Në Shqipëri ambasada amerikane bëri sot thirrje që protesta e së shtunës e paralajmëruar nga opozita të jetë paqësore. Në një deklaratë të posaçme ambasada vë në duke se “e drejta e qytetarëve për t’u mbledhur, për t’i bërë kërkesa qeverisë dhe për të protestuar për ndryshim pozitiv janë simbole të një shoqërie demokratike të lirë dhe të shëndetshme. Është një e drejtë që ushtrohet shpesh në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, kjo e drejtë duhet ushtruar paqësisht”, nënvizon deklarata, duke theksuar se “dhuna kundër njerëzve ose pronës është e papranueshme”.
Ambasada i drejton një thirrje “të gjithë atyre që janë përfshirë në protestën e së shtunës, dhe të gjithë udhëheqësve politikë shqiptarë, të refuzojnë dhunën dhe të sigurohen që protestat të zhvillohen paqësisht dhe në mënyrë konstruktive”.
Thirrja e protestës kundër qeverisë më 16 shkurt ishte vendosur që një muaj më parë. Gjatë gjithë kësaj kohe, kryetari demokrat Lulzim Basha ka ndërmarrë një tur thuajse në të gjithë Shqipërinë për të ftuar shqiptarët që t’i bashkohen protestës. Opozita mbështet idenë e krijimit të një Qeverie kalimtare që do të përgatis vendin për zgjedhje të lira e të ndershme. Zoti Basha këmbëngul se mundësitë për zgjidhje politike kanë shterruar he se “koha e fjalëve ka mbaruar”. Ai ka përdorur shpesh tone të forta duke paralajmëruar kryeministrin se “Deri të premten me 15 shkurt, ke kohë të hapësh rrugën dhe të japësh zgjidhje politike. Me 16 shkurt, populli do të trajtojë si kryeqen, si kryehajdut, si kryetrafikant”.
Nga ana e saj Policia ka shprehur publikisht shqetësim për rrezikun e përfshirjes në protest “të individëve me precedentë penalë apo të nxitur nga aktorë të tretë, të cilët synojnë krijimin e një klime destabiliteti në Shqipëri”. Ajo ka paralajmëruar se “do të kryejë kontrolle intensive të mjeteve në disa akse kryesore me qëllim që të parandalojë përfshirjen e personave me rekorde dhe precedentë kriminalë në protestën e datës 16 shkurt në interes të sigurisë së pjesëmarrësve të saj dhe të qytetarëve të tjerë”. Policia gjithashtu i ka bërë thirrje “forcave politike të angazhuara për tubimin e datës 16 shkurt që të shmangin retorikat, të cilat nxisin veprime kundër rendit e qetësisë publike”.
Por opozita e ka kritikuar këtë qëndrim duke folur për një “polici politike” e cila sipas saj duhet të qëndrojë “larg protestuesve! Të mos pengojë lëvizjen e lirë të tyre! Përndryshe, secili prej shërbëtorëve të skenarit kriminal të Edi Ramës, do të mbajë përgjegjësi personale dhe ligjore”.