Letër Bislimit apo sprovë për individualitetin

Nga Arbër AHMETAJ

Ti the në paraqitjen e librit « 69 gra », se « Arbri është shkrimtari që është, pasi dëgjon vërejtjet e miqve dhe lexuesve të tij ». Përballë vune modestinë tënde tuj thane: « unë jam ky poet që jam, pasi nuk përfill vërejtjet e askujt »!
Cili je ti si poet e kush jam unë si shkrimtar pas këtij konstatimi?
Ka disa zinxhirë, që edhe pse n’a lidhin, n’a bëjnë më të lirë! Ti ke zinxhirët tu, kryqin tënd! I mbart në kurriz vetë! Ti lëviz rrugëve të atdheut e mat mungesën e lirisë! Temperaturën e shpirtrave të nënshtruar! Ti i sheh njerëzit në sy! Në krye të herës ti studiove veterinari! Kur qan qeni ti e di ku i dhemb! Drerët i ke parë në Zvicër, edhe lopët duke kullotur shiun! Ariun e arixhiut me vargonj në hundë plazheve të Shqipërisë! Macet poshtë apartamentit tënd dhe qentë tek lagjia e Gjyshes Bukurie! Ti i njeh plagët e miqve tanë me katër këmbë! Dinamiti në ujrat e troftave në Valbonë, Cem e Vjosë, mbi krapin e Drinit e të Liqenit të Shkodres, mbi koranin e Liqerit të Lasgushit, pëlcet në syrin tënd! Ti i rri faunës së atdheut shumë afër! I del zot! Ti e di se çfar ndodhë edhe me florën, një shkallë më poshtë! Sepse ti e ndjek me sy e zemër njeriun e atdheut! Po, ky është thelbi i shqetësimit tënd! Pastaj, ti studiove ekonomi, e kjo është shkollë e dëmshme për shëndetin tënd mendor! Kjo është gjëja më rrezikshme për një njeri të ndjeshëm siç je ti! Ti mësove se si bëhen llogaritë! Sa duhet punuar për të fituar kaq e aq! Sa duhet investuar këtu e atje! Ja mendimi im: ekonomia nuk është shkencë! Është spekullim!
Prova? Përvoja ime personale: kur ti protestoje kundër bandave që uzurpuan Shqipërinë në 1997, unë merrja një ndihmë minimale si kërkues azili në Zvicër! Me aq para të ndihmoja ty e babën! Pas pak kohësh, jam paguar për punën time, 25 herë më shumë, e po aq herë më pak ju kam ndihmuar ju! Fillova të ndërtoj kështjellën time abstrakte! Ja kjo është ekonomia! Por ti, ke zinxhirët tu, kryqin tënd! Ti llogaritë ndryshe. Të shoh sa herë vi në Shqipëri! Ti i kqyr njerëzit me sy që mua më janë verbuar! Ky është një shans për mua! Ti më ndihmon ta shoh atdheun me sytë tu! Por, ato që ke mësuar gjatë studimeve, ato që përpiqesh t’u transmetosh studentëve tu nëpër auditore, janë jo veç komplekse, shpesh hipokrite prej vet thelbit të tyre, por edhe të pavërteta! Kjo të dhemb! Kjo të zvoglon! Kjo s’të bie përshtat! Atëherë bëhesh poet! Asnjë limit Asnjë kufizim! Fjalët dhe peshën që nbartin i zgjedh duke i peshuar deri në microgramët e qelizave të shpirtit tënd! Nuk je si dikush tjetër! Nuk je në asnjë rrjedhë! Ndoshta pak tek revolta! Ka shumë poetë të revoltuar atdheu! Të paktën poetët! Dikur i kishim të gjithë me Partinë! Duke qenë jo në rrjedhë, poezia jote nuk i ngjanë fjalive publicitare: « Enjoy your meal with Coca – Cola »! Rreth e rrotull rrozullimit e njëjta fjali! Dhe shitet coca cola! Edhe nana jonë e ble, atë të lirën, të fallsifikuarën! « Coca origjinale » eshte e shtrenjtë për pensionin e saj! Pra, ti ke vështirësi në treg! Marketingu operon me marka të njohura! Prap shitet i njëjti « sheet »! Të dëgjoj herë pas here tek thua se as nuk hy borxh për të botuar poezi, as nuk fito duke i shitur! Ti je autor dhe enderron të lexohesh! Me dhjetëra herë ke shkëlqyer në FB! Qindra komente, mesazhe! Ke tërhequr vëmendjen! Kjo të mjafton! Siç i ka mjaftuar Marcel Proust, autotirazhi prej 100 kopjesh, i botimit të ciklit të romanve « Në kërkim të kohës së humbur »! « Gallimard » refuzoi botimin e kësaj keyevepre të shekullit të 20! Ngadale! Nuk po them që ti je si Proust! Akoma jam mirë me shëndet mendor! Kam edhe barna në farmaci, kur s’ndjehem mirë! Po them që asgjë s’duhet të të thyej në domosdoshmërinë e të qenit njeri i lirë! Në kërkim të lirisë dhe dritës, përmasat rriten! Sistemi hormonal e emocional i përshtatet kërkesës suprême! Pyjet e përjetshme të vendlindjes n’a e kanë dëshmuar këtë! A të kujtohen ahat dhe pishat mbi 100 metra të larta, për një kurore magjike gjethesh e halash nën rrezet e diellit? Ata drurë marramendës s’kanë lexuar asnjë manual « Si të bëhemi shtatlartë? » apo « Si të moshohemi duke mbetur të bukur? » Dija e rritja u vjen nga kimia e rrënjëve dhe mrekullia e dritës dhe lirisë!
Në një takim me lexues këtu në Zvicër paskam thënë për veten time: Në fillim besoja se letërsia do më bënte njeri të famshëm! Por ajo më kishte rezervuar një fat më të mirë! Më ka bërë njeri të lirë! Ndoshta êshtë pikërisht kjo liri, që m’a lehtëson rrugën drejt lexuesit, miqve! Sidomos atyre që më lexojnë para botimit! Por, këta janë « zinxhirët e mi » që më bëjnë më të lirë! Ti mbaji « zinxhirët tu » kryqin tënd! E, ec drejt dritës!