Mungesa e mesfushorit Granit Xhaka tek Arsenali po e bën këtë skuadër shumë më të dobët. Kështu shkruan mediumi “Goal” për reprezentuesin e Zvicrës që mungoi në humbjen e Arsenalit nga Evertoni në Premier Ligë.
“Topçinjtë” pësuan sot 1 me 0 duke mos e shfrytëzuar rastin për të mbajtur pozitën e tretë dhe distancën në garën për “Champions”. Ylli shqiptar mungoi për shkak të lëndimit.
“Goal” shkruan se kjo pritej të ishte dita kur Arsenali do të tregonte se i ka muskujt për të ikur në garën për top-katërshe. Megjithatë, skuadra kthehet në Londër me pikëpyetje se a ka kapacitetet për të mposhtur Chelsean e Manchester Unitedin në këtë garë.
Edhe pse ishin të mrekullueshëm në dhjetë fitoret rresht në Emirates në Premier Ligë, sipas “Goal”, “Topçinjtë” ishin larg nga forma në Godison Park, me mesfushën që dështoi totalisht.
“Granit Xhaka ka qenë gjithmonë një futbollist që ka ndarë opinionet në Londrën e veriut, por reprezentuesi zviceran është bërë figurë tejet me ndikim në sezonin debutues të Unai Emeryt. Ndoshta komplimenti më i madh që mund t’i jepni atij është që Arsenali duket skuadër shumë më e dobët kur ai s’është në skuadër dhe kjo ndodhi edhe sot në Merseyside kur vizitorët mbetën nën hijen e nikoqirëve”, shkruan “Goal”.
Me Xhakën jashtë fushës për shkak të lëndimit në kofshë dhe me Lucas Torreiran akoma të suspenduar, Emery luajti me Mohamed Elnenyn dhe Matteo Guendozin në mesfushë duke lënë jashtë Aaron Ramseyn. Sipas “Goal”, ky vendim u kthye në dështim. Ishte vetëm starti i tretë në Premier Ligë sivjet për Elnenyn dhe ai sërish nuk impresionoi në ndeshje. “Goal” vë në dyshim se ai do të paraqitet më para se të shitet gjatë verës.
Në krahasimin mes Xhakës e Elnenyt “Goal” ka thënë se reprezentuesi i Zvicrës menjëherë shikon të nisë lojën përpara drejt sulmit, ndërsa egjiptiani mendon duke e kthyer topin prapa.
Xhaka pritet të jetë gati për Arsenalin për ndeshjen e së enjtes në Ligën e Evropës ndaj Napolit.