ALPET TA JAPIN TË QESHURËN PLOT DRITË

1.
Çou, o Nikoll Vatnikaj,
Në këtë Natë të Shënkollit!
Ngjitemi në Curraj të Epërm…
Atje është tjetër botë.
Atje është kohë tjetër.

Aty Alpet të japin të qeshurën plot dritë.
Aty lumi i Currajve t’i hapë sytë.

Aty rrjedh mjalti i dymijë luleve.
Aty rritesh dymijëvjeçarë.

Aty këndon me lahutën e moçme,
Kangë me kreshnikë, për mërgimtarë…

2.
Nikoll, të nisen këto male alpine,
U rrite në kryeqytet, u gradove komisar…

Në këto Alpe të mbeti emri, fjala, zemra…
Në kulla e pisha, në çdo gur’, lule e barë…
Ti gjithmonë do i mbetesh vendlindjes, ndër kohëra,
Fytyrëqeshur. Faqebardhë.
Ti do të jeshë një ndër krushqit e parë…!

Ramiz LUSHAJ

Tiranë, 5 dhjetor 2017