Zhegrova është prezantuar te Baseli dhe do të mbajë të veshur fanellën me numrin 30
Talenti i Kosovës, Edon Zhegrova, ka kompletuar transferimin nga Genku te Baseli.
19-vjecari tashmë është prezantuar te klubi zviceran.
Ai i është bashkuar Baselit në formë huazimi për një sezon e gjysmë, deri në edicionin 2019/20, me klubin zviceran që thotë se ka opsionin për ta blerë 19-vjeçarin në qershor të 2020-ës.
Te Baseli, Zhegrova do t’i gjejë dy shqiptarë: Albian Ajeti dhe Taulant Xhaka.
Interesante është fakti se që të tre lojtarët, ani që janë të një vendi, përfaqësojnë shtete të ndryshme, diçka e rrallë.
Taulanti mbron fanellën Kuq e Zi, ai është pjesë e Shqipërisë që nga viti 2014.
Derisa Albian Ajeti, vëllai i Arlind Ajetiti, e përfaqëson Zvicrën. Ai ka bërë deri më tani 3 paraqitje me helvetikët dhe ka realizuar një gol.
Atyre tani iu bashkohet një tjetër shqiptar, por që luan për një tjetër shtet, për Kosovën, Edon Zhegrova.
19-vjeçari i talentuar është pjesë e Kombëtares së Kosovës që nga viti 2018.
Ai ka bërë 6 paraqitje dhe ka shënuar 2 gola.
Xhaka, Ajeti dhe Zhegrova, tre shqiptarë, do të jenë çdo ditë së bashku te Baseli, por jo edhe kur të vjen dita për t’i mbrojtur ngjyrat e shtetit.