INSTAT ka publikuar të dhënat për numrin e vdekjeve në vitin 2017, ku rezulton se ato kanë qenë në rritje. Dy faktorët kryesorë që shkaktojnë vdekjet më të mëdha janë sëmundjet e qarkullimit të gjakut (zemra dhe goditjet në tru) dhe tumoret, të dyja në rritje.
Në vitin 2017, numri i vdekjeve të regjistruara në Shqipëri është 22.232, duke shënuar një rritje prej 3,9 %, krahasuar me vitin paraardhës. Sipas gjinisë, numri i vdekjeve të raportuara për meshkujt është 11.610 (2,9 % më shumë se në vitin 2016) dhe për femrat 10.622 (5,1 % më shumë se në 2016).
Koeficienti bruto i vdekshmërisë për vitin 2017 është 77,4 vdekje për 10 mijë banorë, përkundrejt 74,4 që ishte në vitin 2016.
Referuar shkaqeve të vdekjeve, peshën më të madhe e zënë vdekjet nga “Shkaqet natyrale” 90,1%, ndjekur nga “Aksidentet” me 2,1 %.
Në vitin 2017, vdekjet nga grupsëmundja “Aparati i qarkullimit të gjakut”, përbëjnë 53,7 % të vdekjeve gjithsej. Ky grup-sëmundjesh vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjeve, me një nivel vdekshmërie 41,5 për 10 mijë banorë, duke shënuar një rritje prej 2,5 %, krahasuar me vitin paraardhës. Brenda këtij grupi, përqindjen më të lartë e zë vdekshmëria nga “Sëmundje të enëve të trurit” me 32,6 % dhe “Sëmundje kronike të zemrës” me 26,3 %.
Vdekjet nga grupsëmundja “Tumore” zënë 16,4 % të vdekjeve gjithsej, duke u renditur si grupi i dytë kryesor referuar numrit të vdekjeve të shkaktuara. Niveli i vdekshmërisë për këtë grup-sëmundje është 12,7 për 10 mijë banorë dhe ka një rritje prej 2,0 %, krahasuar me vitin 2016. Në grupin “Tumore” përqindjen më të lartë e zë nëngrupi “Tumore të aparatit të frymëmarjes”, me 33,5 %.
Vdekjet nga grupsëmundja “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë”, renditet si grupi i tretë kryesor referuar numrit të vdekjeve të shkaktuara. Niveli i vdekshmërisë për këtë grupsëmundje është 16,0 %, duke shënuar një rritje prej 11,2 %, krahasuar me vitin 2016. Në këtë grup, 75,5 % e zënë vdekjet në moshën 80 vjeç e lart dhe shkaku specifik i vdekjes është “Vdekje nga pleqëria”.
Vdekja nga tumoret, dominojnë meshkujt
Grupi i sëmundjeve të “Aparatit të qarkullimit të gjakut” janë shkaku kryesor i vdekjeve si tek femrat ashtu edhe tek meshkujt, përkatësisht 210 dhe 205 për 100 mijë banorë. “Tumoret” janë shkaku i dytë kryesor i vdekjeve për të dyja gjinitë, me një dominancë tek meshkujt, prej rreth 30 pikë përqindje. Niveli i vdekshmërisë për këtë grupsëmundje shënon vlerën 78,3 për meshkujt dhe 48,5 për femrat për 100 mijë banorë.
Vdekshmëria sipas grupmoshës
Në vitin 2017, niveli i vdekshmërisë foshnjore është 8,03 për 1000 lindje të gjalla, kundrejt 8,7 shënuar në vitin 2016. Shkaqet kryesore të vdekshmërisë foshnjore (nën 1 vjeç) janë “Sëmundjet që shfaqen në periudhën e rreth-lindjes” me 39,1 % dhe “Ndërlikime në barrë, të lindjes dhe të periudhës së paslindjes” me 24,8 % të vdekjeve të kësaj grupmoshe.
Në grupmoshën 1-14 vjeç, ndër 4 grupsëmundjet kryesore peshën më të lartë e zë “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” me 48,0 % të numrit të vdekjeve për këtë grupmoshë.
Në grupmoshën 15-39 vjeç, peshën më të lartë e zë “Dëmtime traumatike dhe helmime”, me mbi 45 % të numrit të vdekjeve për këtë grupmoshë.
Në grupmoshën 40-49 vjeç, peshën më të lartë e zë “Tumore”, me 38,6 % të numrit të vdekjeve për këtë grupmoshë.
Në grupmoshat 50 deri 80 e më shumë vjeç, pjesën më të madhe të vdjekjeve e shkakton grupsëmundja “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”.
Berati vuan nga zemra
Grupsëmundja “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” është shkaku dominant i vdekjeve në të gjitha qarqet. Ky shkak shënon vlerën më të lartë në qarkun e Beratit me 61,7 % % të numrit gjithsej të vdekjeve dhe të Kukësit me 61,6 % të numrit gjithsej të vdekjeve.
Grupsëmundja “Tumore”, shkakton mbi 13,0 % të vdekjeve gjithsej në secilin qark, duke shënuar vlerën më të lartë në Shkodër me 18,2 % të vdekjeve.
Grupsëmundja “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë” është shkaku i tretë kryesor i vdekjeve për të gjithë qarqet, me vlerën më të lartë në qarkun e Elbasanit me 24,3 % dhe Gjirokastrës me 21,4 %.
Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT