NUK TË LEN TY NANA…

Nga: Agron TUFA

Erdh dita e lirimit, Zef, o loçka e nanës.. po si me kthye n’shpi pa ty?! Ku me t’lanë ty, bimë e njomë e zemres seme? Nuk t’len ty nana… e qe, rrugën për hanë e qes, msheftas rojave, me marrë malet…
…Me nji kunj e me gishta po ta hap varrin. Veç me Zojën, motrën tënde të madhe përbri. E shef? Të gjeta, siç të shtiva para motmotit, të paprishun. Tash t’mbështjell ty nana me çarçafë e velenxë, i vogli im i munduem. Duhet me na kapë ferrku i dritës në Kamp. Para zgjimit!
… E tash erdh ora e rrezikut, loçka jeme. Roja. Karakolli. Mos ki dert… Din nana Drande… Ushtari thërret fort:
– Hej, ju, ndaloni!
– Shka do, zotni?
…….?
– Çfar kam ndën sqetull?!
…….?
– Paj, gjana grash, ç’ka me pasë..? Apo ke qejf me i futë hundët në tesha grash? Hajde, de, shihi, pashë Zotin e Madh! ”.
Kqyr… e mbylli derën e truprojes. Nxjerr kokën në frangji e kërthnezet:
– Këput moj qafën! Dhe lëri llafet, se vij aty e u fëlliq! Zarba!”.
…. Në dyshekun tim… me jorganin tim… Zoja, Nika e Lena të ruajnë te kryet, pa t’i nda sytë. Tre javë, tue pritë nji makinën t’mallkueme lirimi, fjetëm bashkë. Ngrykas. T’pastrova nana me raki, si kandil argjendi. Si llampadhe kishe! Deri n’t’lumen ditë kur dolëm jashtë telave.
…. E tash, sheh? T’sollina me u varrosë aty ku ke çilë sytë, n’pragun e babës tand!

Shihe si po të qan i madh e i vogël, loçka jeme e mundueme. Mbarë Dukagjini…