Nuk e di kush tundi djepin tënd duke të thirrur NAIM… Bekuar qoftë! Si Naimi i “Maleve…lisave të gjatë…pyjeve…gërxheve…të Shqipërisë…”. Më ngrohe me udhëtimin tënd me penë e me shpirt maleve të Katër Grykëve të Murrës, liqeneve të bukur të Kacnisë, liqene që ndoshta jam i pari që i kam fiksuar në celuloid, liqene që për mua janë më të bukur se Liqenet e Lurës. Një mbi një, ulur në prehrin e njeri tjetrin, në atë zbritje të butë, zbritje poetike të natyrës, pamje që të futet në shpirt e të mbetet tërë jetën kur ngjitesh në kreshtën malore prej nga njëra anë merr në dorë e në shpirt ikonën e pyjeve të Pratit dhe bjeshkët e Lukanit dhe Qafë Murrës e nga ana tjetër kap e nuk e lëshon prej dore pamjen që varet maleve të Balgjajt për të zbritur e notuar mbi lumin, e më poshtë mbi Liqenin e Matit…
Nuk po udhëtoj gjatë atyre maleve, nuk po ulem në ballkonin e bukur natyror të Manazdrenit, lagje e Qafë Murrës, nuk po fus dorën në galeri të marr një gurë kromi nga ajo që quhej dikur “Miniera e Selishtës”, nuk po ngjitem në Qafën e Lukanjakëve për të zbritur në bjeshkën e Pllajit e as po marr rrugën këmbësore pyllit të thanave për të dalë në Krue të Zi e për të zbritur në Bulaç e Sinë, në vendlindjen e Gjergjit tonë të madh, Mbretit të Shqiptarëve…
Hyra në të thella. Mos më ven faj. Më ka marrë malli e nuk çmallem dot.
Në udhëtimin tënd Katër Grykëve të Murrës ishe ndalë në Lunarë, atje ku ujërat bëjnë shtrungë, shtrungë që një njeri i dashuruar me dritën, që i buron në shpirt, kërkon ta mjelë e ta shndërrojë në rrymë elektrike.
Ishte me të vërtet një gjë e madhe, dritë elektrike fryt i punës vullnetare të fshatarëve që kërkonin një jetë të re, kërkonin dritë. Asokohe ende nuk ishte krijuar kooperativa bujqësore.
Drita solli radiot, solli një garë të vërtetë për të mbushur shtëpitë me atë aparat të çuditshëm që “fliste dhe këndonte”. Ndodhi që fshatarët shitën bagëti e katandi vetëm për të blerë radio…
…Vitet rrodhën. Hidrocentrali punoi deri nga fundi i viteve ’60-të kur u elektrifikua fshati tash me rrymë 220 volt.
Nuk ishte vetëm Brezhdani që ndërtoi hidrocentral në ato vite. Shumë fshatra që nga Golloborda e deri në Lurë ndërtuan hidrocentrale të vegjël, hidrocentrale që ndriçuan diku një fshat, diku dy fshatra e diku një lagje fshati.
Nuk po vazhdoj më tej me “dashurinë për dritën”, dashuri që duhet të shkruhet e dokumentohet si vlerë jetësore dhe kulturore e dibranit në rrugën e vet të ngjitjes.
Nisur nga këto, nga pasuria e pallogaritshme e energjisë elektrike që i vjen Dibrës nga shfrytëzimi i burimeve ujore të larta, të degëve të Drinit dhe të vijave ujitëse, kundërshtova publikisht politikën zyrtare (të djathtë e të majtë) për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, për mbytjen dhe shuarjen e Luginës së Dibrës, lugina më e madhe, më e bukur dhe më pjellore e maleve të Shqipërisë. Dhe kjo vetëm e vetëm që mos përmbytej Shkodra. Shyqyr që këto ditë dhjetori nuk është përmbytur Shkodra sepse me siguri do të rikthehej përsëri në faqet e para të gazetave “Skavica”.
Mendimet e mia modeste i kam publikuar në disa gazeta, në gazetën “Rruga e Arbërit” dhe në librin tim “PO DIBRËS! JO SKAVICËS!”…
Këto i nderuar Naim i bluajta imtë në “mullirin” e mallit dhe dashurisë tek më more e më çove me shkrimin tënd në hidrocentralin në ndërtim të Selishtës, tek bekoje “Dritën e Bardhë” tek uroje me shpirt “Dalsh faqebardhë o Ramazan Biba!”, tek flisje me dashuri dhe respekt për punën e një inxhinieri të palodhur si Ramiz Plaku, tek ilustroje me fotografi atë që është bërë.
Bekuar qofsh or Naim Plaku. Bekuar për shkrimin, bekuar për penën, bekuar për dashurinë që përcjell për Dibrën…
Kisha kohë që nuk kisha lexuar një reportazh kaq jetësorë, kaq me dashuri.
Faleminderit!
Abdurahim Ashiku
Athinë, 20 dhjetor 2011