“NUK JAM AKSIONIST, MOJ SHOQJA ZINË!?”

“Muzhiku rus nuk beson se do të bjerë shi, po nuk dëgjoi shkreptimën” (Fjalë e urtë Ruse)

Kur rri (jo deri në bezdisje se për periudhën po kalon probleme shëndetësore) me piktorin e karikaturistin e talentuar KOSTA RAKA, në njëfarë mënyre, njeh dhe historinë e artistit dhe të shkrimtarit në tranzicionin e pasegmentarizuar shqiptar, të qeverive JERM të njëpasnjëshme në fushën e editorisë e në trinomin: autor-botues e lexues, por edhe të botuesve privatë, parvenytë e tranzicionit ose monopolistet e patrazuar ende te editorise shqiptare. Histori të panumërta personale që, siç tha një miku ynë i përbashkët me sens humori, nëse vettingu do të shtrihej edhe ndër këta të fundit, shumicën, do t’i gjeje te “Partizani i panjohur” në Tiranë, duke ngrënë fara luledielli, në kërkim të ndonjë pune sipas formulës “A ke ndonjë punë për mua, zotini?”.
Unë, ende pa përvojat e hidhura full të Kostës, për analogji, tregova:
Në Shkodër, te Dugajtë e Reja, si i thonë atij vendi në Veri të Pjacës, dikur ishte një si “miniparking”, ku linin ca karrocierë karrocat e vogla, që i tërhiqnin vetë, duke kryer shërbime për trransportime mallrash nëpër shtëpia kryesisht të qytetareve shkodranë. Njëri prej tyre quhej Bixh që, në Shkodër, nuk besoj të ketë njeri të ortës sime që të mos e ketë njohur. Ndoshta Luigj apo Ludovik, por i thërrisnin Bixh, siç ngjet rëndom në këtë qytet me këto emra. Si ish-studentë shpesh shkëmbenim ndonjë muhabet a batutë me të te para librarise se Bylit (Burhanit) apo te një pijetore ngjitur me shtëpinë e Ljarjeve, ndoshta e Linit a e Cinit, të cilën e frekuentonte edhe Prof. H. Beqja sa herë vinte në Shkodër, pasi ishin shokë. Një ditë Bixhin e kishte kërkuar Zina Franja ish-sekretare e KPartisë të rrethit, për t’i transportuar një dollap të vogël në shtëpi. Ia çoi “shëndosh” dollapin në shtëpi dhe në disa mënyra, po ia kujtonte se ta solla dollapin dhe hajde tani tundu, paratë. Por ajo hiç s’i binte atij krahu, veçse e falënderonte. Mirëpo Bixhi e dinte mirë shprehjen që “Jepi punëtorit hakun, pa iu tha djersa!” (këto ditë lexova në fb që këtë ia paskan atribuar turqelinjtë e rinj ERDOGANIT, kur e di mirëfilli se në Shkodër kjo ka mbijetuar të paktën tash mbi 100 e ca vjet). Siç thashë, Bixhi ia “kujtoi” në disa mënyra dhe, kur nuk e përmbajt ma durimin, iu kthye:
“NUK JAM AKSIONIST, MOJ SHOQJA ZINË!?”.
Ai ka edhe batuta të tjera, mbase edhe më të bukura, por në ortën tonë, kjo ka mbetur si bashi i tyre dhe, çuditërisht, mjaft aktuale, sidomos ne parvenyte a afendikojt e tranzicionit tonë aq sa një mjeshtër elektricist e ka përshtatur edhe më bukur, kur në vend të parave, punëdhënësi (edhe i përkohshëm), do ta kalojë më “lehtë” e “shoqerisht” (ne ekonomime e tregut?!) me ndonjë birrë a kafe dhe ai ua kthen hazerxhevap e i nevrikosur dhe, mirë ua bën:
– Fëmijtë e mi, nuk e pijnë birrën! Ata duan të hanë bukë!…

KUJTIM DASHI