Sot, në kuadrin e Festës të 243 Vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe në rastin e vizitës me 5 korrik 2019 në Tropojë të kongresmenit amerikan Eliot Engel – kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan, “Botimet Tropoja” sjellin për lexuesit librin studimor “Eliot Engel flet Shqiptarisht” të studiuesit, publicistit e botuesit Ramiz Lushaj.
Redaktor i këtij libri është Halil Ahmeti në Gjakovë, studiues, publicist e veprimtar, zv/drejtor për Kosovën i Gazetës së Alpeve dhe kryetar i Shoqatës “Drini” Gjakovë-Shkodër (për “Korridorin Adriatik-Alpe”).
Nesër, më 5 korrik 2019, Rruga Nacionale Gjakovë-Tropojë në dyshtetshin shqiptar Kosovë-Shqipëri, me një ceremoni solemne e festive në Qafë të Morinës, do të pagëzohet me emrin e mikut të shquar të Shqiptarëve “Eliot Engel” e, në kët kuadër, do të ketë dhe veprimtari të ndryshme shtetërore edhe në Qytetin e Alpeve të Bajramcurrit dhe në Valbonën turistike.
Në kopertinën e pasme të librit shohim një thënie të personalitetit shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari – Nderi i Kombit, thënë këto ditë (13.06.2019) në TV 7 në Prishtinë: “Kongresisti Engel më ka thënë se tri qëllimet e jetës së tij janë mbrojtja e Amerikës, Izraelit dhe e Shqiptarëve”.
Recensentë të librit studimor “Eliot Engel flet Shqiptarisht” janë Besmir Semanaj në Malësi të Madhe, Xhevit Hysenaj në Durrës e Ali Daci në Rrozhajë në Malin e Zi.
Ky libër studimor “Eliot Engel flet Shqiptarisht” vjen si një botim modest me 60 faqe nga Botimet Tropoja, në kuadrin e këtyre ngjarjeve e veprimtarive, vjen si mision, vjen si dëshmi e miqësisë mes Shqipërisë e SHBA, vjen si mirënjohje ndaj Amerikës e të nderuarit Eliot Engel, kongresmen amerikan, mik i madh i Shqiptarëve në SHBA.