Bashkëkombësit tanë që jetojnë e punojnë në Suedi, pos përkrahjes së vazhdueshme për institucionet komunale të shtetit të Kosovës, po gjejnë mundësi të përkrahjes edhe për institucionet e Republikës së Shqipërisë. Kështu që, në 20 vjetorin e rënies në altarin e lirisë, të heroit Sali Çekaj, të organizuar në Shoqatën Kulturore Sportive “Liria” në
Vaxjo të Suedisë, e së bashku me Shoqatën “Sali Çekaj” në Zvicër, kanë ndërguar një kontingjent me materiale dhe pajisje mjekësore, për në Spitalin e Bajram Currit. Këtë gjë e konfirmon, Xhafer Balaj, njëri nga bashkatdhetarët që nuk kursen asgjë nga vetja e tij. Balaj ka treguar se kontingjenti i sjellë në Tropojë, përkatësisht në spitalin e Bajram Currit, që kap vlerën rreth 140 mijë euro, ndërlidhet me 20 vjetorin e rënies në altarin e lirisë, të heroit Sali Çekaj. Sipas Balaj, kontingjenti i përgatitur nga bashkatdhetarët tanë, populli suedez, por edhe të nacionaliteteve tjera, nuk do mund të arrinte në destinacionin e caktuar, për në Shqipëri, pa mbështetjen financiare të Shoqatës Sali Çekaj dhe tropojanin Aranit Malaj, të cilët kishin hjekë gjitha shpenzimet e transportit. “Falënderojmë gjithë ata që nuk kursejnë paranë nga xhepat e tyre, që kishte edhe të komuniteteve tjera që jetojnë e punojnë në Suedi”, është shprehur Balaj, duke thënë se do vazhdojnë edhe në të ardhmen për të ndihmuar komunat e Kosovës dhe Shqipërisë. Ai, ka bërë të ditur se pjesa e mbetur e parave të grumbulluara, do epen si donacion për të njëjtin spital të Bajram Currit. “Përkrahja e institucioneve të shëndetësisë do jenë në prioritet, sikurse që nuk do anashkalohet edhe kategorinë e margjinalizuar”, ka nënvizuar Balaj, i cili për të satën herë udhëton nga Suedia për në Kosovë, që të sjellë kontingjente të ngjashme nëpër shumë komuna të Republikës së Kosovës.