Autoritetet në Kosovë konfirmuan të shtunën mbrëma 27 raste të reja të të prekurve me COVID-19 nga të cilët 20 në Prishtinë.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se përveç 20 rasteve në Prishtinë, 3 janë nga Prizreni, 3 nga komuna e Vitisë, 2 nga Mitrovica e Veriut 2 nga komuna e Skenderajt, 1 në Suharekë, 1 në Zubin Potok dhe 1 në Zveçan.
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, vendosën që ta shpallin kryeqytetin “zonë karantinë. Me këtë vendim, ndalohen hyrje – daljet në komunën e Prishtinës.
Zoti Ahmeti tha se “policia nuk do të lejojë grumbullimin e më shumë se dy personave dhe po ashtu do të ketë kontrolle më të mëdha. Tri lokacione, një kompleks banesor dhe dy shtëpi shkojnë në mbikëqyrje 24 orëshe nga policia”.
Më herët gjatë ditës ministri i Shëndetësisë Arben Vitia vendosi shpalljen “zonë karantinë” edhe për qytetin e Ferizajt.
Zona të tilla tashmë janë shpallur komuna e Malishevës që është me numrin më të madh të të infektuarve si dhe komunat veriore të Mitrovicës dhe Zveçanit.
Rastet e konfirmuara të shtunën e çuan në 283 numrin e të prekurve.
Deri tani nga pasojat e virusit kanë humbur jetën 7 persona, ndërkaq ka shkuar në 58 numri i të shëruarve.