Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se rregullat për shtetasit e ndonjë vendi të Bashkimit Evropian për të jetuar dhe punuar në Britani do të përfundojnë në fund të muajit tetor, nëse Britania largohet nga blloku evropian pa marrëveshje.
Qeveria e ish-kryeministres Theresa May kishte shqyrtuar mundësinë e lëvizjes së lirë deri më 2021, duke përmendur mundësinë e lejimit të qytetarëve evropianë që të qëndrojnë në Britani për tre muaj, para se të aplikojnë për të qëndruar më gjatë.
Meggjithatë, të dyja mundësitë tani janë hedhur poshtë, në këmbim të një qasjeje të re, që pritet të publikohet më vonë.
Konsiderohet se në Britani jetojnë 3 milionë banorë të bllokut evropian.
Bazuar në lëvizje të lirë, aktualisht qytetarët e BE-së mund të jetojnë dhe punojnë në vende tjera të këtij blloku.
Mirëpo kur është pyetur për këtë çështje, Johnson ka thënë se Britania “nuk do të jetë armiqësore ndaj imigrimit apo imigrantëve”.
Sipas tij “imigrimi në Britani do të kontrollohet në mënyrë demokratike”.
Në rast të Brexitit pa marrëveshje, qytetarët britanikë që kanë leje të përhershme të qëndrimit në Britani, e cila fitohet pas pesë vjetëve jetesë aty, nuk do të rrezikohen.
Kryeministri i ri britanik, Boris Johnson ka thënë se do ta largojë Britaninë në këtë datë me apo pa marrëveshje nga blloku evropian, derisa ligjvënësit britanikë janë zotuar se do të rrëzojnë secilën qeveri që tenton të largojë Britaninë nga blloku evropian pa një marrëveshje.
Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.