Rruga nacionale Gjakovë-Tropojë mori emrin e kongresmenit amerikan, mikut të çmuar të shqiptarëve, Eliot Engel. Në Qafë Morinë, kufirin mes Gjakovës e Tropojës, me pjesëmarrjen e Eliot Engel, presidentit shqiptar Ilir Meta dhe kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjini e atij të Tropojës, Besnik Dushaj, u mbajt ceremonia e veçantë e emërtimit të kësaj rruge.
Kryetari i Tropojës, Besnik Dushaj, tha se vendimi ishte marrë bashkërisht nga bashkia që drejton dhe Komuna e Gjakovës për të nderuar kontributin e kongresmenit që shqiptarët në të dyja anët e kufirit të jenë të lirë dhe më të bashkuar.
Dushaj: Nderojmë Engel përmes emërtimit të rrugës Tropojë-Gjakovë
“Këtu në Qafën e Morinës, në qafen e historisë, në vendin simbol të shqiptarëve në të dy anët e kufirit jemi sot për të përjetësuar veprën e një personaliteti të shquar amerikan dhe një miku të madh të popullit shqiptar, kongresmenit Eliot Engel nëpërmjet dhënies së emrit të tij rrugës nacionale Tropojë-Gjakovë e cila bashkon Republikën e Shqipërisë me Republikën e Kosovës. Emri i kongresmenit Eliot Engel është i njohur për çdo shqiptarë. Ka 30 vjet që është anëtar i organit më të lartë legjislativ në Shtetet e Bashkuara të Kongresit amerikan po aq 30 vjet është miqësia e tij me shqiptarët”, deklaroi kru i Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj.
Dushaj më pas nderoi kongresmenin Engel me titullin “Qytetar nderi” i Tropojës për kontributin historik në forcimin dhe konsolidimin e miqësisë shqiptaro-amerikane dhe çështjes shqiptare.
Ndërsa kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, tha se kjo rrugë tashmë merr peshë tjetër pas emërtimit me emrin e Eliot Engel. Ai tha se Gjakova dhe Tropoja do ta mbajnë me nder dhe krenari këtë emër.
Kreu i Komunës theksoi se tha se për shkak të kontributit të kongresmenit dhe SHBA-së gjaku i djemve dhe vajzave që kanë rënë për liri nuk ka shkuar kot dhe se shqiptarët nuk do ta harrojnë asnjëherë emrin e Eliot Engel.
Gjini: Do ta mbajmë me nder emrin e Eliot Engel
“Gjakova dhe Malësia e Gjakovës ka qenë një trup i ndarë në dysh me dhunë për një shekull. Një trup i cili nuk ka mundur të funksionojë i ndarë. Tani jemi në kufi, por ky kufi nuk ndanë më. Ky kufi i bashkon vëllezërit, i bashkon njerëzit të cilët janë të lidhur familjarisht, miqësisht dhe gjitha mënyrat e tjera me njëri-tjetrin. Sot e kemi një lidhje edhe më të rëndësishme për shkak se një rrugë e cila e lidh këtë trup, e kemi quajt më plotë kënaqësi dhe me gjithë vullnetin me emrin tuaj, Eliot Engel. Kjo është diçka e jashtëzakonshme për ne, ne kemi me e mbajt me nder gjithmonë”, deklaroi Gjini.
Presidenti shqiptar, Ilir Meta, ishte i pranishëm në këtë ceremoni. Ai tha se emri i Eliot Engel është i gdhendur në zemrat e të gjithë shqiptarëve kudo ku ata ndodhen.
Kreu i shtetit shqiptar deklaroi se ka një lidhje të fortë mes Engel dhe shqiptarëve dhe kjo vihet re edhe në zyrën e tij ku është e vendosur deklarata e pavarësisë.
Ai deklaroi se përpjekjet e Engel për njohjen e shtetësisë së Kosovës janë shtrirë në të gjithë botën.
Meta: Emri i Eliot Engel është i gdhendur në çdo zemër shqiptare
“Sa herë ne shkojmë në zyrën e tij (Engel) gjithmonë do ta takojmë Shqipërinë, Kosovën dhe historinë e shkëlqyer të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Ndaj mirënjohjen më të madhe bashkive Tropojës dhe të Gjakovës që i kanë vendosur kësaj rruge emrin e Eliot Engelit, por jam i sigurt se emri i Eliot Engel është i gdhendur në çdo zemër shqiptare që rreh shqip këtu në Malësinë e Gjakovës, në Nju Jork, në Shqipëri, Kosovë dhe gjithandej në trojet tona dhe kudo në botë. […] 5.58 Kudo në gjithë botën e kam ndjerë kujdesin dhe përpjekjet e tij për njohjen e Kosovës në të gjithë botën. Kam një kujtim shumë të bukur nga Hondurasi atë ditë ku po festonin bashkë me ministrin e Jashtëm të Hondurasit njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe ai ishte shumë i lumtur që urimin e parë e kishte marrë nga kongresmeni Eliot Engel për këtë akt që bëri Hondurasi”, deklaroi Meta.
Shumë i lumtur dhe i nderuar është shprehur kongresmeni Eliot Engel. Ai tha se respekti që të bëjnë shqiptarët nuk e bën asnjë popull tjetër në botë.
Kongresmeni amerikan deklaroi se është vërtet kënaqësi të shohësh kur emërohet diçka sipas emrit tënd kur ti je ende gjallë.
Engel: Askush nuk të respekton si shqiptarët
“Është më të vërtetë një nder kur diçkaje i vihet emri yt dhe për më tepër të jesh gjallë kur ndodhë kjo sepse kur kjo ndodhë pasi ti ke vdekur është e mrekullueshme por nuk ke mundësi që ta shohësh së gjalli. Më lejoni gjithashtu të falënderoj miqtë mi z. Bajrakatari dhe zotëri Geci të cilët kanë pasur mundësitë të hapin sytë e mijë për kombin e mrekullueshëm shqiptar. U them miqve të mijë në Uashington ti mund të udhëtosh në të gjithë botën si amerikan por askund nuk ke për t’u trajtuar më mirë se sa trajtohesh nga miqtë tanë shqiptarë”, tha ai.
Kryesuesi i Komisionit për Punë të Jashtme në Kongresin amerikan tha se miqësia mes popullit të tij dhe shqiptarëve do të jetë e përjetshme dhe se SHBA, Shqipëria e Kosova si aleatë qëndrojnë përkrahë lirisë e demokracisë.
Engel: SHBA, Shqipëria e Kosova gjithnjë miq e aleatë
“Shtetet e Bashkuara, Shqipëria e Kosova gjithnjë do të mbesin miq dhe aleatë sepse shtetet e Bashkuara, Shqipëria e Kosova qëndrojnë krah lirisë, demokracisë dhe për gjërat që kanë qenë më keq këtu në Ballkan shumë vite më parë populli shqiptar nuk e humbi asnjëherë shpresën dhe populli amerikan nuk e humbi kurrë mundësinë e tij për të ofruar ndihmë atyre që ishin në nevojë”, vijoi Engel.