Sezoni 2018-2019 në Kupat e Europës vjen me një rekord historik për klubet shqiptare që do të marrin pjesë në këto kompeticione. Thuhet kështu, pasi 8 janë klubet nga trojet shqiptare që do të përfaqësohen në Kupat e Europës për edicionin e ri futbollistik. Shqipëria, prej vitesh, përfaqësohet me 4 skuadra në turret e para paraeliminatore të Kupave të Europës.
Me Skënderbeun të pezulluar për 10 vite nga UEFA, i bie që Kukësi, i renditur në vendin e dytë, të marrë pjesë në turet paraeliminatore të Champions-it. Më pas u hapet rruga tri skuadrave të tjera të renditura poshtë nënkampionëve që të përfaqësohen në Europë. Luftë- tari ka hyrë në histori, pasi për herë të parë ka arritur të sigurojë pjesë- marrjen në Kupat e Europës, ku do të luajë në turin e parë paraeliminator të Ligës së Europës, së bashku me Laçin dhe Partizanin (të kuqtë të renditur të pestët përfitojnë në rast pezullimi të Skënderbeut). Shkëndija e Tetovës ka dominuar totalisht futbollin në Maqedoni, duke fituar dy trofetë, titullin kampion dhe Kupën e Maqedonisë, shkruan Panorama Sport.
Kuqezinjtë do të përfaqësohen në turet paraeliminatore të Champions-it, por me fitimin e Kupës Shkëndija i ka bërë një nder klubit shqiptar të FC Shkupit, duke i dhënë një biletë në Ligën e Europës. FC Shkupi rikthehet të luajë në Europë pas një mungesë 14-vjeçare. Kosova edhe këtë vit do të përfaqësohet me dy klube në Europë. Drita e Gjilanit, për herë të parë në historinë e saj si klub, arrin të marrë pjesë në këto gara, ku pas fitimit të titullit kampion në Kosovë, do të marrë pjesë në raundin paraeliminator të Champions-it. Prishtina është skuadra e dytë nga Kosova, që do të luajë në Europë dhe do ta nisë nga raundi paraeliminator i Ligës së Europës. Ndonëse përfaqësojnë tri shtete, nuk mohohet fakti se kjo është një arritje historike për klubet shqiptare.