NatWest ka krijuar kartën e parë bankare biometrike në Angli, e cila do t’u lejojë njerëzve të verifikojnë pagesa mbi 30 paund, pa nevojën e vendosjes së PIN-it. 

Ajo do të verifikojë pagesat me karta duke përdorur gjurmën e gishtave të pronarit dhe do të përdoret nga 200 klientë në Britani. Kartat bankare të përdorura në provë do të ruajnë informacionin që do të thotë që njerëzit mund të verifikojnë pagesat duke e vendosur gishtin e tyre mbi një kuti në kartë.

Ajo pastaj do të përdoret deri në fund, në çdo procedurë pa qënë nevoja për të vendosur pinin. Për më tepër, ndoshta duke qenë më e thjeshtë se aksesi me PIN, kjo teknologji mund të ndihmojë potencialisht njerëzit që kanë vështirësi në kujtimin e kodeve numerike dhe mund të jenë të dobishme për klientët e pambrojtur. Ky është zhvillimi më i madh në teknologjinë e kartave në vitet e fundit, dhe ne jemi të parët të cilët testojmë një teknologji të tillë, u shpreh kompania e cila ka krijuar kartat.

Duke përdorur një gjurmë gishtash në vend të PIN për të autorizuar transaksionet ka shumë përparësi, kryesisht siguri dhe lehtësi më të madhe. Mbajtësit e kartelave mund të paguajnë shpejt dhe lehtë me një prekje të thjeshtë dhe ata nuk kanë më nevojë të shqetësohen për kufirin për transaksionet e pagesave pa kontakt. NatWest tha se ka punuar ngushtë me kompaninë digjitale të sigurisë Gemalto së bashku me Visa dhe Mastercard për të sjellë shërbimin tek konsumatorët në Mbretërinë e Bashkuar.

Kartat e Gemalto janë të njëjta si çdo kartë tjetër bankare, me të vetmin dallim të dukshëm që është prania e një sensori të vogël në anën e djathtë. Konsumatorët duhet të regjistrojnë vetëm gjurmët e gishtave duke përdorur një pajisje që do t’u lejojë atyre ta bëjnë atë kudo.