Ura mbi lumin Mat
Mbi lumin Mat shtrihet një nga veprat më të veçanta në vendin tonë, të ndërtuar nga italianët: ura e Zogut.
E ndërtuar në vitin 1932, aktualisht mbi këtë urë është ndërprerë qarkullimi i mjeteve. Ngjeqari shprehet se ura nuk është e mirëmbajtur dhe për këtë fajëson edhe pushtetin lokal, por ajo që vëren më tepër është se dora e njeriut ka shkatërruar parmakët e urës.
Ajo që ai thekson është se, ura ka qëndrueshmëri dhe se materiali i saj është shumë i mirë, që i ka rezistuar kohës. E veçanta është se, harqet e urës nuk janë të dëmtuara, por që nese nuk vihet dorë në të pas 10 vitesh, gradualisht erozioni do të ndikojë në prishjen e saj.
“Unë mendoj që kjo urë duhet shpallur monument kombëtar, ta mirëmbash, ta lyesh. Këto janë të vështira për t’u ndërtuar, janë modele të veçanta”, shton ai.
Edhe ura në fshatin Skuraj, ura e vjetër në rrugën nacionale nuk i ka shpëtuar prishjes. Sipas Emergjencave, ura është dëmtuar qëllimisht. I të njëjtit mendim është edhe inxhinieri Ngjeqari, ku në konstrukt ura është e qëndrueshme, por që është grabitur e shkatërruar duke e bërë të pakalueshme.
Ura me hark në Ulëz është një urë e rëndë, e stabilizuar dhe e qëndrueshme. Ura është ndërtuar me ndihmën e rusëve dhe hyn tek urat masive. Sipas inxhinierit, ka 10 ose 15 vite që s’ka vënë njeri dorë mbi këtë urë. Struktura sipër është e amortizuar dhe nuk ka as masat më minimale, siç është sinjalistika vertikale. Mbi struktura ka nevojë të riparohet urgjentisht.
Gjatë vëzhgimit mbi rrugën që të çon nga Burreli në Rrëshen, në një pjesë të saj, jo vetëm ura është e prishur, por edhe rruga është e shkatërruar. Edhe pse është bërë rikonstruksion i plotë i urës dhe nuk kanë kaluar as 5 vite nga ndërtimi i saj, ajo është plotësisht e dëmtuar dhe e pakalueshme.
“Ura është me 3 vija kalimi, s’ka sinjalistikë. Dherat nuk janë ngjeshur dhe si pasojë kemi këtë situatë”, shpjegon Ngjeqari.
Por, në këtë aks nuk është vetëm ura. Rruga prej 31 kilometrash kalon në terrene të shtruara. Ka një dëmtim 20 për qind të trasesë. Në një pjesë të rrugës ndodhen disa ura të vogla, të cilat janë të dëmtuara.
Inxhinieri tregon se, si rezultat i rrugës dhe urës së dëmtuar, ky vend është një burim i sigurtë aksidentesh. Kjo vjen sipas tij edhe nga studimet jo të mira gjeologjike që bëhen. Ajo që vihet re në vëzhgimin e “Fiksit”, sidomos në rrugën hyrëse të Rrëshenit, ura është totalisht e pamirëmbajtur, kurse në hyrje të Rubikut, ura mbi lumin Fan është e mirëmbajtur por ka problem me mbajtëset e saj.
“Pilotat në pjesën fundore kanë nevojë të menjëhershme për ndërhyrje dhe është një nga gjërat më të thjeshta që mund të bëhet dhe në çdo kohë”, pohon specialisti.