Nga Pjetër Meta PERPALI

Për Nikën dhe fisin Nikaj është thënë e shkruar aq shumë nga autorë, studiues, historianë vendas e të huaj, saqë çdo gjë, çdo dyshim apo paqartësi, çdo dilemë për vend-origjinën e vitin e largimit të tij nga vendlindja mund të ishin sqaruar herët. Sot, përveçse leximit për të mësuar për Nikën, i pari që formoj fisin me të njëjtin emër, e kuriozitete të tjera, nuk duhet të kishte asnjë dilemë apo debat. Në kushtet e mungesës së dokumentave çdo ditë që largohem nga ato vite paqartësitë e hamendësimet shtohen e, për rrjedhojë, edhe kundërshtitë si ambicje për të dalë secili “I parë” dhe më “I saktë” duke anashkaluar deri në mohim të atyre shkrimeve e hulumtimeve të bëra 100-150 vjet më parë, të cilat nga vetë koha e studimit kanë njëqind për qind më shumë saktësi, vërtetësi e besueshmëri se sa ato që sot shkruhen nga studiues e hulumtues të rinj.

Edhe pas shumë vitesh, ndoshta dhe shekujsh, nga arkiva të ndryshme e prestigjioze, si bie fjala: arkivat e Vatikanit, etj., do të dalin apo zbulohen dokumenta e fakte të reja që do të hedhin dritë mbi të vërtetat historike të të parit të fisit Nikaj, duke daravitur çdo mjegullnajë të paqartësive e duke hedhur poshtë hamendësimet e zërimet që autorët e ndryshëm i kanë bërë njëri-tjetrit, kryesisht të rinjtë me të vjetërve.

Në librin “Monografi e popullit të Nikajve-Mërturit”, për të cilin punoj që nga viti 2014, kam trajtuar në një kapitull të veçantë formimin e fisit Nikaj e fol për të parin e tij. Ndaj me shkurtime mendova që të bëj kumtesw, jo aq për fakte të reja e konkluzione vetiake të bazuara mbi studimet e paraardhësve tanë sesa për të debatuar për më të mirën a më të pranueshmen mbi këtë temë.

Nika, i ardhur nga larg, pra – i larguar nga një vendbanim apo vendlindje, për arsye thjesht mos-nënshtrimi ndaj pushtuesit dhe me emrin “Nikë”, jashtë e larg çdo dyshimi, ky person është shqiptar, vjen nga trevat shqiptare dhe është i besimit katolik.

Në mënyrë të pavarur çdo studiues e historian vendas apo i huaj kanë dhënë mendime të ndryshme mbi prejardhjen e Nikës dhe kohën kur ai është vendosur në trevën tonë. Po tani, pas 100 apo 150 vjetësh, prej kohës kur është shkruar për Nikën, vend-origjinin e tij e kohën e ardhjes,  do të thotë se ato shkrime e të dhëna janë njëqind herë më afër realitetit se sa sot. Ndaj nuk mund të mos fajësohen studiuesit e historianët e rinj, të cilët hedhin deri totalisht poshtë shkrimet e studiuesve të vjetër (1-1.5 shekuj më parë) pa mundur të paraqesin asnjë dokument tjetër arkivor apo dhe një provë të re gojore me taban historik.

Nopca shkruan: “I pari i Nikajve ka qënë një bari në Krasniqe, i quajtur Nikë, i cili rreth vitit 1550 u shkëput së andejmi në Paplekaj dhe zuri vend aty”. Ai e paraqet edhe pemën e fisit Nikaj (figura 6, faqe 209) nga trungu i së cilës i  ka të shkruar tre vëllezër me emra: Krassa, Nika dhe Vassa. Pra nuk e citon vend-origjinën e Nikës, që nuk është as Krasniqja e as Kodër Boka e Tplanit.

Duke ndërtuar një fragment të gjenealogjisë së Nikajve, Nopca nxjerr nga trungu kryesor tri degë, pra tre vëllezër, dhe nuk thotë në asnjë rresht të librit se Nika ishte stërnip i Krassës, siç citon Ibrahim Kadri Malaj në librin e tij monografik ”Tropoja në breza”. (Botimet “Dardania”. Tiranë, 2003, faqe 35).

Siç është shkruar nga Nopca, dhe siç besohet nga komentet historike gojore, në Kodër Bokë të Tplanit janë vendosur të tre vëllezërit: Krasa, Nika e Vassa, të cilët më vonë u përqendruan në tre territore të ndryshme

Bazuar në këto tri degë (tre vëllezër) të trungut, siç i ka paraqitur Nopca në vititn 1908, çdo skemë tjetër me të tjerë emra e të tjerë breza është e pabesueshme. P.sh. skema që ndërton Ibrahim Kadri Malaj, i cili Krassen e vendos katër breza larg Nikës, Gecit e Mekshit, duke cituar emra si Shiq e Rid, nuk gjenden në asnjë referencë të ndonjë historiani e studiuesi vendas e të huaj (shih skemën e fisit Krasniqe te “Tropoja në breza”, fq. 37).

Ide dhe një paraqitje të pemës së Nikajve nga Nopca, ku nga trungu kryesor radhiten tri degë me tre vëllezër.

Studiuesi Mark Palnikaj e kundërshton si gojëdhënë të dyshimtë duke e quajtur “një pohim jo i vërtetë”, por pa paraqitur asnjë argument arkivor për të vërtetuar të kundërten e asaj që shkruan Nopca. Ai shkruan: “sipas mendimit tim, për të shkruar historinë, mbështetja mbi gojëdhana është gjithmonë e dyshimtë… jam i bindur plotësisht se gojëdhëna, sipas së cilës Nikajt dhe Krasniqja rrjedhin nga dy vëllezër është një pohim jo i vërtetë”. (M. Palnikaj: “Pulti”. Tiranë, 2017. fq 156).

Në librin monografik “Nikaj-Mërturi” historiani Dodë Progni, duke ju referuar studiuesve të shquar, Kolë Luka, Injac Zamputi, Rrok Zojzi, etj.  komenton se pas divorcit të principatave shqiptare me Serbinë, ato filluan formimin e fuqizimin e tyre. Në këtë kuadër u fuqizuan dhe u zgjeruan Principata e Balshajve (1356-1421), e Dukagjinëve dhe e Kastriotëve. Ndër fshatrat, që u përfshinë fillimisht në Principaten e Balshajve e më pas në atë të Pjetërspanëve, ishte katundi i Nikijtë. “Këto do të vazhdonin ekzistencen në përbërje të Pultit edhe pas rënies së Pjetërspanëve, derisa do të bëheshin pjesë formuese e krahinës gjeo-etnografike të Nikaj-Mërturit”. (Dodë Progni  & Zef Doda: “Nikaj-Mërturi”. Shkodër. 2003. faqe 20).

Në burimet dokumentare sllave, osmane dhe të kishës katolike të shek XIV-XVIII, kantundi Nikijtë del i formuar qysh në vitin 1330, e me pas në vitin 1485 (155 vite më pas) Nikijtë dalin tek defterët osmanë me 7 shtëpi. Dhe citon “…vendformimi i Nikajt mund të kërkohet vetëm në Nikijtë ose në Nikajni” (Dodë Progni. “Nikaj-Mërturi”. faqe 40).

Megjithëse ky citim është bërë si konkluzion i referencës tek Selami Pulaha në “Studime Historike” numër 2, viti 1975, faqe 131-132, i cili shkruan: “fisi Nikajt u formua prej shtimit të mëvonshëm të kantundit të Nikijve që përmendet në dokumentat osmane të vitit 1485, dhe ngulitjes së tij në një territor të banuar rishtaz”. Në komentet që historian Dodë Progni i bën këtij citimi e hedh poshtë si të pavërtetë duke aluduar (dmth. duke mos paraqitur asnjë argument gojor e as historik) se “…kryepari i Nikijve-Nika, duhet të ketë jetuar disa 10-vjeçarë përpara vitit 1330…mund të jetë koncidencë interesante që ky Nikë, nga i cili u formua fisi Nikaj, të jetë vendosur për herë të parë në territorin e Nikijve të mëparshëm, por nuk është e mundur që ky të ketë patur lidhje gjaku me atin e parë të Nikijve, edhe pse edhe ai quhej Nikë”. (Dodë Progni & Zef Doda. “Nikaj-Mërturi”. faqe 40-41).

“Kur flitet për pjesmarrjen e banorëve të krahinës së Nikaj-Mërturit që kanë jetuar në shekullin XV, në ushtrinë e Skënderbeut, ndokush mund të pyesë: a kanë lidhje gjaku banorët e kësaj krahine me banorët e atëhershëm? Unë jam i mendimit se një lidhje e tillë nuk mund të mohohet së paku për dy arsye: Ashtu siç  e përmendin dhe studiuesit Dodë Progni e Zef Doda në rregjistrin e vitit 1845, figurojnë disa fshatra të kësaj krahine, si Brisë, Salcë, Palç, Bllakë, Noranjë, Nikijt etj.”. (Prof. asoc. dr. Anton Papleka. “Skënderbeu dhe krahina e Nikaj-Mërturit” . Studim. Gazeta “Nikaj-Mërtur”. Viti i VIII i botimit.  Nr. 1. Qershor 2018).

Konkluzionet e mësipërme si për formimin e fisit Nikaj e lidhjet me fisin Krasniqi, të shkruara nga historian Dodë Progni, nuk dakortësohen me ato që shkruan Mark Palnikaj te libri “Pulti”. Ai thotë: “Autorët Dodë Progni dhe Kahreman Ulqini kanë punuar me seriozitet më të madh nga gjithë të tjerët duke u mbështetur mbi burime historike të shkruara, por mjerisht pa arritur në një konkluzion bindës mbi problemin në fjalë…” (M. Palnikaj. “Pulti”. faqe 164).

Lidhur me vazhdimësinë nga Nikijtë në Nikaj, M. Palnikaj shkruan: “hamendësimi dhe krijimi i lidhjeve pa mbështetje, pa dokumenta të shkruara, i fisit Nikaj me Nikijtë, sipas mendimit tim është thjeshtë një falsifikim i historisë”.(“Pulti”. faqe 160).

Kur lexon studiues e historianë potencialë si Rr. Zojzi, K. Luka, Nopca, Shufllaj, Mjeda, etj, të cilët kanë shkruar si për kohën e ardhjes së Nikës në Bushat (pa emër) dhe për vend-origjinën e tij, askush deri më sot nuk i ka quajtur konkluzionet e tyre si “falsifikim i historisë”. Përndryshe, ku do t’i merrnim ne sot të dhënat e hershme për paraardhësin tonë me emrin Nikë, kur askush që i kundërshton ato shkrime nuk ka paraqitur deri më sot një dokument arkivor e të thotë në këtë vit apo dhjetë-vjeçar erdhi Nika, sipas dokumentit x e y dhe origjinën e ka nga x vend, por jepen veç supozime e hamendësime.

Le të citojmë së pari Shuflajn, në librin e tij “Serbët dhe Shqiptarët” (botim “Bargjini” me ISBN-99927-770-1-x ,faqe 44): “Dy vetë të fshatit Nikijtë në Pilot ishin të detyruar (1330) t’i jepnin Manastirit të Degjanit 6.000 krimba mëndafshi, ndërsa njerëzit nga Piloti i Poshtëm (1348) i jepnin Manastirit të Shën Arhangjelve Mihajlit dhe Grabrielit 100 mijë krimba ose 100 perpere”.

Në “Studime Filologjike”, numër 3 të vitit 1977, Kolë Luka, kur trajton toponiminë e trevave të Pjetërspanëve, shkruan: “…Mirëpo, Nikaj e Mërtur janë aty qysh para vitit 1485, aty janë edhe Raja, Brisa, Salci, etj.” dhe se “ ardhja e Nikës para 350 vjetësh(1900-350=1550,P.M.) siç thotë gojëdhëna nuk vërtetohet në bazë të dokumentacionit, sepse Nikajt janë aty të paktën qysh më 1335, dmth. tash 6 shekuj e gjysëm dhe me një vazhdimësi edhe më të plotë se Mërturi, të pakten qysh prej kësaj kohe e deri më sot”.(Vepër e cituar faqe 147-148).

Në librin “Tre Vëllezërit Krasniqi dhe Malësia e Vogël e Veriut” etnografi Shaban Kullaj duke ju referuar Ndre Mjedës  (“Kalendar”, vepër, viti 1926, faqe 24-26) shkruan: “…Tre vëllezërit, djemtë e Meksh Keqanit, erdhën nga fshati Strellc i Madh i Malësisë së Pejës… në fillim erdhën tre vëllezërit Kras Meksh Keçani, Nik Meksh Keçani, Vas Meksh Keçcani…u vendosën nën një kodër me emrin Kodër e Bokës ose Kodër Thanë.” (Vepër e cituar. faqe 31,43) “…pra, këta tre vëlleëzër, kanë ardhur para Betejës së Fushë-Kosovës”. (Vepër e cituar. faqe 33).

Në “Studime Historike” të vitit 1975 të Selami Pulahës “Mbi gJallërimin e lidhjeve farefisnore dhe krijimin e fiseve në Shqipërinë e Veriut në shek XVI-XVII”, shkruan : “…në fshatin Nikijë, i cili nga emri i tij patronimik në shumës (siç edhe Nikajtë. P.M.) nënkupton se ka rrjedhur nga vendosja e katundit të Nikijve, gjejmë edhe Bushat. etj.” (Vepër e cituar. faqe 129). “Nga ana tjetër fshati Nikijt u zhduk (vetëkuptohet, emri Nikijt. P.M.), ndërsa emri i tij u shndërrua në emër i krahinës të banuar nga vëllezërit e lindur nga shumëzimi dhe degëzimi i katunit të Nikijve, që siç kuptohet nga emri, duhet të ketë patur për të parë një të quajtur Niki ose Nika. Pra vëllezërit që linden nga i pari Nika Mekshi ku u territorializuan në fshatrat e krijuara rishtaz…”.(Vepër e cituar. faqe 132).

“Me gjithë këtë edhe në këto treva, ashtu si në Zeta ndonjë prej fiseve, si p.sh. fisi i Nikajve, u krijuen prej shtimit të mëvonshëm të katunit të Nikijve të shek XV dhe ngulitjes së tij në një territor të banuar rishtaz”.(Vepër e cituar. faqe 135).

Duke u bazuar në shkrimet e mësipërme të këtyre studiuesve, na lind e drejta që të shtrojmë për diskutim komente vetjake si rrjedhojë e mendimeve vetiake.

Pyetja e parë që më vjen ndër mend është kjo, kështu: kur Nopca, Shuflaj, N. Mjeda, Rr. Zojzi, Kolë Luka, S. Pulaha, Injac Zamputi, etj, kanë hedhur në letër dhe më pas i kanë botuar shkrimet, të cilat kanë ardhur deri në ditët tona, duke na ndihmuar e shërbyer edhe si referenca të librave të rinj (të autorve të rinj), a kanë një bazë referimi për vërtetësinë e atyre që kanë shkruar apo i kanë sajuar e shpikur me mendjen e tyre si bie fjala: Krassa, Nika e Vasa kanë qënë vëllezër, se ata fillimisht janë vendosur në Kodër Bokë të Tplanit, se ata kanë ardhur nga Strellci i Madh i Pejës, dhe se Nika ka qënë aty (në Bushat pa emër) që në vitin 1335?!

Pyetja e dytë: kemi 100 apo 150 vjet që i lexojmë këto shkrime dhe i përdorim, me të cilat pothuajse jemi “vëllazëruar” duke i quajtur tashmë të mirëqena, përderisa nuk kemi fakte të tjera për t’i rrëzuar, atëherë hulumtuesit e rinj, kur këto shkrime të këtyre autorëve të papërsëritshëm i hedhin poshtë si të pavërteta, pse të gjitha “argumentet” që perdorin nuk janë gjë tjetër veçse supozime e hamendesime?! P.sh. në shkrimet e vona thuhet: “Emri Krasniqe duhet të kërkohet në gjurmët e pushtimit romak dhe të gjuhës latine dhe jo të gjuhes sllave”! Është fakt që romakët ndërtuan qytete në Malësi, edhe në trevën tonë të Nikaj-Mërturit, por deri në vitin 1485 krahas toponimeve të tjera si Rosujë, Vukplan,Varg, Këlcyrë, etj, në asnjë rast nuk del emri Krass e as Krasniqe.

Në defterët osmanë të vitit 1485 nën emrin Hrasta (Krasniqe) rezultojnë dhjete zjarre, kurse në Nikije shtatë zjarre. (K. Luka “Treva e Pjeterspaneve”.faqe 134,149) që do të thotë me një zhvillim të numrit të shtëpive afër njëri-tjetrit në të njejten periudhë. E them këtë të fundit, sepse nuk mund të jetë vendosur Krassa dekada para Nikës e të kenë një diferencë vetëm tre zjarre.

Në se pranojmë vitin e vendosjes së Krassës në Kodër Bokë para vitit 1485 (dhe këtë nuk mund ta hedhin askush poshtë 1485-155=1330) nga ku brenda 155 viteve u banë 10 shtëpi, atëherë edhe Nika ka afërsisht atë vendosje në Bushat dhe për 155 vjet është bërë me 7 shtëpi.

Dhe pas gjithë këtyre shkrimeve të këtyre autorëve me përcaktim vitesh e argumente të tjera të Nikës në Bushat të deklarohet se: “Në kohën kur Nika është zhvendosur për në Paplekaj (Bushat, P.M.) Krasniqja ishte një fis i vogël që banonte në Dushaj të Epërm”, kur vërtetohet në dokumentat osmane se në 1485 Krasniqja ishte katund me 10 shtëpi e Nikajt katund me 7 shtëpi dhe se “Asnjë lloj lidhje nuk ka midis Nikajve dhe Nikijve” (M. Palnikaj. “Pulti”. faqe 179).

Ashtu si studiuesit e vjetër dhe të rinj kanë shkruar për banorët (para Nikajve) si Vargu, Kapiti, Zhushi, Bjaka, Ukcamajt, Variqtë, etj dhe nuk kanë thënë asnjë fjalë e nuk kanë shkruar asnjë rrjesht për Nikajt “e parë” e Nikijtë se nga erdhën, kur erdhën, ku jetuan, kur u larguan dhe ku vajtën, por mbeti një enigmë pa shpjegim sikur i përpiu dheu. Duke përdorur këtë arsyetim logjik duhet t’i lexojmë e besojmë studiuesit e vjetër se ka patur vetëm një Nikë dhe se Nikaj i Nikijve përdorur nga të huajt në numrin shumës është Një nga i cili u formua fisi i Nikajve.

Është thënë e shkruar nga historianë e studiues se për të ardhur te Nika i viteteve 1335 duhet të kemi 20-22 breza, nga ku na rezultojnë 15, 16 e në raste të veçanta deri në 20 breza. Bazuar në të dhënat faktike të paraqitura nga M. Palnikaj (faqe 182-184, tabela), diferenca mesatare midis brezave rezulton me 31.8, me 32.5, me 34.2, me 34.6, me 40.6 e deri në 44 vite. Referuar këtij fakti do të thotë: martesa të vona deri edhe në moshën 35, 42, 48 e 54 e 62 vjeç, gjë që ka sjellur padiskutim humbje të brezave në 1,2 e më shumë breza nga ky fenomen gjatë gjithë këtyre viteve-shekujve.

Në studimin e gjeografit jugosllav Jovan Cvijiq me titull “Krasi i Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe i Kosovës” (Hrasto Bosne Hercegovinë i Crne Gore i Kosova) nuk ka shënuar asnjë toponim me emrin shqip, përveçse emrit Nikë, të cilin nuk ka mundur ta ndryshojë. Dhe sot në bjeshkët e Malit të Strellcit shpati i malit quhet “Shpati i Nikjave”, “Stanet e Nikajve”, “Livadhet e Nikajve”, “Guri i Nuses”, ku kalonin krushqit nga Kosova në Mal të Zi e anasjelltas. Shpati i Nikajve shkon deri në lartësinë 2.040 metra mbi nivelin e detit nga 2.377 metra që është mali i Strellcit. Banorët që sot jetojnë në Strellcë( i Epërm) me origjinë nga Nikaj-Mërturi me një numër prej 666 shtëpish, kur u vendosën aty gjetën edhe këto emra në këtë trevë.

Në vitet 1282-1320, kohë kur sundoI Stefan Uroshi II Millutini, shkruan Gaspër Gjini, se ishin konfliktet më të ashpra të serbëve ndaj katolikëve. “Këto moment na i zbulon letra e Klementit V, i cili i drejtohet Millutinit duke i kërkuar që të lirojë kishat latine, të cilat i kishte okupuar…” dhe se “…Po i ndjek shumë katolikët dhe po i urren”. (Gaspër Gjini. “Ipeshkvnia Shkup-Prizren nëpër shekuj”.faqe 94). “Pas kësaj, Uroshi II filloi haptas t’i ndjekë katolikët në vendin e vet. Edhe më keq, në Rashkë e ndaloi ritin latin…mirëpo të gjithë katolikët në këtë vend, i dogji deri nën thua” (Po aty, faqe 94). Të njëtën rrugë, ndoshta edhe më të ashpër, ndoqi edhe Stefan Dushani I, biri i Uroshit të III të Deçanit ndaj katolikeve.

Duket se në këto vite reprezalesh të egra ndaj katolikëve, kohë në të cilën u shemb edhe kisha katolike e Deçanit, popullsia e këtyre trevave imigroi masivisht, mes të cilëve edhe tre vëllezërit Krasa, Nika e Vasa.  Jo më kot Stefan Uroshi III (1321-1331) është quajtur edhe Deçanasi. (Gaspër Gjini. Vepër e cituar. faqe 195). Dhe për ta “ligjëruar” tokën e Deçanit si “tokë serbe”, pas prishjes së kishës katolike, në vitin 1325, filloi ndërtimin e kishës ortodokse të Deçanit, të cilën e përfundoi në vitin 1333, jo mbi themelet e kishës latine por duke përdorur gurët e saj. Këto dy data gjenden në dokumentet kishtare ortodokse në Deçan.

Pra siç dhe eshte shkruar nga disa studjues e historian, vendas e huaj, Nika ka ardhe nga Strellci i Madh i Pejës, në vitet e sundimit të egër sllav, pra para viteve 1325.

Së fundi, një mendim: Ta lëmë Nikën të prehet në paqe atje lart duke vështruar trevën e Nikajve që brezat e tij e formuan dhe sot duke u shpërngulur prej aty ecën drejt shterimit. Le t’i lëmë të qëtë ata historianë e studiues që jetojnë ose jo, të cilët me përkushtim gërmuan në arkiva e gojëdhëna të popullit duke na i lënë këto shkrime me këto përcaktime vitesh të vendosjes së Nikës në Bushat. Kurse studiuesit e historianët e rinj, të gërmojnë pareshtur nëpër arkiva brenda dhe jashtë vendit për të zbuluar fakte e argumente të reja të dokumentuara (nëse ekzistojnë) për kohën e ardhjes së Nikës e vend-origjinën e tij.