Zyra e Bashkëpunimit Rajonal Rinor me qendër në Tiranë, RYCO nuk e ka të lehtë luftën kundër ndarjes që sjellin paragjykimet e koha e luftës në Ballkan. Retorika nacionaliste partiake ndikon negativisht tek të rinjtë.
Paqja në Ballkanin Perëndimor,(BP) është sot rezultati më i ҫmuar, 20 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s në Serbi dhe mbarimit të luftës së Kosovës. Po kaq e ҫmuar është perspektiva europiane drejt të cilës rajoni ka zgjedhur të ecë: Bosnjë-Herzegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia Veriore, Serbia dhe Shqipëria kanë hyrë në procesin e pranimit në Bashkimin Europian, (BE). Por trashëgimia nga e kaluara, konfliktet dhe hija e luftës janë ende gjallë në rajon. Paragjykimet, ndarja në “ne dhe ata”, vazhdojnë të ngrenë krye dhe të pengojnë procesin e pajtimit, bashkëpunimin mes njerëzve në rajon, jetike për të ardhmen e tij.
Rëndësia e Procesit të Berlinit për bashkëpunimin rajonal
Rëndësinë e pajtimit rajonal e nxorri për herë të parë në pah, Procesi i Berlinit, nisma diplomatike e kancelares Angela Merkel, në verën 2014. RYCO, (Regional Youth Cooperation Office), me seli në Tiranë, që u ngrit 2 vjet më pas, në 2016-n, është produkti më i prekshëm i Procesit të Berlinit. Kjo zyrë, e themeluar si një organizatë ndërqeveritare nga 6 qeveritë e BP, me partner mediatik Deutsche Welle, synon ta bëjë rininë promotor të pajtimit dhe përshpejtimit të bashkëpunimit politik dhe ekonomik në rajon, faktorë me rol vendimtar në garantimin e paqes dhe zhvillimit në BP.
Blanuša- Paqe e ftohtë në rajon, mungesa e luftës nuk mjafton
Sfidat e RYCOs për ta realizuar këtë synim janë të shumta dhe jo të lehta. Sekretari Përgjithshëm i RYCO, Djuro Blanuša, në bisedë me DW, vendos në krye të tyre përballjen me situatat politike me ulje- ngritje në rajon. “Keminjë paqe të ftohtë tani në rajon, që është larg nga pajtimi i vërtetë. Mungesa e luftës nuk është pajtim. Nuk mjafton vetëm të mos luftosh njëri tjetrin në BP. Duhet bashkëpunim pa patur asnjë lloj frike, urrejtje dhe paragjykim”, thotë për DW, Djuro Blanuša.
Rasti më i freskët i ndikimit të situatave politike në punën e RYCOs është shkarkimi, kohët e fundit, nga Qeveria e Serbisë i Milica Škiljević, përfaqësuese e rinisë serbe në Bordin Drejtues të RYCOs, kontribuese e përkushtuar për bashkëpunimin mes rinive në rajon. Shkarkimi saj u bë ngaqë Milica Škiljević kishte konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e Bordit Drejtues të RYCOs, që do të mbahej në Prishtinë, pasi këtë vit presidencën e RYCOs e ka Kosova, sipas rotacionit mes 6 vendeve të BP. Marrëdhëniet e tensionuara politike Beograd- Prishtinë sollën anulimin e takimit të Bordit, pasi nuk pati kuorumin e duhur për vendim-marrje dhe Serbia nuk kishte asnjë përfaqësues.
Efekti negativ i narrativave partiake ballkanike
Por situatat politike dëmtojnë shumë më tepër se një mbledhje bordi. Të kombinuara me narrativat e partive politike ato formojnë paragjykimet e rinisë për bashkëmoshatarët e tyre përtej kufirit. “Nëse pyeten të rinjtë, pse kanë paragjykime për bashkëmoshatarët e tyre në vendet fqinjë të rajonit do të kuptosh, që ato janë grumbulluar nga ligjërimi i partive politike dhe sidomos media që ka forcë të madhe ndikuese në mendjen e rinisë. Vazhdon të jetë gjallë ideja se dikush që vjen nga Beogradi në Tiranë mund të lëndohet dhe anasjelltas. Ka mungesë informacioni, ka propagandë prej një kohe të gjatë. Paragjykimet dhe urrejtjen të rinjtë dhe të rejat e marrin edhe në familjet e tyre, nga prindërit që kanë jetuar luftën. Është shumë e ҫuditshme sesi ata bëhen edhe më konservatorë se prindërit. Kjo është situata që duam të ndryshojmë,” thotë Djuro Blanuša.
Qëndrim konstruktiv ndaj së shkuarës
RYCO synon të largojë paragjykimet përmes zhvillimit të programeve dhe aktiviteteve rajonale, nga të cilat rinia në rajon përfton përvojat e veta, reale, konkrete dhe ka mundësi të njohë të shkuarën.
“Sa herë që të rinjtë dhe të rejat udhëtojnë në rajon dhe kanë rastin të takojnë bashkëmoshatarët e tyre, ata kanë vetëm përvoja pozitive dhe mirëkuptim të ndërsjelltë. Aktivitetet e RYCOs synojnë t’u japin atyre kohën dhe hapësirën e duhur, mjedisin e sigurtë për të biseduar ҫfarë ndodhi në rajon, për të shprehur mendime, për të debatuar pa urrejtje dhe paragjykime. Qëndrimi konstruktiv ndaj së shkuarës i largon nga narrativa e prindërve, që jetuan luftën dhe që mund të rindezin fare lehtë urrejtjen”, tregon Sekretari i Përgjithshëm i RYCO, Djuro Blanuša.
Modeli Franko-Gjerman i pajtimit-efikas edhe në BP
Që rinia në BP të bëhet promotor i pajtimit dhe i bashkëpunimit, 6 qeveritë e vendeve të rajonit, si palë kontraktuese në ngritjen dhe financimin e RYCO, ranë dakort të ndiqet modeli Franko-Gjerman i pajtimit, që shndërroi dy popujt nga armiq të përbetuar në miq të qëndrueshëm dhe Francën e Gjermaninë, dy vendet ish-armike, në dy partnerët më të rëndësishëm të BE.
Zv.Sekretari i Përgjithshëm i RYCO-s, Fatos Mustafa, në bisedë me DW thotë, se ky model po funksionon mirë edhe për BP. “Procesi është më i ndërlikuar, pasi janë 6 vende dhe jo dy si në rastin e Francës dhe Gjermanisë. Modeli Franko-Gjerman është shumë frymëzues dhe po del efikas edhe në BP, aktiviteti i RYCO po ecën mirë. Dëshirojmë që rinia të kontribojë në kohezionin e rajonit dhe zhvillimin e shoqërive të tij”, thotë Fatos Mustafa.
Që kjo dëshirë të kthehet në realitet në krye të herës duhet interes nga vetë rinia. Shifrat flasin për një interes të jashtëzakonshëm: në më pak se dy vjet, që RYCO është operacional, në dy thirrjet e tij për projekte rajonale, kanë ardhur 699 aplikime nga 6 vendet e BP, janë krijuar 2100 partneritete mes organizatave rinore dhe të shoqërive civile në rajon, janë njohur direkt 1000 të rinj dhe të reja dhe gjatë vitit 2019 pritet që ky numër të dyfishohet.
“Numrat nuk tregojnë gjithçka. Përtej numrave ka vlerë të madhe që RYCO po shihet nga rinia në rajon si adresa e duhur për dëshirat, shpresat, sfidat e saj. Nuk është e lehtë që RYCO, si organizatë ndërqeveritare, e drejtuar nga qeveritë dhe përfaqësuesit e rinisë në 6 vendet e BP, të adresojë sfidat e rinisë në rajon. Ne e konsiderojmë privilegj dhe përgjegjësi të madhe ndryshimin e narrativës në BP, dëgjimin e zërit të rinisë. Prandaj përveҫ pjesëmarrjes, për RYCO ka shumë rëndësi cilësia e programeve dhe aktiviteteve”, thotë për DW, Fatos Mustafa.
Fonde të pamjaftueshme- sfida financiare e RYCO
Instrumenti kryesor i RYCO-s për të realizuar programe dhe aktivitete që promovojnë pajtimin në rajon dhe shkëmbimet rinore është skema e granteve, thirrjet për projekt-propozime. Fondi vjetor prej 1 milionë eurosh, i vënë në dispozicion të RYCOs nga qeveritë e 6 vendeve të rajonit, është i pamjaftueshëm për etjen e madhe që ka rinia e rajonit për t’u njohur.
“Do të na duheshin 8 milionë Euro në vit për të financuar projekt-propozimet nga 6 vendet e rajonit dhe programet e RYCO, që synojnë pajtimin dhe ardhjen më afër njëra tjetrës e rinive të rajonit. Përveҫ qeverive të 6 vendeve të BP si palë kontraktuese, kemi mbështetës financiarë BE, Komisionin Europian, Agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, qeveritë e Gjermanisë, Francës, Norvegjisë”, thotë Djuro Blanuša.
Kohët e fundit BE financoi me 500 mijë Euro një projekt të ri, 2 vjeҫar të RYCO-s, për të nxitur procesin e pajtimit, mobilitetin dhe aktivizmin e rinisë në BP. Mosheqja e vizave, mungesa e lëvizjes së lirë në Bosnjë-Herzegovinë dhe Kosovë mbetet një sfidë për pjesëmarrjen e rinisë së këtyre 2 vendeve në projektet e RYCOs në përgjithësi dhe në veҫanti, në këtë të fundit, të financuar nga BE.
RYCO – Brand për rininë e rajonit
Një konferencë rajonale me pjesëmarrjen e deputetëve nga Parlamentet e 6 vendeve të BP dhe të Bundestag-ut , që pritet të zhvillohet këtë vit, do të synojë të rrisë bashkëpunimn rinor në rajon. “Shpresojmë që qeveritë e 6 vendeve të BP të rrisin fondet për RYCO. Gjithsesi, përtej numrave, RYCO duhet dhe po kthehet në një Brand për rininë e rajonit,” thotë Djuro Blanuša./DW