NJË ZË I ËMBËL NGA LARGËSIA
Nga larg ndjej jehun e një kënge
Këndonte pisk mikja ime e vjetër
Ai zë i ëmbël si mjaltë
Shponte qiellin, shpirtin tim
Melodi mallëngjyese si në lotim
I dehur mbeta në gotë të thyer vere
Nga majat e gishtërinjëve pikonte gjak
Diç digjej nga brenda,zjarri nuk shihej
Ah!… Ofshamët vijnë papritur
Zier në avullin e dashurisë së sikletosur
Sikur të ishte ujë Valbone ai zë,ajo këngë
Do e pija të tërin për shëndet
Ilaç për shpirtin e lënduar
I pa brengë do shkoja në atë jetë…..
MBLEDHËS I GJURMËVE
Në galerinë time ruaj gjurmë të kohës
Të heshtura rrinë, flasin me veten e vet
Ruajnë dëshminë e errësirës memece
Të jetës së grimcuar zgavrave të natës
Koleksion i bukur
Fijokave të galerisë sime
Ndarë në folie pikllimi
Të gishtërinjve të duarve në një vend
Të këmbëve zbathur në anën tjetër
Të mbathurave veç e veç,tej atyre zbathur
Një sasi gëzhojash të zbrazura
Kundërmojnë erë baroti
U vjen duhma gjak,në tokë i kam futur
Sytë e maskuar kanë ngjyrat e veta
(Natën si të gjarpërit ndriçojnë e ikin)
Gjithë koleksionet e kohës i ruaj
Në muzeun e kujtesës
Faktologji që flet të vërtetën
Dëshmitarët e gjallë gënjejnë…
Gjakovë, Shtator 2019