Zëvendës sekretari i Shtetit i SHBA për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer tha se SHBA duan të shohin një normalizim të plotë të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë, i cili sipas tij do të nënkuptojë njohje të ndërsjellë.
“Nëse ata do të njihnin njëri-tjetrin, ata mund të zgjidhnin çështjet kontestuese si fqinjë,” tha Palmer për televizionin rajonal N1 Sarajevë.
Palmer tha se arsyeja e negociatave është se si Serbia ashtu edhe Kosova po përpiqen drejt Evropës dhe se është e nevojshme të shihet se cilat kompromise janë të nevojshëm për të arritur progres.
“Një marrëveshje është e nevojshme që do të pranohet dhe mbështetet nga publiku nga të dy palët si mënyra më e mirë përpara”, tha Palmer, duke shtuar se ishte e rëndësishme që marrëveshja të ishte “e zbatueshme, e drejtë dhe e qëndrueshme”.
Ai gjithashtu tha se ka një marrëdhënie shumë të mirë me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë Richard Grenell dhe se kjo nuk është hera e parë që SHBA kanë caktuar dy të dërguar specialë për të njëjtën çështje.
I dërguari i sekretarit të Shtetit të SHBA për Ballkanin Perëndimor tha se Ballkani Perëndimor mbetet një përparësi e politikës së jashtme të SHBA dhe se Uashingtoni dëshiron që vendet e rajonit të shohin SHBA dhe BE si “partnerë të zgjedhur të tyre”.
Palmer tha se SHBA dëshiron që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e “familjes së vendeve evropiane” dhe aty të investojnë kapital të rëndësishëm politik.