëbuar prej erërave, reja që nga puthja bëhet shi
Lot malli në sy.

Ti nuk je thjeshtë një grua speciale
Je fari në breg që si marinar ëndërroj e ndjek të shpëtoj
Je toka që më pret, bregu ku mbërrij
Penelopa që tjerr e thur ëndrra, shpresa e mbretëri.
Më bërë të ndjehem mbret
Ti je shpirt, shpirti im i veshur me ty
Shpirti që s’vdes.