Kukan ka lëshuar kritika të ashpra në drejtim të shefes së Politikës së Jashtme të BE-së dhe kryenegociatores së dialogut Prishtinë-Beograd, Federica Mogherini, duke thënë se nuk ka treguar që ka aftësitë e duhura për të drejtuar diçka.
Sipas tij Mogherini është dashur që të tregohet e ashpër në momentin kur Prishtina ka vendosur taksën ndaj produkteve me origjinë serbe.
“Në momentin kur Kosova ka vendosur taksën për Serbinë, ishte e nevojshme që ajo të udhëtonte atje dhe grushtonte tavolinën”, ka thënë Kukan.
Sipas Kukan, pasuesi i Mogherinit, spanjolli Joesep Borell, do të bëjë një punë shumë më të mirë se Mogherini.
Euro parlamentari ka folur edhe për fazën finale të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ai thotë se çështja e njohje reciproke Kosovë-Serbi përmes idesë së shkëmbimit të territoreve do të rikthehet përsëri në diskutim.
Sipas tij një ide e tillë do të mund të destabilizojë fqinjët, sidomos Bosnjën dhe Hercegovinën.
“Unë pres që çështja e njohjes së Kosovës përmes idesë së shkëmbimit të territoreve do të kthehet prapë. Sido që të jetë, ajo mund të destabilizojë fqinjët e Bosnje e Hercegovinës” ka thënë Kukan teksa ka treguar kundërshtinë e tij për një ide të tillë të prekjes së kufijve.
Për dialogun Kosovë-Serbi dhe finalen që do të konkretizohej me njohje reciproke janë deklaruar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një gjë e tillë është thënë gjatë vizitës së kreut të shtetit serb, Aleksander Vucic, në Washington. Në takimin me Pompeon, Vuçiqit i është thënë që duhet një rikthim i shpejtë në dialog dhe një marrëveshje që finale që do të konkretizohej me njohjen reciproke.
Një kërkesë të tillë për njohje reciproke dhe zgjidhje finale në drejtim të Serbisë është dërguar edhe nga Gjermania e kancelares, Angela Merkel.
Merkel thuhet se i ka dërguar porosi Vuçiqit që të harrojë idenë e shkëmbimit të territoreve e korrigjimit të kufijve.
Se nuk do të ketë asgjë nga një ide e tillë e ka thënë edhe vetë Vuçiq pas kthimit nga Washingtoni dhe pas takimit me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, duke thënë se për Serbinë do të jetë një dimër i vështirë.