DORËHEQJET E DEPUTETËVE: BILANCI I BRISHTË DHE DIFERENCA NË MODELE

Ish ministri i brendshëm Saimir Tahiri ka dhënë dorëheqjen nga mandati parlamentar. Shkaku? Akuzat e ardhura nga Prokuroria dhe pretendimet e ndryshme për përfshirje të tij në aktivitet kriminal. Kuvendi pati refuzuar në tetor 2017 miratimin e kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e tij, akt që solli kritika të ashpra nga institucione vendore dhe ndërkombëtare që monitorojnë demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri. Prej atëherë ishte deputet, madje në seancën e fundit ai u paraqit në parlament për të mos rrezikuar humbjen e mandatit për shkak të mungesës fizike 6 mujore.

Vendimi i deputetit për të dhënë dorëheqje nga posti parlamentar nuk është i vetmi gjatë dy legjislaturave të fundit. Në total janë 19 deputetë që kanë dhënë dorëheqje për motive të ndryshme, pa llogaritur deputetët që dorëzuan mandatet parlamentare për shkak të emërimit ministër ose për shkak të kandidimit për kryetar bashkie në zgjedhjet lokale 2015. Në listën e 19 deputetëve të dorëhequr shumica janë dorëheqje taktike, kryesisht të imponuara nga partia politike (kalim i mandatit tek deputeti i gjinisë tjetër) ose për shkak të synimit të posteve ekzekutive (në fundin e mandatit). Nga dorëheqjet e tjera, kemi tri raste të deputetëve që kanë dhënë dorëheqje pa arsye specifike, kryesisht për të vijuar aktivitetin privat tregtar ose për të refuzuar mandat në një periudhë të shkurtër kohore.

Në listë ka tre raste kur deputetët kanë dhënë dorëheqje nga mandati për shkak të akuzave nga Prokuroria dhe hetimeve ligjore të ndërmarra ndaj tyre. Konkretisht, ish deputeti Frroku u arrestua dhe u akuzua për disa vepra penale përpara se ai të deklarojë dorëheqje nga mandati parlamentar. Pas tij rasti i dytë është ai i ish deputetit të PS Prenga, i përfshirë në një ngjarje me pasoja penale. Edhe ai lajmëroi dorëheqjen nga posti përpara se të bëhen të ditura të dhëna të reja që lidhen me dekriminalizimin. Deputeti i tretë me këtë status është Saimir Tahiri, edhe ky në proces hetimor nga Prokuroria.

Në total në 28 vite janë rreth 70 deputetë që kanë dhënë dorëheqje nga mandati, shumica absolute e tyre për arsye taktike (emërim në poste të tjera, kandidim në zgjedhje lokale apo papajtueshmëri në funksion), ndërkohë që kemi të paktën 15 raste të deputetëve që kanë dorëzuar mandatet nën akuzë direkt (si individ) ose indirekte (si subjekt politik) apo në kuadër të dekriminalizimit dhe papajtueshmërisë së vlerësuar nga Gjykata Kushtetuese.  A është dorëheqja një akt me vlerë morale? Po, por ka ndodhur shumë rrallë. Për shembull, Ismail Lleshi dha dorëheqje më 2001 nga mandati parlamentar kur u bënë të njohura parregullsitë e numërimit të votave në zonën e tij elektorale. Më 1997 kreu i Ballit Kombëtar Ermenji dha dorëheqje për papajtueshmëri politike me zhvillimet politike në  vend. Një emër i madh i sportit Medin Zhega dha dorëheqje edhe në shenjë protestë ndaj zhvillimeve politike, Rudina Seseri dha dorëheqje politike më 2011, etj.  A kanë lidhje dorëheqjet e fundit, përfshirë z.Tahiri, me rastet morale dhe vlerat politike? Qartësisht jo. Kemi të bëjmë me lëvizje taktike politike dhe me një proces hetimor ndaj tij ashtu edhe me ambicie të tij për të vijuar të jetë aktor në politikë edhe në të ardhmen.

Kuvendi ka miratuar Kodin e Sjelljes dhe në parimet e mira demokratike është trend reagimi parlamentar ndaj akuzave të ndryshme, përmes dorëheqjes së menjëhershme, pranimit të përgjegjësisë politike dhe përballjes më pas me drejtësinë nëse ka prova për përgjegjësi ligjore. Tradita e brishtë shqiptare nuk ka raste të tilla dhe çdo përpjekje për të krijuar lidhje ngjashmërie midis akteve tona të dorëheqjes së detyrueshme ose taktike me aktet e dorëheqjes në vende me kulturë demokratike, janë jo serioze dhe deformuese për konceptet reale të demokracisë funksionale, moralit politik dhe shtetit të së drejtës.

Instituti i Studimeve Politike /ISP