Presidenti francez Emmanuel Macron thotë se kontinenti evropian nuk do të jetë kurrë i qëndrueshëm dhe i sigurt nëse marrëdhëniet e tij me Rusinë nuk zgjidhen. Duke folur me diplomatët e huaj pas përfundimit të samitit të G-7-ës në Francë, zoti Macron e pranoi se disa aleatë do të refuzojnë çdo lloj bisedimesh me Rusinë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Gjatë samitit të G-7s, Presidenti amerikan Donald Trump bëri thirrje për rikthimin e Rusisë në grupin elitar nga i cili u përjashtua pas aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Zlatica Hoke sjellë hollësitë. Ndërhyrja e Moskës në Ukrainën Lindore ka rritur tensionet me Perëndimin. Por që nga ardhja në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump ka bërë përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë, dhe duket se ka gjetur mbështetje tek disa udhëheqës evropianë.

“Mendoj se duhet të ndërtojmë një model të ri për sigurinë dhe besimin në Evropë. Kontinenti evropian nuk do të jetë kurrë i qëndrueshëm dhe i sigurt nëse nuk gjen paqe dhe përmirësim të marrëdhënieve me Rusinë. Të jemi të qartë se kjo nuk është në interes të disa prej aleatëve tanë. Disa prej tyre gjithmonë do të bëjnë presion për të vendosur më shumë sanksione ndaj Moskës. Kjo është në interesin e tyre, edhe nëse ata janë miqtë tanë. Por nuk është në interesin tonë”, tha Presidenti francez Emmanuel Macron.

Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Donald Tusk, politikan nga Polonia, kritikoi Presidentin Trump të shtunën për sugjerimin se Rusia duhet të ftohet në takimet e G-7-ës.

“Sot, unë do të përpiqem të bind bashkëbiseduesit e mi se do të ishte më mirë të ftohej Ukraina, si mysafire, natyrisht, në takimin e ardshëm të G-7-s për të dëgjuar mendimin e presidentit të tyre të ri (Volodymy Zelenskiy). Bisedova me të për këtë çështje dy ditë më parë, dhe e di se ai do të ishte shumë i interesuar”.

Britania gjithashtu kundërshton rikthimin e Rusisë në G-7. Marrëdhëniet e Londrës me Moskën u dëmtuan pas helmimit të një ish-spiuni rus në Angli në vitin 2018, një akt flagrant për të cilin Britania fajëson Kremlinin.

Zoti Macron tha se Rusia nuk mund të pranohet në grup si anëtare e plotë për shkak të veprimeve të saj në Britani dhe Ukrainë, por ai tha se largimi i saj nga Evropa është një gabim strategjik, i cili ka bërë që Moska të ndërtojë aleanca diku tjetër. Ai tha se Franca dëshiron ta ndryshojë këtë dhe është e gatshme të veprojë vetë nëse Rusia i plotëson kushtet kryesore në lidhje me konfliktin në Ukrainë.

“Ta themi thjesht, ne nuk jemi një fuqi që konsideron se armiqtë e miqve tanë janë domosdoshmërisht edhe armiqtë tanë apo se e kemi të ndaluar të bisedojmë me ta. Dhe unë mendoj se kjo është fuqia e Francës.”

Zoti Macron tha se përfaqësuesit e Rusisë, Ukrainës, Gjermanisë dhe Francës do të takohen muajin tjetër për të diskutuar rrugët drejt paqes në Ukrainë.

Këshilltari i Presidentit Trump për sigurinë kombëtare, John Bolton u tha ukrainasve të martën të mos prisnin ndonjë zgjidhje nga evropianët

në një kohë të afërt. Gjatë një vizite në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, John Bolton tha se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy nuk duhet të nxitojë me ndonjë veprim në Ukrainën Lindore. Ai gjithashtu tha se Presidenti Trump mund të takohet me zotin Zelenskiy gjatë një vizite në Poloni në fund të javës.