Sot më datë 30 shtator 2019, Banka e Shqipërisë hodhi në qarkullim dy nga kartëmonedhat e Serisë së Re, përkatësisht prerjet 200 Lekë dhe 5000 Lekë.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë organizoi një aktivitet edukativ në ekspozitën dedikuar serisë së re të kartëmonedhave, pranë ambienteve të Kalasë së Tiranës. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, zj. Natasha Ahmetaj, përfaqësues të Departamentit të Emisionit, si dhe nxënës e mësues të një prej shkollave 9-vjeçare në Tiranë. Aktiviteti u çel me fjalën përshëndetëse të Zëvendësguvernatores së Dytë të Bankës së Shqipërisë, e cila u shpreh se për një ekspozitë të parave nuk ka çelje më të bukur sesa në praninë e fëmijëve.

Më tej, Zëvendësguvernatorja theksoi se kartëmonedhat 200 Lekë dhe 5000 Lekë, që hidhen sot për herë të parë në qarkullim, janë më shumë sesa një mjet këmbimi. Duke i ftuar të pranishmit t’i mirëpresin dhe t’i mirëmbajnë kartëmonedhat e reja, por edhe ato ekzistuese, Zëvendësguvernatorja tregoi se përtej funksionit bazë të tyre, kartëmonedhat mbartin edhe vlera artistike e simbolike të kombit dhe historisë së tij.

DSC 3528 - Copy 498

Në vijim, Zëvendësguvernatorja Ahmetaj, në një bashkëbisedim me fëmijët u shpjegoi rëndësinë e institucionit të Bankës së Shqipërisë, si institucioni i vetëm në Shqipëri që ka atributin e emetimit dhe hedhjes në qarkullim të kartëmonedhave. Ajo u shpjegoi se si Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me bankat tregtare i shpërndajnë kartëmonedhat në duart e publikut shqiptar.

Gjatë fjalës së saj, Zëvendësguvernatorja Ahmetaj informoi fëmijët dhe të pranishmit për arsyen e mbajtjes të së njëjtës tematikë në pamjen e serisë së re të kartëmonedhave shqiptare, duke e risjellë atë më të freskët në ngjyra e konfigurim. Ajo shtoi se tematika lidhet me evokimin e epokave të historisë së kombit shqiptar, përmes paraqitjes së portreteve të personaliteteve simbol të tyre, të cilët kanë lënë gjurmë në kujtesën kombëtare. Më pas Zëvendësguvernatorja Ahmetaj u shpreh se portreti i paraqitur në kartëmonedhë e kuriozon  publikun të mësojë diçka më shumë për atë figurë historike dhe rrjedhimisht të mësojë më shumë për historinë e kombit shqiptar.

DSC 3434 - Copy 498

Në përfundim nxënësit u informuan mbi elementet e sigurisë së kartëmonedhave të reja, si dhe mënyrën se si t’i dallojnë ato nëpërmjet metodës: Prek, Shiko, Lëviz.

Futja në qarkullim e kartëmonedhave të reja bëhet nëpërmjet sistemit bankar shqiptar. Bankat tregtare të cilat kanë nevojë për para, paraqiten pranë Bankë së Shqipërisë për furnizim dhe tërheqin kartëmonedha, sipas kërkesave të tyre.

Duke filluar që sot, datë 30 shtator 2019, bankat tregtare që janë furnizuar pranë Bankës së Shqipërisë kanë tërhequr kartëmonedhat e reja 200 Lekë dhe 5000 Lekë. Bankat e tjera tregtare do t’i tërheqin këto kartëmonedha sipas nevojave që do të kenë për kartëmonedhat 200 Lekë dhe 5000 Lekë. Kjo do të thotë se futja në qarkullim e kartëmonedhave të reja është një proces i cili do të ndodhë gradualisht, ditë pas dite.

Kartëmonedhat ekzistuese të të gjitha prerjeve, do të vazhdojnë të qarkullojnë paralelisht me kartëmonedhat e reja. Ato do të vazhdojnë të kenë kurs ligjor dhe të shërbejnë si mjet pagese./BSH