Cikël me poezi nga QAZIM D. SHEHU
RËNIA
Bien hapat e jetës
Gjethe në zemër të vjeshtës.
Rreze në gji të mbrëmjes
Fitila në trup të dhembjes
Ngulfaten.
Jam mësuar të mas orën
Të mas vështrimet dhe
Dredhitë,
Të kuptoj rënien kur do bien
Qeveritë,
Dhe kundërmimet e padëshiruara,
Po hapat kurrë
Ato bien qetësisht
Thithen në largësi
Hapa të çakorduara
Të sigurtat hapa,
Ndonjë gjurmë e munguar
U vjen prapa…
PËRGJUESI I MUGËT
Ai qytet ishte një rrip ore
Pa orë.
Kohën ia kishin vjedhur
Veç na përshëndesnin me dorë
Përgjuesit e etur.
E ndeza putrën e fantazisë
Dhe e përplasa në mal
Koha me ëndrrën e rinisë.
Para meje u ndal.Çka do, më tha ajo
Unë këtu jam,
A s`më sheh mor djall,
Rripin e orës qe, ja ku e ke,
Ora e këtij qyteti është mbytur në moçal…
LOJË E LARGËSISË
Një vijë horizonti
Nuk e thotë largësinë
Ajo më e afërt mbetet
Sa dy hapa larg ku ndodhemi
Dhe si statuja rrimë.
Dhe atë thithim me sy,
Për ta tërhequr si litar
Ku veten duhet të varim…
NUK BESOJ
Nuk shpresoj që bishti i gjarprit që u çlidh,
Të bëhet nyje e vështrimit tënd,
Pa atë lojën hidh e prit,
Në shkoftë dhe u bëftë
Një nyje enigmash të mëdha,
Vështrimi jot mos u qorroftë
Porsi një yll që venitjen e vet pa.
Në unazë motesh në u lidhtë
Sakrifikuar prej një bese,
Do nxjerrë frymën e tij të idhtë
Frymë qielli përmes një vese…
QIEJ TË DASHURUAR
Këta qiej të dashuruar si një kurorë lavdie
Që s`gjen ballin e atij që e meriton,
Prandaj s`na afrohen dhe sa u ka hije
Kaq larg tek i shikon.
Vazhdojnë dashurinë e tyre,
Në numrat që Dante u dha,
Dhe kanë kaq të dashur sa yje
Në gji të tij qielli mba.
Do afrohen a do luajnë me ne,
Çfarë i pezullon atje lart,
Toka rrëshqet në ngjyrë kadife
Orgazmon pa fat…
KUR DETI…
Deti puth tokën me ngjyrë jargavani,
Sa i dashur ngjet,
Dhe s`e kuptoj pse ndodh cunami
Në këtë dashuri -mbret.
Në këtë marrdhënie përdëllyese
Ku dallga vithet ia shtyn
Tokës, kësaj sojleshe gënjyese,
Freski e tij në zemër s`i hyn.
Deti ngulmon, dallgët përplas,
Toka e mirëpret me krenari,
Atëhere deti veten zbraz,
Cunami shkrehet brenda tij…
KOHA
Herë herë më vjen e më ulet para
Një vizitore imagjinare,
Është koha që ikën me të katra
Kjo sojleshë kusare…
Dhe pa ca njerëz s`mund të jetë,
Ndryshe kohë s`do ishte,
Njerëzit morën krahë reshë
Dhe humbën sikur s`ishin…
Por shpesh retë m`i sjellin
Kur çelin lulet një nga një,
Dita që shtyn diellin
Përpikmërisht, pa zë.
Dhe kujtesa del nga vetja
Si një rreth i pashtërnguar,
Ajri murmuron nëpër shpendra
Nga frika e një gjarpri të helmuar…
LE TË FRYJË ERA
Në mishin e kujtesë
Era ngul thonjtë,
Kujtesës i mbetën skeletët
Dhe era ngulmon.
Ç`gosti të përgjakshme kërkon
Teksa kockat na bluan,
Me mishin e kujtesës i japim jetë
Kësaj të mallkuare që vuan…
ISHULLI
Ti mbete e prirur ndaj atij çasti
Si qafe e një mjellme që në ujë
Gjeti,
Dashurinë e ruajtur.
Uji rridhte për vete dhe dashurinë
Nuk mundi ta rridhte,
Kështu çastet u ngjajnë nganjëherë
Ishujve…