Koreja e Jugut është duke u përgatitur për të lançuar rrjetin më të madh të internetit super të shpejtë 5G në botë, shërbim i cili do të ofrohet për 85 qytete të vendit.

Shërbimi do të ofrohet në të gjithë vendin në 85 qytete të ndryshme duke filluar nga kjo e enjte dhe përdoruesit me pajisje me kapacitet 5G do të mund të shkarkojnë të dhënat 20 herë më shpejt se 4G ekzistues.

Rrjeti 5G i Koresë së Jugut pritet të lejojë përdoruesit të shkarkojnë filma të plotë në më pak se një sekondë dhe hap rrugën për një transmetim më të shpejtë të videos, si dhe produktet e inteligjencës artificiale dhe realitetit virtual. Konsumatorët do të duhet të kenë pajisje të aktivizuara me 5G për të përdorur shërbimin. Koreja e Jugut është në një garë me Kinën, Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë për tregun e rrjetit 5G, me firma si Samsung, Huawei dhe Apple të cilat po investojnë në teknologjinë 5G.

Koreja e Jugut po shpreson se teknologjia do të nxisë përparime në fusha të tilla si qytete të zgjuara dhe makina autonome dhe do të nxisë rritjen ekonomike. 5G do të ndryshojë peizazhin e industrisë së lojrave pasi lejon lojra të transmetuara me vonesë minimale për t’u luajtur në smartphone. Samsung ishte i pari që lançoi një telefon 5G në shkurt, kur zbuloi Galaxy S10 5G dhe Samsung Flex.

Në sytë e shumë analistëve, kjo i vendosi prodhuesit më të mëdhenj të smartphonëve në garë për rrjetin 5G. LG Electronics ka në plan të hedhë në treg smartfonin e saj 5G në Korenë e Jugut gjatë këtij muaji. Ndërsa shqetësimet e sigurisë rreth rrjeteve 5G duke përdorur pajisjet e prodhuara nga Huawei i Kinës kanë dëmtuar zhvillimin e këtyre shërbimeve.

Një prej kompanive të internetit shtoi se kompania përdor teknologji të përparuar për të bllokuar përgjimin ose hacking në rrjetet 5G. Midis tre operatorëve kryesorë të Koresë së Jugut, SK Telecom dhe KT Corp nuk përdorin pajisjet Huawei për 5G.