Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu tha në Zagreb se demografia e Evropës dhe Ballkanit Perëndimor po ndryshon, pasi në shtatë vitet e fundit nga rajoni janë larguar më shumë se pesë milionë qytetarë.

“Këto shifra mund të jenë edhe më të larta duke pasur parasysh që 35 për qind e të rinjve në rajon janë të papunë ndërkaq 62 përqind duan të shkojnë dhe të punojnë jashtë vendit”, tha Bregu duke cituar të dhënat nga Barometri Ballkanik për vitin 2019.

Në një takim mbi sfidat dhe përgjegjësitë e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së të organizuar në kuadër të Kongresit vjetor të Partive Popullore Evropiane (EPP), Bregu theksoi se bashkëpunimi rajonal ka kuptim, vetëm nëse caku përfundimtar është integrimi në Bashkimin Evropian.

“Ne duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku për të lidhur tregjet dhe njerëzit, për të lejuar lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në të gjithë rajonin, për të përmirësuar sistemin tonë arsimor për të përmbushur nevojat e tregut të punës, fuqizimin e grave e të tjera”, tha Bregu.

Vendet e Ballkanit Perëndimor në vitet e fundit po përballen me largimin e popullatës së tyre, kryesisht e të re në moshë, në vendet e Bashkimit Evropian.

Niveli i papunësisë në shumicë e këtyre vendeve është shumë i lartë.

Në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane të mbajtur në Zagreb, kryetar është zgjedhur presidenti në shkuarje i Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Partia Popullore Evropiane është themeluar më 1976, dhe e quan veten aleancë të qendrës së djathtë, në të cilën përfshihen 84 parti dhe partnerë në 42 shtete, si dhe funksionon mbi parimin e “përkushtimit për një Evropë të fortë të bazuar në modelin federal që shtrihet në parimin e decentralizimit”.

EPP është grupacioni më i madh politik në Parlamentin Evropian.