Drejtori i Zyrës për Europën Jugore e Qëndrore në Departamentin amerikan të Shtetit David Kostelancik, zhvilloi sot një seri takimesh me drejtuesit më të lartë të shtetit dhe përfaqësues të ndryshëm të spektrit politik. Ajo që ra në sy ishte mungesa e një takimi me Presidentin Ilir Meta, ndërkohë që zyrtari i lartë amerikan pati bisedime me Kryetarin e Parlamentit Gramoz Ruçi dhe kryeministrin Edi Rama, ndërsa në nivel politik me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe Kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, Sekretarin e Përgjithshëm socialist Taulant Balla si dhe dy deputetët opozitarë që janë pjesë e parlamentit Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni.
Nga sa kanë bërë të ditur përfaqësuesit shqiptarë mbi takimet me zotin Kostelancik, mësohet se zhvillimet politike në vend, dhe çuarja përpara e reformave, si ajo e Drejtësisë dhe Reforma zgjedhore, duket të kenë qenë temat kryesore të bisedimeve. Sipas njoftimit të shpërndarë nga Parlamenti shqiptar, në takimin me zotin Ruçi, zyrtari amerikan “ka vënë në dukje nevojën për kryerjen e reformës zgjedhore dhe rekomandoi se është përgjegjësi e qeverisë që dora e shtrirë për opozitën duhet të mundësojë tërheqjen e saj në realizimin e kësaj reforme. Kryerja e reformës zgjedhore brenda vitit do të mundësoje edhe një presidencë shqiptare të suksesshme të OSBE-së në vitin 2020”. Nga ana e tij zoti Ruçi ka nënvizuar se “shumica qeverisëse dhe ai personalisht janë të angazhuar për kryerjen e reformës zgjedhore dhe për këtë do të bashkëpunojë edhe me opozitën parlamentare e joparlamentare, e cila ka të drejtën e vetos në komisionin e ri të reformës”, thekson njoftimi sipas të cilit, Drejtori Kostelancik ka rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-së për Reformën në Drejtësi, ndërsa është shprehur se “institucionet e reja të sistemit do tu shërbejnë qytetarëve sot e në të ardhmen dhe do të mundësojnë që shqiptarët të jetojnë në paqe e mirëqenie. Vettingu është mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështetet fort nga ShBA”.
Lidhur me takimin e tij me zyrtarin e Departamentit amerikan të Shtetit, kryetari demokrat Basha ka shpjeguar përmes një statusi në Twitter se në fokus të bisedës ka qenë “fund pandëshkueshmërisë së politikanëve, rikthim i Sundimit të Ligjit, dhënie fund kapjes së shtetit dhe korrupsionit dhe forcimi i partneritetit strategjik të Shqipërisë me SHBA”.
Ndërsa kryetarja e LSI-së Kryemadhi, duke folur për krizën politike në vend, gjatë takimit me zotin Kostelancik, ka theksuar se “Shqipëria ka nevojë kritike për hapjen e negociatave në tetor. Hapja e negociatave është e kushtëzuar vetëm me zgjedhje të lira e të ndershme. Për këtë arsye, zgjedhjet duhet të zhvillohen sa më parë dhe me standarte, pasi kjo është e vetmja rrugë për integrimin europian të Shqipërisë”.
Zoti Kostelancik është emëruar në detyrën e Drejtorit të Zyrës për Europën Jugore e Qëndrore vetëm dy muaj më parë, në përfundim të misionit diplomatik në Hungari, si zëvendës ambasador i Shteteve të Bashkuara. Vizita e tij në Tiranë është e para në rajonin e Ballkanit, i cili duket se ka rifituar një tjetër vëmëndje pas emërimit pak ditë më parë të Zëvendës Ndihmës Sekretarit për Çështjet Evropiane, Matthew Palmer si përfaqësues i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.