Popullsia e Shqipërisë po tkurret. Bien ndjeshëm lindjet në tremujorin e parë të këtij viti

Me ritme të shpejta, Shqipëria po përjeton tkurrjen e popullsisë.  Edhe tremujori i pari i 2018-s, sipas shifrave të INSTAT, tregon se e ardhmja nuk është aspak optimiste.

Lindjet rënie drastike

Numri i lindjeve në tremujorin e parë 2018 rezulton 5.669, duke shënuar një rënie prej 18,0 %, krahasuar me tremujorin e parë 2017. Numri i vdekjeve në tremujorin e parë 2018 rezulton 5.954, duke shënuar një rënie prej 12,3 %, krahasuar me tremujorin e parë 2017. Gjatë tremujorit të parë 2018, numri i vdekjeve tejkaloi me 285 numrin e lindjeve.

Në tremujorin e parë 2018, shtesa natyrore e popullsisë për 12 qarqet e Shqipërisë, shënon vlerën më të lartë në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 443 numrin e vdekjeve. Në tremujorin e parë 2018, shtesa natyrore regjistron vlerë negative në shtatë qarqe. Vlera më e ulët shënohet në qarkun e Korçës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 211 numrin e lindjeve.

Numri më i ulët i lindjeve, në tremujorin e parë 2018, regjistrohet në qarkun e Gjirokastrës, 96 lindje, me një rënie prej 34,2 %, në krahasim me tremujorin e parë 2017. Numri më i madh i lindjeve regjistrohet në qarkun e Tiranës me 1.872 lindje, të cilat shënojnë rënie me 11,3 %, në krahasim me tremujorin e parë 2017.

Të gjitha qarqet pësuan rënie të numrit të lindjeve në tremujorin e parë 2018, krahasuar me tremujorin e parë 2017. Rënien më të madhe të numrit të lindjeve gjatë kësaj periudhe e shënon qarku i Gjirokastrës me 34,2 % dhe qarku i Vlorës me 29,8 %.

Vdekjet

Numri më i lartë i vdekjeve, në tremujorin e parë 2018, regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 1.429 vdekje, me një rënie prej 7,6 %, në krahasim me tremujorin e parë 2017. Numri më i ulët i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 136 vdekje, me një rënie prej 35,8 %, në krahasim me tremujorin e parë 2017. Të gjitha qarqet pësuan rënie të numrit të vdekjeve në tremujorin e parë 2018, krahasuar me tremujorin e parë 2017. Rënien më të madhe të numrit të vdekjeve gjatë kësaj periudhe e shënon qarku i Kukësit me 35,8 % dhe qarku i Lezhës me 26,9 %.