“Të gjithë hajdutët e rëndomtë vjedhin dhe ndalen derisa t’i harxhojnë paratë e vjedhura, por këta politikanët e Kosovës nuk u ndalen asnjëherë në vjedhjen e shtetit”, kështu e tha një mik i imi, pas një debati të hapur për situatën politike në vendin tonë.
Shteti i Kosovës tatpjetën e madhe e filloi ditën e rikonfirmimit të pavarësisë me 17 shkurt 2008. Shpallja “multietnik” e shtetit më etnik në kontinent dhe mveshja e simbolit (flamurit) antikombëtar dhe hymnit pa tekst e pa ndjenja kombëtare, ishte paralajmërimi më i keq i zhbërjes së shtetit. Nga ky moment fillon thyerja shpirtërore e atdhetarëve dhe idealistëve që kishin projektuar ndryshe themelet e shtetit të Kosovës.
Zhbërjen e shtetit të Kosovës e filluan këta liderë partiakë dhe kjo klasë kusarësh të pangopshën politik, që rropën e ç’ropën gjithçka nga pasuria shtetërore dhe publike.
Nga paslufta e deri më sot, kjo klasë e çoroditur politike në vazhdimësi dëmtuan shtetin duke ua thyer shpresat dhe bërë jetën ferr qytetarëve në shtetin e lirë e të pavarur, të larë në gjak në luftën e fundit çlirimtare.
Dy gjëra nuk shkojnë bashkë; edhe milionerë edhe patriotë, edhe çlirimtarë edhe hajdutë!
Politikanët e pasluftës duke vrapuar pas grabitjes së posteve pushtetore, pas pas interesit personal të përfitimit material dhe pasurimit enorm nga plaçkitja e shtetit dhe qytetarëve (mërgimtarëve), e sollën shtetin buzë greminës, ndërsa popullit i shkaktuan varfëri, mjerim dhe përçarje deri në përmasat e shkatërrimit të çdo vlere kombëtare dhe njerëzore.
Pushtetarët e inkriminuar të zhytur në luksin e pushtetit, pa asnjë të arritur në zhvillimin ekonomik të vendit, po mendojnë që ta mbajnë përjetësisht pushtetin, thuajse Kosova është pronë private e tyre.
Ndarja fatale në “krah të luftës” dhe “krah të paqes”
Ndarja e spektrit politik kosovar në krah të luftës dhe në krah të paqes, përkatësisht në çlirimtarë dhe pacifist, e ka shkaktuar përçarjen më fatale dhe të tmerrshme të popullatës.
Analizuar me qetësi periudhën e paraluftës, të luftës dhe pasluftës, është politika paqësore ajo që ndërtoi themelet e shtetit, është krahu paqësorë që bëri luftën çlirimtare, ndërsa i ashtuquajturi “krahë” i luftës i mori meritat e paqëna të luftës çlirimtare.
“Krah i luftës” dhe veteranë u bënë ata që nuk luftuan fare dhe ata që ishin në anën e kundërt, ndërsa ata që bënë më së shumti për vendin injorohen dhe përbuzen nga njerëzit e pushtetit.
Një grup njerëzish të papërgjegjshëm, duke u thirrur në emrin e luftës çlirimtare, abuzuan me fondet e luftës (me “3 përqindëshin” dhe “Vendlindja Thërret”), kapën pushtetin duke u thirrur në gjakun e dëshmorëve dhe sakrificat sublime të familjeve shqiptare, dhe përseri tani duan ta mbajnë në pafundësi pushtetin në emër të vlerave të luftës, në emër të vlerave sublime të kombit tonë.
Sikurse i ashtuquajturi “krahu paqes” i ditëve të sotme, i ish komunistëve të konvertuar në demokrat, që po mundohen të përvetësojnë vlerat e një lëvizje paqësore të viteve të ’90-ta, ashtu edhe i ashtuquajturi “krahu i luftës”, nga “komandant” largë vijave të frontit po mundohen të përvetësojnë meritat e luftëtarëve të vërtetë që u sakrifikuan për lirinë e vendit tonë.
Demoluesit e vlerave njerëzore dhe kombëtare
Të dy krahët e sipërpërmendur, i “luftës dhe paqës”, siq ishin bashk në vjeljen e fondeve të luftës, përseri pasluftës u bën bashk në qeverisje për vjedhjen e shtetit.
Në fakt, janë këta dy krahë që nuk mud të ndahen dot nga njëri tjetri. Edhe kur i ndan pushteti, i bashkon interesi personal në zhvatjen e milionave të shtetit në borde dhe agjenci, në tendere dhe komisione parlamentare.
Për të dëshmuar këtë që ceka më sipër, lexuesve po ua ilustroj një shëmbull praktik. Ish kryetari i Fondit të 3 përqindëshit për Itali, z. Arsim Berisha, gjatë qeverisjes Thaçi-Mustafa kishte ushtruar dy funksione njëkohësisht; këshilltarë i kryeministrit Isa Mustafa dhe kryesues i bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave të Kosovës.
Mirëpo, edhe pas rënjes së ‘Qeverisë Mustafa’, i njëjti (Arsim Berisha), edhe pse jo ekspert në fushën e hekurudhave, mbeti deri në ditët e sotme kryesues i bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave të Kosovës, mekanizëm ky i panevojshëm dhe aspak profesional, i shpikur për militantët dhe urithët e nëntokave partiake, jo për të kontribuar në sektorin e hekurudhave, por për të zhvatur milionat e “investimeve” në hekurudhat e vdekura të Kosovës.
Ky ishte vetëm një segment i shkurtër i kapjes së shtetit dhe një nga qindra raste të bashkëjetesës së drejtuesve të fondeve të luftës në borde dhe agjensi zhvatëse të buxhetit të shtetit.
Janë këta dy krahë të zi që zbrazën xhepat dhe abuzuan me djersën e mërgimtarëve, që shkelën mbi gjakun e dëshmorëve dhe tani po e zhbëjnë shtetin në themel për interesat e tyre personale dhe klaneve të tyre mafioze.
Përderisa dallimi mes “krahut të luftës” dhe “krahut të paqes” është shumë i vogël, dallimi me qytetarëve dhe pushtetarëve është i madh.
Përderisa qytetarët dhe mërgimtarët e ndershëm dhanë gjithçka patën për lirinë e vendit, kusarët politik morën gjithçka, pa dhënë asgjë nga vetja e tyre për shtetin e Kosovës.
Si pasojë e ndarjeve të thella mes politikanëve dhe qytetarëve, përkatësisht largimit të politikanëve nga interesat e qytetarëve, në Kosovën e pasluftës janë krijuar dy shtresa të skajshme të shoqërisë; shtresa supër e pasur e familjeve të pushtetarëve dhe shtresa supër e varfër e qytetarëve të rëndomtë që nuk janë pjesë e këtyre dy krahëve dhe oligarkisë kriminale.
Pra Kosova, është shteti që po zhbëhet nga politikanët dhe po zbrazet nga qytetarët e saj, thuajse ta ketë mallkuar Zoti!
Jo, kjo situatë dëshpruese në shtetin e lirë 20 vjet pas çlirimit, nuk është vepër e Zotit, por është vepër e maskarenjëve të veshur me petkun e pushtetit, e kriminelëve dhe hajdutëve që Kosovën e kanë kthyer në plaçkë lufte, derisa ta zhbëjnë në themel shtetësinë e saj.
Qytetarët që po largohen nga shteti i Kosovës, janë shpirtëra të thyer me shpresa të humbura, janë atdhetarë që iu rezistuan të gjitha situatave dhe stuhive të kohës gjatë pushtimit serbosllav, por që nuk po mund i përballojnë shkatërrimit të vendit nga klasa e kusarëve politik shqipfolës, të shndërruar në varrëmihës të ardhmerisë dhe demolues të vlerave njerëzore dhe kombëtare.
25.07.2019