Në këtë botë kemi ardhur për të ikur
Nuk do të thahemi fosile mbi dhe
Ca vdesin mjerisht ende pa lindur
Ndonjë i moçëm, ndonjëra e re
Kam jetuar mirë, parajsën kam prekur
Tani për në ferrr rrugën do të marr
Shpirtin nuk e lë, shpirti s’më ka vdekur
Trupin-ambalazh dërgoni në varr
Nuk dua fjalime para varrit të hapur
Mes lotësh të shtirur të thoni: Ishte shenjt!
Më mbuloni butësisht me dheun e lagur
E largohuni në punët tuaja shpejt e shpejt
Mos më ndizni qirinj, e urrej erën kur digjen
Mermerit mos vendosni cigare të ndezur
Ende më dhembin mushkëritë kur kollitem
Ende gishtat nga nikotina i kam të zverdhur
Vajza dhe gruaja të veshin roba të errëta
Im bir me kostum në rolin e burrit
E pasi të bëhen të famshmet të dyzeta
Ngjyra të çelura t’u hijeshojnë trupit
Adel 26.04.2018