Njëzetenjë vjet më parë, masakra e Reçakut tronditi opinionin botëror dhe i dha fund durimit të Perëndimit me regjimin kriminal të Sllobodan Millosheviqit.
Atë mëngjes janari, forcat e sigurisë serbe dhe jugosllave u dyndën në fshatin e Reçakut, mblodhën banorët, ndanë djemtë e burrat nga gratë e fëmijët. Pasi rrahën e keqtrajtuan kë mundën, e detyruan një grup banorësh të ngjiteshin kodrës, ku pastaj i rrethuan dhe i ekzekutuan.
45 civilë të pafajshëm nga mosha 12 deri 90 vjeç u vranë me gjak të frohtë.
Ishte një shkelje e hapur e marrëveshjes ndërkombëtare të regjimit të Millosheviqit me NATO-n dhe OSBE-në. Pas dështimit të bisedimeve në Rambuje, NATO ndërhyri ushtarakisht duke i dhënë fund pushtimit serb. Kosova u çlirua.
Masakra e Reçakut ishte një krim kunër njerëzimit dhe për fat të keq jo i vetmi në Kosovë. Serbët lanë pas shumë varre masive, ndërsa mijëra trupa shqiptarësh të vrarë i morën me vete për t’i fshehur në Serbi.
Ne nuk duhet ta harrojmë kurrë Reçakun dhe çdo krim tjetër lufte që u krye mbi popullin tonë. Si kanë dëshmuar javët e muajt e fundit, udhëheqësit e Serbisë ende vazhdojnë të gënjejnë më shumë se 20 vjet më vonë për çfarë ndodhi në Kosovë. Kur President Vuçiq dhe zyrtarë të tjerë serbë e përqeshi Reçakun si një lajm të rremë kjo dëshmon se Beografi është gati po ai që ka qenë nën Millosheviqin dhe se historia dhe kujtesa jonë kolektive është vazhdon të sulmohet. Fundja, Vuçiqi dhe ministri i tij i jashtëm Daçiq, në kohën e Reçakut ishin pjesë e regjimit genocidal. Ata nuk mund të jenë partnerë realë sot kur ende vazhdojnë propagandën e tij regjimi.
Po më e rëndësishme është që të sigurojmë se këto lloj krime nuk do të ndodhin më kurrë. Duhet të sigurojmë që shqiptarët, kudo që të jenë në Ballkan, të mos jenë kurrë më në situata ku kriminelë me uniforma të kryejnë masakra si ajo e Reçakut.
Historia dhe politika e ka ndarë kombin shqiptar në shtete të ndryshme, po sot ne i kemi mjetet dhe mundësitë që të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë, kudo ku jetojmë. Duhet të bashkëpunojmë që t’i bëjmë më të forta shtetet tona, demokracinë, ekonominë, aftësitë tona mbrojtëse, marrëdhëniet me aleatët tanë, liritë dhe të drejtat tona njerëzore për të gjithë.
Pavarësisht se ku jetojmë në Shqipëri, Kosovë, apo kudo tjetër në Ballkan, ne duhet të ndërtojmë shoqëri m të mira, ku kujtimi i Reçakut, jo vetëm që nuk do të shuhet, por edhe ku ai nuk munt ë përsëritet më kurrë.
Për këtë na duhen udhëheqës largpamës, që vendosin atdheun mbi të gjitha. Udhëheqës që dinë të mësojnë nga historia dhe që marrin vendime jo sot për sot, po për të ardhmen tonë.
Një vështrim i thjeshtë mbi trojet shqiptare në këtë 21-vjetor të masakrës së Reçakut na tregon se nuk jemi ende në rrugën e duhur e se udhëheqësve tanë po u mungon mentaliteti i duhur.
U bënë muaj që kanë mbaruar zgjedhjet në Kosovë dhe ende nuk ka një qeveri të re. Ky dështim ka ardhur se udhëheqësit tanë kanë vendosur partinë përpara kombit. Ata duhet ta bëjnë qeverinë menjëherë e të mos e mbajnë më vendin peng. Nëse nuk sakrifikojnë dot në emër të kombit, le t’ia lënë radhën dikujt tjetër.
Në Shqipëria, demokracia është në koma. Praktikisht është rikthyer sistemi njëpartiak. Kryeministri Edi Rama, me prirje autoritare, ka në dorë gati gjithshka, partinë, qeverinë, parlamentin, pushtetin lokal, forcat e rendit, etj, ndërsa opozita është e pafuqishme të sjellë ndryshim. Një ligj i ri për median e ka bërë gjendjen edhe më të keqe.
Shqiptarët në Malin e Zi, Maqedoni e Serbinë e Jugut po detyrohen të emigrojnë masivisht për shkak të diskriminimit ose mungesës së mundësive ekonomike. Udhëheqësit e tyre politikë janë ose të përçarë ose të kurruptuar. Ata duhet të ndryshojnë rrugë ose të zëvendësohen.
E gjithë hapësira shqiptare ka nevojë për një rizgjim, për një optimizëm të ri, për një udhëheqje politike që do të punojë për një të ardhme në të cilën krime si masakra e Reçakut nuk do të ndodhin më kurrë.
Njëzetenjë vjet më vonë, duhet t’i shprehim mirënjohjen tonë Ambasadorit William Walker, kreut të misionit vëzhvgues të OSBE-së që rrezikoi jetën e tij për t’i dëshmuar botës çfarë kishte parë në Reçak. Dëshmia e tij dhe e zyrtarëve e ekspertëve forensikë i zbuluan botës krimin e tmerrshëm të luftës dhe pse Millosheviqi nuk mund të besohej më.
Jemi mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës që udhëhoqi aleatët tanë të NATO-s që premtimi të mbahej. Ndërhyrja e tyre ushtarake në Kosovë solli lirinë për pupullin tonë dhe paqen në Ballkan.
Po asgjë nga këto nuk do të ishin realizuar pa qëndresën heroike të popullit shqiptar në Kosovë. Trimëria dhe forca e shqiptarëve përpara një diktature genocidale, gatishmëria e tyre për të sakrifikuar duhet të shërbejnë si frymëzim për udhëheqësit politikë sot, që të tregohen burra shteti e jo politikanë të rëndomtë.
Tani ne shqiptarët, po edhe popujt e tjerë të rajonit, duhet të bëjmë gjithshka që viktimat si ata të masakrës së Reçakut të mos harrohen kurrë. Po mbi të gjitha, që një krim i tillë kundër njerëzimit të mos ndodhë më kurrë në trojet shqiptare.

________________________

Harry Bajraktari është themelues dhe botues i gazetës “Illyria” (1991-1998), aktivist i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe filantropist. Ai është laureat i Urdhërit të Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, i Medaljes Presidenciale të Meritave nga Kosova, si dhe të Çmimit për Shërbime Vullnetare nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.