Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST) nënshkruan të hënën në Tiranë marrëveshjen e themelimit të bllokut rregullues të sistemeve energjetike Kosovë-Shqipëri.

Në një komunikatë për publikun, KOSTT tha se marrëveshja u nënshkrua me dijeninë e Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO).

Kjo marrëveshje parashihet të hyjë në fuqi në prill të vitit 2020.

“Blloku Rregullues, i përbërë prej dy zonave rregulluese, KOSTT dhe OST, ka për qëllim operimin më të lehtë të dy sistemeve elektro-energjetike, si nga aspekti teknik, ashtu edhe ai ekonomik. Kjo do të mundësojë operimin dhe balancimin më të lehtë të të dyja sistemeve, zvogëlimin e kostove dhe shkëmbimin e rezervave të sistemeve”, thuhet në njoftimin e KOSTT-it.

Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Ilir Shala, citohet të ketë thënë se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje me Shqipërinë, Kosova shkëputet nga ombrella e zonës rregulluese serbe (EMS) dhe bëhet pjesë e OST-së.

“Kjo është marrëveshje historike për Kosovën dhe KOSTT-in, meqë, deri më tani, ne si KOSTT kemi qenë brenda Zonës Rregulluese të Serbisë (EMS), gjegjësisht brenda bllokut rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut). Tani, me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje me OST-in dhe fillimin e implementimit të saj në prill të vitit 2020, definitivisht shkëputemi nga ombrella e Zonës Rregulluese serbe dhe bëhemi pjesë e Bllokut Rregullues me OST-në e Shqipërisë”, citohet të ketë thënë Shala.

Skerdi Drenova, administratori i përgjithshëm i OST-së, tha se kjo marrëveshje krijon kushte të favorshme për shfrytëzimin optimal të burimeve gjeneruese brenda bllokut.