LIBRAT I KAM NEVOJË PËR TË KOMUNIKUAR ME KOHËN, NGJARJET, NJERËZIT DHE PROBLEMET E KOHËS

-Intervistë e poetes, publicistes e studiueses Rajmonda Maleçka – veterane e UÇK, dhënë Portalit tonë “Limit.al” lidhur me krijimtarinë e saj –

Limit.al:

-Keni shkruar kaq shumë libra, sa do të ju kishte zili dhe një i moshuar, pse kaq pasion për librat?

Rajmonda Maleçka:

-Është e vërtetë se kam 14 tituj librash. Në proçesin dhe nevojën për të shkruar një libër në kuptimin thelbësorë të tij dhe një lloj nevoje për të komunikuar me kohën, ngjarjet, njerëzit dhe problemet e kohës. Të gjitha komunikojnë së brendëshmi tek njeriu për ta motivuar atë që idetë, mendimet, emocionet, njohuritë t’i bëjë publike dhe të debatueshme tek të tjerët. Në një farë mënyre ky moment mund të përbëjë dhe atë që në gjuhën e ditës quhet pasion. 

Limit.al:

-Të paktën, që nga viti 1920 (nga Kongresi i Lushnjes), Tirana ka qënë kryeqendra e shqiptarëve, ajo është vendlindja juaj, vendi i shkollimit dhe edukimit, a ka qënë e vështirë të shkoni në çdo cep të tokës shqiptare?

Rajmonda Maleçka:

-Unë kam lindur dhe jam rritur në Tiranë. Po në Tiranë kam filluar dhe mbaruar gjithë ciklet e shkollimit. Familja jonë ka një origjinë të hershme nga Dibra, më saktë nga Dibra e Madhe.

Tirana vendlindja ime ka qenë gjithmonë një qytet i bukur, me njerëz të edukuar dhe shumë miqësorë. Ne kemi banuar në lagjen e njohur, më të mirën, siç thuhet në Tiranë në lagjen e dibranëve. Dibranët jetojnë mirë kudo kanë shkuar. Ruajnë traditën e tyre të jetesës, guzhinën, komunikimin dhe ruajnë lidhjet e forta me origjinën e tyre. Im atë, Bujar Maleçka, gjithë familja mua dhe vëllanë për gati çdo vit na ka dërguar në Dibër. Ne e kemi njohur që fëmijë Dibrën, kështu që kjo përvojë s’më ka penguar të ndjej vështirësi ta shkel cep më cep tokën shqiptare.

Limit.al:

-Ç’ka ndikuar tek Ju, një vajzë e re, kryeqytetase për të kuptuar konceptin e luftës, kur keni marrë pjesë vetë në të?

Rajmonda Maleçka:

-Unë jam fëmijë mësuesi dhe edukatori. Pastaj tradita jonë familjare ka pasur një lidhje të fortë  me luftërat që nga koha e Skëndërbeut e deri në ditët e sotme. Veçmas unë kam pasur një prirje për të dëgjuar dhe mësuar histori familjesh, njerëzish, shenjtorësh dhe luftëtarësh. Në ndërgjegjen time, që fëmijë unë jam edukuar me historinë e luftës së drejtë nga shqiptarët, me luftën e drejtë për t’u çliruar nga pushtuesi. Lufta është t’i përgjigjesh thirrjes së Atdheut për të iu kundërvënë pushtuesit. Dhe koncepti për luftën e UÇK-së për çlirimin e Kosovës i tillë ka qenë brenda meje. Në familje gjithmonë kam dëgjuar për drëjtësinë në çështjen e tyre të shqiptarëve të Kosovës. Kur kam marrë pjesë në luftë në Kosovë, idetë i kam pasur të qarta.

Limit.al:

– A mund të na tregoni për frymën që u krijua pas viteve “90-te, kryesisht në Tiranë, në një mjedis qytetar, për çështjen kombëtare dhe atë të Kosovës në veçanti?

Rajmonda Maleçka:

-Tashmë mbi 40 vjeçarë në marrëdhëniet mes tyre të shqiptarëve të Kosovës me të Shqipërisë ka qenë i trishtueshëm. Ka qenë një lloj dhimbjeje e brendshme, të cilët njerëzit për shkak të rrethanave politike nuk mund ta shfaqnin. Nga vitet “80-të, Tirana e ngrinte zërin për Pavarësinë e Kosovës por shku-ardhje mes shqiptarëve nuk kishte. Pas vitet “90-të në Tiranë, erdhën patriot, atdhetarë, intelektualë, nacionalistë dhe veprimtarë të Kosovës, të cilët përveç pluralizmit dhe demokracisë nuk harronin kurrë të flisnin për Kosovën dhe çështjen shqiptare në përgjithësi. Njërëzit nuk e kanë harruar kurrë Kosovën, por pas viteve “90-të, ajo u kthye në një llojë lëvizje kombëtare. Gati gjithë faktori politik kishte një mendim unitarë për këtë çështje, por ndryshme  nga herët e tjera, për të flitej hapur dhe me ndërkombëtarët. Pastaj lëvizja politike në Kosovë dhe në Perëndim kishte marrë përmasa. Për një çështje të tillë unë ju flas nga mjedisi qytetarë i Tiranës.

Limit.al:

– Si e keni njohur Kosovën para viteve “90-të, sepse kontakti i drejtpërdrejtë mes shqiptarëve, që i kishte ndarë kufiri, u bë pas viteve “90-të?

Rajmonda Maleçka:

-Kosovën para viteve”90-të e kam njohur përmes librave të pakët që kam mundur të lexoj, kryesisht Ukshin Hotin si politolog, Qosen, Azem Shkreli e Podrimen si poet, Rifat Kukaj me romanin Droja, Sulejman Krasniqi me romanin për Mic Sokoli, pasi gjetja e librave të tyre ishte e vështirë. Një lidhje të fortë mes shqiptarëve kishte krijuar muzika që përcillte një lloj mesazhi të rëndësishëm kulturorë dhe shpitërorë. Po kështu, një llojë njohje më kanë afruar dhe takimet e pakta që mund të bëja me turistët nga Kosova që vinin në Shqipëri, dhe jetonin në Perëndim.

Limit.al:  

– Znj. Maleçka, tema e luftës së Kosovës është e gjerë dhe e debatueshme, ju lutem një moment që ju nuk e harroni kurrë nga koha e luftës së Kosovës.

Rajmonda Maleçka:

-Lufta është plotë momente. Çdo moment përjetohet thellë dhe mbetet në kujtesë. Dhe kur nisesh në luftë, fronti i luftës, situatat që vijnë në mënyrë të paparashikuara, ndryshe ajo nuk do të quhej luftë.  Përcjellja për në frontin e luftës ka qenë e dhimbshme. Ishin djem të rinj që vinin nga Perndimi, të cilët nuk e njihnin terrenin e luftës, të heshtur të dëgjueshëm, që nuk ktheheshin pas kurrë dhe pse e dinin se dhe mund te vriteshin. Është një psikologji dhe një marrëdhënie komplekse.  Edhe pse kanë kaluar 20 vite para syve të mi do mbeten gjithmonë Bekim Berisha-Abeja, Bedri Shala, Elton Zherka, Përmet Vula, Bashkim Leku, të rënë në luftimet me serbët në Junik, plagosja e Sabri Alimi dhe mikpritja e Bacit Avdyl Gjocaj, në Gjocaj të Junikut.  Momentet e takimit me Mujë Krasniqi e vëllanë e tij Alinë, Beqir Gashi dhe Nuhi Geci etj, luftëtarë lirie që udhëtojnë së bashku me mua në rrugëtimin tim në Kosovë.

Limit.al:

– I jeni kushtuar letërsisë dhe librave, çfarë e angazhon Rajmonda Maleçka për të shkruar libra, siç është poezia, monografia, historia dhe ndonjë zhanër tjetër?

Rajmonda Maleçka:

-Po. I jam kushtuar librit, botës së librit dhe mesazhit që përcjell libri. Letërsinë, veçmas poezinë e kam dashuruar që fëmijë, siç kam dashur dhe muzikën. Mandje muzika dhe dëshira për tu shkolluar për muzikë ka qenë e para.  Botimi I librit të parë” Ëndrra Lozonjare”, ishte një emocion i çuditshëm për mua. Përjetimi thellë i ngjarjeve në Kosovë,  përveç aktivitetit publiçistiko-gazetaresk në shtypin e Tiranës, unë kam mbi 200-300 shkrime, analiza politike dhe për çështjen kombëtare, shqisa poetike mbeti zgjuar. Përjetimet e thella u konvertuan në poezi. Botova dy libra të tjerë poetik “Tungjatjeta Kosovë” (1998) dhe “Prelud Pavarësie” (2000).

Atmosfera e çështjes së Kosovës sipas përceptimit dhe njohjes që unë kisha për të dhe duke  e njohur luftën dhe si luftëtare, u mishërua në librin analitik të titulluar “Nëpër ditët e dhimbjes dhe lirisë së Kosovës”(2001),  libër që krahas analizës politiko-diplomatike ka dhe një dëshmi autentike fotografike, kryesisht me temë nga lufta. Të kësaj atmosphere janë edhe librat                      “ Shqiptarët e kanë brenda vetes së tyre lirinë” (2003), që flet gjërësisht për zhvillimet shqiptare në Maqedoni, libri “Ora e Kombit” (2005) një libër monografik-analitik.

Krahas librave analitik si: “Haradinaj njeriu i rendit të ri botërorë”(2007), “Hashim Thaçi dhe beteja e fundit”  (2008), lidhjet me poezinë nuk i kam humbur kurrë, kështu është libri “Tokë Arbrore” (2004), një analogji poetike për dëshmorë të ndryshëm dhe libri prelude “Jasharët, memorja jonë e përjetshme”(2006), një libër  i shkruar mes poemës-poezisë dhe repotazhit letrarë.

Limit.al:

-Dhjetëra tituj interesant dhe intrigues që kanë nxënë kohë, angazhim dhe kërkime në jetën tuaj mbi 25 vjet? Jeni e lodhur, e kënaqur apo e plotësuar?

Rajmonda Maleçka:

Unë ja kam kushtuar jetën librit. Pra koha ime është brenda tyre, për këtë jam e gëzuar dhe e lumtur, pasi në një farë mënyre e kam “fiksuar” kohën, e kam ndalur dhe e kam shndërruar në vlerë të prekshme. Këtë avantazh ka një krijues dhe një shkrimtarë, kulturolog apo historian. Në këtë rast dua tju tregoj edhe disa libra të tjerë që kam botuar pas Pavarësisë së Kosovës. Libri “Hasi mes luftës dhe lirisë” (2010), përveç se është libri im më emblematik, më i vështirë, është dhe libri më i lodhshëm. Është folur e shkruar për Hasin, njërën nga shtigjet më të rëndësishëm të luftës së UÇK-së, për njerëzit e tij, për ngjarje, rrethana, personazhe të njohur, për kompleksin e luftës. Ai është një libër shumë-zëshëm ku përkëmbëjnë njëra-tjetrën, stili monografik, analiza, dëshmia, kujtimet, rrëfimet dokumenti dhe fotografia. Është një nga librat që peshon shumë në punën time shkrimore. Në vitin 2013 kam botuar një monografi për dëshmorin e kombit Safet Peci-Boletini dhe vëllimin e parë të serisë poetike “Mbollën gjak mbijnë këngë”- një libër  voluminoz me 383 balada për dëshmorët e Trojeve Etnike.

Libri i 14 është i titulluar” Një President në Blliçe”-(2016), një reportazh historiko-bashkëkohorë, kushtuar origjinës së familjes timë në Dibër. Besoj këto tituj librash janë një copëz jetë për një vajzë të moshës time.

Limit.al:

– Keni një arkiv të pasur fotografik, që në të ardhmen do të kenë vlerë arkivore për ngjarje të shumta në trojet shqiptare, por unë do të ju pyes,- si ju ka lindur pasioni për fotografinë?

Rajmonda Maleçka:

-Fotografia është një nga pasionet e mia të hershme. Unë i kam shkelur cep më cep trojet etnike.  Është një ëndërr e realizuar më së miri. Për fatin e mirë e kam përdorur aparatin fotografik që në fillim vitet “90-të, i cili çdo rast ka qenë në çantën time. Fotografia është vlerë e madhe ajo është si ditari  që shkruhet nga pasionantët e tij çdo ditë. Fotografia  lufton harresën, fikson kohën, zbulon karakteret, ajo ka një gjuhë të mrekullueshme duke qenë një art në vetvete. Kam disa dhjetra-mijëra fotografi në arkivin tim personal, në të cilën është fiksuar politika, kultura, lufta, vende ngjarje brenda dhe jashtë vendit. Kam fiksuar dëshmorë, terren lufte, përkujtimore, udhëheqës politik në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Preshevë-Metvegjë-Bujanoc, Malin e Zi, ministra, Kryeministra, Presidentë, pra kudo jam gjendur.

Në familjen time ka pasur një kujdes të madh për fotografinë, veçmas nga babai im Bujar Maleçka. Ky  pasion është mishëruar dhe tek ne fëmijët.

Limit.al:

-Njihni mirë mjedisin e librave në Shqipëri e Kosovë, çfarë vlerësimi keni për mjedisin e librave?

Rajmonda Maleçka:

-Unë kam botuar libra në Shqipëri dhe në Kosovë. Siç dhe e dini libri ka mbetur jetim. Nuk ka as në Tiranë dhe as në Prishtinë ndonjë politik të suksesshme të kujdesit të shtetit për librat. Ndërkaq dhe shtëpitë botuese të librave qëllim të parë kanë fitimet sesa kujdesin për librin. Nuk ka përzgjedhje, nuk ka cilësi, nuk ka politikë të qartë në prodhimin letrarë. Në fondacionet që ndihmojnë në botimin e librave përgjithësisht nuk ndihmohet libri artistik, i cili ka shumë nevojë të ndihmohet. Ndoshta këto vështirësi të përgjithëshme vijnë për shkakun e rënies së leximit të librave në Shqipëri dhe në Kosovë. Teknologjia ka bërë punën e saj.

Limit.al:

– Njiheni si njeriu i projekteve të qëndrueshme, them të qëndrueshme , pasi iu shkoni në fund atyre, ç’keni në projektet tuaja të punës dhe për çfarë po punoni?

Rajmonda Maleçka:

-Në të shumtën e rasteve unë i kam realizuar projektet e mia të botimit të librave. Gjithçka kam botuar e kam përballuar nga ekonomia ime familjare, pa asnjë donacion.

Kam një projekt të qëndrueshëm, të cilin e vlerësoj të rëndësishëm, me të cilin jam shumë e lidhur. Nën titullin “Mbollën gjak, mbijnë këngë” po punoj që Dëshmorët e luftës së shenjtë të UÇK-së, t’i përjetsoj poetikisht, të cilat për raportin që vendos  mes tyre dhe kohës ku jetojmë t’i njoftoj si balada. Vëllimi i parë i serisë “Mbollën gjak, mbijnë këngë” është botuar në vitin 2013, ne të cilin, në këtë mënyrë përjetësohen 383 dëshmorë. Po punoj për vëllimin e dytë. Dëshiroj t’i përjetsoj të gjithë dëshmorët e luftës përmes kësaj qasjeje, e cila mund të zërë 4-5 vëllime. Ky projekt i rëndësishëm dhe i kushtueshëm financohet gjithashtu nga ekonomia ime familjare. Krahas këtij projekti kam dhe angazhime të tjera shkrimore, për të cilat mund të flas më vonë.

Limit.al:  

-Jeni në një kohë zhvillimesh të shumta, si i sheh zhvillimet në Kosovë Rajmonda Maleçka?

Rajmonda Maleçka:

-Shqipëria dhe Kosova kanë aspiratë integrimesh në Bashkimin Evropian. Besoj se politika e Tiranës dhe Prishtinës duhet ta kuptojnë mirë ëndrrën shqiptare evropiane, për të cilën duhet punuar. Sa më funksionale të jetë demikracia, si sistemi më i avancuar në historinë e njerëzimit, aq më mirë do të jetë për ne.