Banorët në qytetin kufitar me Meksikën, El Paso, janë në zi. Mbrëmë, në një shkollë të këtij qyteti të Teksasit, njerëzit përkujtuan një nxënës që ishte mes viktimave të masakrës të së shtunës. Autoritetet e policisë kanë publikuar një fotografi të të dyshuarit për sulmin, 21 vjeçarit që akuzohet se u mori jetën 22 personave. Prokuroria tha se do të kërkojnë dënim me vdekje për Patrick Crusius, nëse ai shpallet fajtor.

15 vjeçari Javier Amir Rodriguez ishte në prag të fillimit të vitit të dytë të shkollës së mesme, përpara se jeta e tij të merrte fund. Ai ishte mes viktimave në sulmin me armë në El Paso të Teksasit, incident që dyshohet se ishte motivuar nga urrejtja racore.

Në nderim të tij dhe viktimave tjera që u ekzekutuan në një qendër tregtare, shumë qytetarë u mblodhën në shkollën e mesme Horizon, ku mësonte viktima.

“Ende nuk më besohet se Javieri dhe e e gjithë rinia e tij, dashuria dhe pasioni për jetën nuk janë më me ne. Energjia e tij pozitive ndjehej nga të gjithë ata që e rrethonin. Me një buzëqeshje të lehtë dhe shikimin e tij, Javieri gjithmonë ka dhënë ngrohtësi”, thotë Adrian Barrios, njëri nga mësuesit.

Ish ligjvënësi nga Teksasi, tani kandidat demokrat për president, Beto O’Rourke, mbajti poashtu një fjalim përpara të pranishmëve në shkollën e tij të dikurshme.

“Pavarësisht mungesës së tolerancës, urrejtjes dhe dhunës, ky komunitet bashkohet për të treguar forcën e jashtëzakonshme që nuk besoj se ky vend dhe bota e ka parë ndonjëherë”, ishin fjalët e kandidatit presidencial nga radhët e demokratëve, Beto O’Rourke.

Juan Martinez, është mbikëqyrës i kësaj shkolle.

“Jo fëmijët tanë. Ju lus. As edhe një më shumë”, tha ai.

Stadiumi i shkollës ishte i ndriçuar me drita dhe bashkënxënësit interpretuan këngë.

“Kur e dëgjova lajmin, nuk më besohej. Nuk doja ta shihja. Pastaj më lajmëroi një familjar”, tha Sean Cereceres, shok i viktimës.

“Më ka thyer zemrën. Nuk më besohet. Kemi bërë shumë çmenduri së bashku”, tha Raul Delarosa.

Hapësira afër qendrës tregtare “Walmart” ku ndodhi sulmi, është kthyer tashmë në një pikë përkujtimore. Tmerrin e asaj që ndodhi këtu e përshkruan Jimmy Villatoro, që ishte dëshmitar i rastit.

“Ishte çmenduri. Kishte trupa gjithandej, njerëzit vraponin jashtë dyqanit. Trupat e vdekur kishin mbetur në tokë. Ishte e tmerrshme”, tha dëshmitari Jimmy Villatoro.

Policia në Teksas ka publikuar një fotografi të autorit të masakrës në El Paso, 21 vjeçarit Patrick Crusius, i akuzuar për vrasje të 22 personave në qytetin kufitar me shumicë hispanike.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott tha se masakra duket se ishte një krim i urrejtjes racore. Policia përmendi një dokument të ashtuquajtur “manifesti i bardhë”, të postuar në internet pak para fillimit të sulmit.

Një prokuror i Teksasit tha se shteti do të kërkojë dënimin me vdekje.