Aplikacion i telefonave “smart” që transformon fytyrën e përdoruesve në të moshuar, ka bërë që senatori demokrat Chuck Schumer të kërkojë një hetim federal.
Rritja e popullaritetit të FaceApp mund të shoqërohet me pasoja të rënda financiare.
Reagimi i tij vjen pas dyshimeve që ky aplikacion i bërë nga një kompani ruse po paraqet rrezik potencial kombëtar dhe privat për miliona amerikanë.
“Do të ishte shumë shqetësuese nëse informatat e ndjeshme personale të qytetarëve të SHBA iu shpërndanë një fuqie të huaj armiqësore, e cila është e angazhuar në sulme kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara”, tha Schumer në një letër drejtuar FBI-së dhe Komisionit Federal të Tregtisë.
Edhe pse avokatët e privatësisë ngritën shqetësime për sigurinë, nga ky aplikacion u joshën mijëra persona – përfshirë edhe të famshmit. Deri të mërkurën, FaceApp kishte kryesuar listat e shkarkimit të aplikacioneve në Apple dhe Google.