Pas afro dy vitesh në hetuesi, në burgun e ftohtë e të errët 313 në Tiranë, e shtruar disa herë në spitalin psikiatrik, tim atë nuk e lejuan as të komunikonte, e as të na shkruante edhe ndonjë letër. Ashtu si mijra e mijra ish të dënuar politikë të Shqipërisë gjatë periudhës së rregjimit komunist, kaloi dimrat e ftohtë nën një izolim të plotë, pa shtresë e mbulesë. Im atë ishte intelektual i formuar, por si për qindra akademistë të dënuar të asaj kohe, ky term nuk përbënte asnjë sukses për kohën e atij rregjimi të egër.
E dënuan nën nenin agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, si armik i popullit. Një periudhë të këtij dënimi e kreu në “kampin e punës” Ballsh. Aty ku po ndërtohej rafinieria e naftës.
Kur tim atë sapo e dërgojnë me kamionin e burgut, lidhur me hekura e të shoqëruar me katër policë në burgun e Ballshit, si njeri i rrezikshëm, kosovar i pathyeshëm, e që ishte për Shqipërinë etnike, e përplasin në dyshemenë e këtij burgu afër ish të dënuarve të tjerë. Dikush nga të burgosurit e njeh tim atë, e i tregon në mes të tjerëve edhe nipit të gjeneralit malazez Veshoviq, se në këtë burg kishin sjellë për dënim edhe nipin e Isa Boletinit.
Gjenerali malazez – Veshoviq, kishte pas qenë gjenerali që dha urdhër të pushkatohej Isa Boletini me luftëtarët e tij, në janar të vitit 1916 në Podgoricë. Svetko, quhej nipi i gjeneral Veshkoviqit, që edhe ky po vuante dënimin në burgun e Ballshit. Dikur e kishim patur edhe komshi, afër pallatit ku jetonim në Tiranë. Atje jetonte me gjithë të shoqen greke Kristinën e vajzën Svetllana, nja dy blloqe larg nesh. Kristina ishte rrobaqepëse shumë e zonja, arnonte rrobat e lagjes, e i bënte njëlloj si të reja. Njihej nga të gjithë për duart e saj të arta, por sigurisht këtë profesion e ushtronte fshehurazi e në njerëz të besuar. Por nuk e lanë me kaq, sigurimi i shtetit, i a gjeti anën duke arrestuar të shoqin Svetkon, të cilin edhe atë rregjimi i asaj kohe e dënoi për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.
Kur Svetko mëson nga ish i burgosuri tjetër që, në burgun e Ballshit sjellin për të vuajtur dënimin edhe nipin e Isa Boletinit – Enver Dajçin bën protestë. Menjëherë shkon në drejtorinë e burgut e kërkon mbështetje ligjore, duke thënë se këtu nuk e kam jetën të sigurt, pasi këtu është sjellë për të vuajtur dënimin edhe nipi i Isa Boletinit, Enver Dajçi, të cilin xhaxhai im e vrau në vitin 1916 në Podgoricë.
Im atë kur u njoh me këtë situatë me gjakftohtësinë më të madhe shprehet: “Unë nuk jam hakmarrës. Por do të vijë ajo ditë kur Shqipëria do të jetë e bashkuar me trojet e saj, e ato krime do ti dënojë historia, e jo unë”. E më pas shtoi: “Svetkon nuk e pyeti xhaxhai i tij gjeneral Veshoviqi, a ta vras apo mos ta vras Isa Boletinin me trimat e tij, sepse ai ishte akoma fëmijë. Ky nuk ka faj, e unë nuk jam gjykatës ta dënoj për atë krim. Për mua Svetko të rrojë edhe njëqind vite të tjera, e mos të ketë aspak frikë nga unë”. Pas këtyre fjalëve në komandën e “kampit” Ballsh tim atë e ridënojnë.
Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ndërsa Svetko pasi kryen dënimin e del nga burgu, vdes pas disa vitesh në shtëpinë e tij pranë gruas Kristinë e vajzës Svetllana në Tiranë.
Ky është vërtetë një episod i shkurtër mes tim eti e një malazezi me duar të lidhura, por që tregon qartë se kosovarët, nuk ishin e nuk e janë hakmarrës, por njerëz vital që mbrojnë jetën, e kërkojnë drejtësi e paqe.
New York, Janar
(Autorja është një nga pasardhëset e familjes së Boletinëve)