Monografia “Nexhmije Pagarusha” është një rrëfim personal dhe origjinal i një udhëtimi të mrekullueshëm në jetën dhe krijmtarinë e këngëtares tonë të famshme shqiptare, znj. Nexhmije Pagarusha.
Monongrafia për zonjën Nexhmije ka përmbledhur gjithë jetën dhe veprimtarinë e saj prej artisteje. I ndarë në 13 kapituj, libri ka paraqitur rrugën e këngëtares nga fëmijëria deri në ditët e sotme.
Vetë këngëtarja me rrëfimin e saj jetësor është boshti i rrëfimit të këtij libri. Pjesë shumë e rëndësishme e këtij libri monografik janë edhe intervistat me familjarë, miq, muzikantë e persona të tjerë që e njohin mirë dhe kanë punuar ngushtë me znj. Nexhmije Pagarusha, të cilët e plotësojnë rrëfimin e saj.
Qëllimi kryesor i botimit të këtij libri është që të vë në pah rëndësinë e karrierës muzikore të Pagarushës, e cila përfaqëson një pjesë vitale të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të vendit tonë.
Nëpërmjet dokumentimit dhe rrëfimit të artistes dhe bashkëpunëtorëve të saj, libri ka nxjerrë në pah historinë krijuese të njërës prej këngëtareve më të famshme të muzikës shqipe.
Dokumentimi i asaj që e ka karakterizuar këngëtaren, është paraqitur si histori e shtrirë në formë romani me qëllimin që publikut t’i prezantohet i gjithë mozaiku jetësor e artistik i zonjës Nexhmije. Libri do të mbetet trashëgimi e institucioneve të vendit dhe brezave të rinj.
Promovimi i librit monografik “Nexhmije Pagarusha” do të bëhet më 21 shtator 2019, prej orës 19:00 në Hotel Swiss Diamond, Prishtinë.
Ceremonia e promovimit të këtij libri monografi tenton që në mbrëmjen e sotme të paraqesë në mënyrën më të mirë të mundshme tërë punën që është bërë për publikimin e këtij libri para familjarëve, miqve, artistëve e dashamirësve të artit si dhe para zonjës së madhe e cila është subjekti kryesor i këtij libri.
Monografia “Nexhmije Pagarusha” me autorë Shaban Maxharraj dhe Elvira Berisha, është realizuar nga Integra me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës. /ekonomiaks