“Ne e dinim se një nismë e tillë, do të ishte ajo e duhura për të tërhequr edhe vëmendjen dhe mbështejen e një numri të madh banorësh. Objektivi për shndërrimin e këtij projekti në qytetin më ekologjik në botë, shërbeu për ta bërë atë akoma edhe më shumë frymëzyes”, u shpreh Doug Smith, Drejtor i Sektorit të Zhvillimit në qytetin e Vankuverit, që sot ka 2.5 milionë banorë.
Në prag të fillimit të Vitit të Ri, ky qytet duket se po bën të pamundurën për të marrë tiutllin e qytetit më ekologjik në botë dhe po përpiqet me të gjitha mënyrat që ta arrijë një gjë të tillë. Sigurisht, “qyteti-pyll”, ashtu siç e etiketojnë edhe ata që e vizitojnë atë për herë të parë (mbi 10 milionë vizita në vit), kishte një potencial shumë të mirë që në fillim me parkun Stanley Park, një prej parqeve më të bukura dhe më të mëdha urbane në botë, njëkohësisht edhe një prej më të veçantëve ku natyra ndëthuret në harmoni të plotë me qytetin.
Edhe pse me shumë avantazhe që në fillim, ky qytet nuk ka dashur të ndalet me kaq, por ka dashur të shkojë edhe më tej. Falë nëntë pistave të biçikletave (450 km pista të ndara nga rrugët lokale), një rrjeti efikas për marrjen e biçikletave me qira dhe transportit publik kapilar, më shumë se 50% e të gjitha udhëtimeve në këtë qytet nuk zhvillohen me anë të makinës. Biçikleta mbetet një nga mjetet më të preferuara të transportit, mbi të gjitha nga turistët që e konsiderojnë atë një mjet nëpërmjet së cilit mund të vizitojnë çdo cep të këtij qyteti. Banorët e Vankuverit gjithashtu po përpiqen shumë që të reduktojnë në maksimum mbetjet dhe emetimet e dioksidit të karbonit.
Me 2020, në horizont, a mund të themi se Vankuver ndihet i kënaqur me arritjet e tij?
“Nuk kemi arritur akoma në nivelin që ne synojmë, por arritje të tilla si këto të tanishmet, sigurisht që mund të kondiserohen një sukses i vërtetë. Ne kemi arritur dy të tretat e objektivave tona dhe mbi të gjitha po përpiqemi që bota të ndryshojë mënyrën sesi duhet të mendojë.
Për shembull, ne synojmë që emetimet zero të arrihen deri në vitin 2050, por kjo do të thotë që shumica e njerëzve duhet të ecin sa më shumë në këmbë, me biçikleta apo edhe të përdorin transportin publik, sfidë kjo që do të jetë padyshim shumë e madhe”, përfundoi z. Smith.