DEKLARATA E XHAÇKËS:

Të dashur qytetarë,

këto janë momente shumë të vështira për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nëse ndodhen në zonat që pësuan goditjen e madhe të tërmetit, apo në zonat e sigurta ku goditja ka kaluar pa pasoja.

Ngjarja është vërtet shumë e rëndë. Situata është e vështirë. Për fat të keq nga kjo goditje ka pasur jo vetëm më shumë dëme e më shumë të plagosur, por edhe viktima. Deri në këtë moment janë konfirmuar 7 qytetarë, që kanë humbur jetën. Është shpresa jonë, është lutja e çdo qytetari shqiptar, që ky numër të mos rritet më tej dhe, me mendje e me zemër, ju gjendemi pranë të gjithë atyre qytetarëve, që ende s’kanë mundur të rivendosin kontaktin me të afërmit e tyre.

Është një moment i tmerrshëm, por dua t’u them të gjithë qytetarëve që ky nuk është një moment për të vajtuar. Ky është një moment për t’u solidarizuar, për të ndihmuar njëri – tjetrin, për të menaxhuar me gjakftohtësi një situatë tragjike dhe tejet të vështirë. Dhe dua të falënderoj qytetarët e Durrësit, Golemit, Kavajës, Thumanës e cilido qytet tjetër të prekur nga tërmeti, që kanë bërë aq shumë për të ndihmuar të afërmit e fqinjët, për të mbështetur forcat e emergjencës, duke shpëtuar jetë.

Goditja kryesore e tërmetit u shënua në orën 3:55 minuta dhe ishte e magnitudës 6,3 me thellësi 10 km dhe me epiqendër në Durrës.

Një tjetër goditje kryesore e shkallës 5.5 Rihter dhe epiqendër në Kepin e Rodonit, u shënua pas goditjes së parë, ndërkohë që prej atij momenti janë shënuar mbi 100 goditje dytësore dhe situata mbetet ende aktive.

Durrësi dhe Thumana janë dy lokalitetet e goditura më rëndë. Me dëme të mëdha materiale e tragjikisht edhe me 7 jetë të humbura, siç konfirmohet deri në këto momente sipas informacioneve paraprake. Në të gjitha këto zona, në të gjitha godinat e shembura vazhdon puna e kërkim – shpëtimit, por siç keni mundur ta ndiqni edhe përmes mediave, janë operacione tejet të vështira, ku duhet punuar ngadalë pasi ekziston një rrezik shumë i madh që godinat të pësojnë shembje ose rrëshqitje të mëtejshme, duke rrezikuar jo vetëm banorët që mund të jenë të bllokuar, por edhe forcat e shpëtimit.

E gjithë qeveria dhe e gjithë struktura drejtuese e Emergjencave Civile është në terren. Bashkë me Kryeministrin kemi qenë në zonat e prekura që në momentet e para, bashkë me FA, Policinë e Shtetit, forca të përforcuara zjarrfikëse dhe ambulanca, të cilat janë të pranishme dhe duke punuar në zonat e goditura më rëndë. Forcat zjarrfikëse dhe ekipet e shërbimit shëndetësor, nga të gjithë qarqet, janë nisur drejt Durrësit, ku situata është më e rëndë.

Janë 400 efektivë të FA aktualisht në terren, por e gjithë FA ka kaluar tashmë në gjendje gatishmërie të plotë.

Janë mbi 1.000 efektivë të Policisë së Shtetit në gatishmëri dhe disa qindra personel mjekësor, por është një situatë e rëndë, qoftë për shkak të numrit të madh të godinave të dëmtuara, qoftë për shkak të shtrirjes së tyre gjeografike. Është një situatë dhe një ngjarje e përmasave të atilla që çdo vend do ta kishte të vështirë për ta përballuar i vetëm.
Lajmi i mirë, është që nuk jemi vetëm. Të gjithë aleatët kanë ofruar ndihma urgjente. Ndërkohë që grupet tona vazhdojnë punën janë duke mbërritur grupe të specializuara kërkim – shpëtimi nga Italia dhe grupe ekspertësh janë vënë në lëvizje tani që flasim edhe nga Turqia. Vëllezërit tanë në Kosovë janë duke dërguar po ashtu ekipe të specializuara të FSK për të ndihmuar dhe të gjithë aleatët kanë ofruar ndihmë bashkë me BE, i gatshëm për të angazhuar mekanizmin e Mbrojtjes Civile.

E thashë më lart, që qytetarët kanë dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme me solidaritetin e tyre. Ata janë heronjtë e vërtetë të kësaj dite, por ndihma më e madhe që ju kërkoj të na japin tani, është që të kufizojnë në maksimum lëvizjet me automjete, për t’ju dhënë mundësi qarkullimi mjeteve të emergjencës. Në orët e para pas tërmetit kryesor, forcat e emergjencës kanë hasur në vështirësi serioze për të arritur në lokalitetet e dëmtuara më rëndë, për shkak të bllokimit të rrugëve.

Dua t’ju bëj thirrje me forcë, të gjithë qytetarëve, shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar, që të evitojnë qëndrimin në këto ambiente. Është shumë e rëndësishme që dëmtimet të verifikohen, që të ketë një prognozë të saktë nga ekspertët të sigurisë së tyre.

Ju bëj thirrje qytetarëve, po ashtu, që të ruajnë qetësinë dhe gjakftohtësinë. Edhe sot, për fat të keq, ka pasur shumë dëmtime që janë shkaktuar nga paniku. Kjo është një situatë ku ka nevojë për qetësi, solidaritet dhe gjakftohtësi.

Mësimi sot në të gjitha shkollat, universitetet, kopshtet e çerdhet është pezulluar dhe do të vazhdojë i pezulluar edhe nesër. Është një mundësi që familjet të mblidhen së bashku për të siguruar sidomos më të vegjlit që e kanë vuajtur më shumë situatën e frikës e traumës. Por është edhe një mundësi që studentët nga qytetet e tjera të Shqipërisë që studiojnë në Tiranë e Durrës, të mund të kthehen pranë familjeve të tyre sepse e kuptojmë fare mirë ankthin e frikën që ka ndjerë sot çdo familje që ka të afërm veçanërisht në Durrës, Lezhë apo Tiranë.

Për një pasqyrë paraprake të situatës, që dua ta theksoj është duke u përditësuar minutë pas minute:

Rezultojnë deri tani 135 të lënduar dhe 12 shtrime të konfirmuara në spitalin e Durrësit. 60 të shtruar në QSUT, por rastet janë duke u shtuar.
Janë konfirmuar 7 jetë të humbura. 3 në Durrës, 2 në Thumanë, një në Lezhë dhe një rast në Kurbin.

Fatkeqësisht, operacionet e kërkim – shpëtimit vazhdojnë dhe janë ende një numër qytetarësh që mendohet se ndodhen nën rrënojat e disa godinave të shembura në Durrës. Lutja jonë është që ata të gjenden shëndoshë e mirë dhe ju gjendemi pranë me mendje e me zemër familjarëve të tyre. Do të bëjmë çdo gjë që është e mundur për t’i shpëtuar.

Është e parakohshme dhe është e pamundur që t’ju jap qoftë edhe një shifër paraprake të godinave të dëmtuara, sepse jemi ende duke mbledhur raportime nga çdo qark dhe do t’ju mbajmë të informuar ore pas ore gjate gjithë ditës.

Kurajo, gjithë shteti është në këmbë dhe do të bëjmë gjithçka për ta përballuar sëbashku këtë situatë kaq të veshtirë.