“GRANATAT” QË VRANË ILIR KONUSHEVCIN

Nga Rexhep SHAHU

(Fragment nga libri im në proces Lufta ime për Kosovën)

Si është e mundur që armët që blihen përshembull, 3 dollarë këtej në Shqipëri, të shiten 6 dollarë në Kosovë…
Më konkretisht fjala ishte për granatat e dorës, për arkat e mbushura me granata. 3 marka blihej një granatë nga Iliri dhe ata që ishin të ngarkuar të blinin e të sillnin armë për luftën në Kosovë. Këto granata dikush ua shiste luftëtarëve në Kosovë nga 6 marka copa…
Ky lajm që mbërrin në veshët e Ilirit e shqetëson atë dhe ai e nge këtë problem në një mbledhje në Krumë. Dhe me të drejtën e atij që ishte i zoti i punës për armët, ai pyeti në atë mbledhje, si është e mundur të shiten armët dyfish, të shiten granatat dyfish…
Kjo pyetja që bëri Ilir Konushevci në një mbledhje në Krumë të Hasit, mendohet se ia mori jetën.
Vrau veten Mërgimi (Ilir Konushevci) ma thonin ushtarë të ndryshëm sapo nisja bisedat me to, ma thonin me një siguri e ftohtësi që më dridhte.
Ai kritikoi për armët, për çmimet me të cilat u shiten armët luftëtarëve e popullatës në Kosovë në atë mbledhjen që u bë në Krumë. Në vend që t’u jepeshin falas armët atyre që ftoheshin të luftonin, atyre u shiteshin armët.
Nëse nuk blije armën, nuk ishe patriot. Kështu shumë njerëz edhe pse kishin siguruar vetë armë, detyroheshin të blinin armë nga tregtarët e biznesmenët e armëve, që kur mundeshin i visheshin UÇK për ta legalizuar tregtinë e tyre, për ta bërë patriotike e atdhetare tregtinë e armëve.
Sa herë është folë për vrasjen e tij në rrugën Qafë – Mali apo Fushë – Arëz – Bajram Curr, afër fshatit Miliskajë, duke zbardhë 9 maji i vitit 1998, nga pothuaj gjithkush është besuar se atë e vrau pyetja e tij që ka bërë në në atë mbledhje në Krumë.

Topi është hava. Është hedhë sa andej – këndej. E kanë vra vrasës të Kosovës, e kanë vra vrasës të Shqipërisë. Nuk dihet doraci apo doracët, nuk dihet kush e kreu aktin e vrasjes, por gjithmonë është dyshuar se atë e vrau pyetja e vet dhe vendimi për ta eleminuar është marrë në atë mbledhje ku ai bëri kritika dhe bëri pyetjen e paduhur.

__________

Në foto: Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj