Në Bosnje ku uji konsiderohet shejtni…

Nga LULZIM LOGU 

Me ftesën bujare të “The organization to Conserve the Albanian Alps-Toka” i bashkohem një grupi veprimtarësh të saj dhe përfaqësues të shoqërisë civile si dhe pjestarë nga komuniteti që jeton në zonën e Parkut Kombëtar të Valbonës, në një vizitë studimore në “UNA NACIONAL PARK” në Bihaç/Bosnje-Hercegovinë.

Në intenerarin B.Curri-Shkodër-Muriqan-Mal i Zi-Kroaci-Bosnjë-Hercegovinë, fryn erë e ftohtë, na shoqëron shiu, me intervale të shkurtra pushimi, gjatë të cilave kridhem në morinë e kujtimeve, të cilat ja mësyjnë nga fëminia, kur gjyshja ime më fliste për Bosnjën dhe nuset boshnjake, që erdhën dhe u martuan dikur herët në trojet tona, ndërkohë që historia përziente dhunshëm dhe çuditshëm letrat e saj në logun ballkanik…

Hyjmë në territorin e saj pas një nate të lodhshme udhëtimi, përcjellë tashmë nga një mjegull e rëndë gri, që shoqëron rreshjet e para të borës, të cilat shtrohen unshëm në tokën e zgjuar të Bihaçit.”Opal-Art Hotel”, një ndertesë gati tradicionale, krejtësisht e bardhë, në një sfond të zi prej druri, na pret këndshëm me një kafe mirëseardhje, ndërsa në oxhakun e sallës së pritjes, flakët e zjarrit dhe tymi gati blu skajojnë në një pejsazh përrallash tej kanatave të dritareve, ku ndihet e prajshme,duke shkitur poshtë Una, lumi i famshëm.

Nacional Park “Una”:

Një nga tre parqet kombëtare në BiH, Nacional Park “Una” me siperfaqe 19.800 ha,ndodhet në pjesën ekstreme të perëndimit të vendit, shpallur si i tillë në 2008. Zona është e përmbytur me luginën e rrjedhës së sipërme të lumit Una dhe rrjedhën më të ulët të lumit Unac që ndodhet në komunën e Bihaçit. Veçanërisht interesante janë Ostrovica, Orasac, Kulen Vakuf, Martin Brod, Strbacki Buk. Zona është e mbushur me arkeologji, veçanërisht me gjetjet e fisit ilir të Japodës, në zonën e Ripacit. Afër me parkun kombëtar dhe Liqenet e Plitvicës.Konsiderohet ky lumë si një ndër thesaret natyrore të Bosnjës dhe Hercegovinës .

Una është një lumë i bukur, i qetë por i pasur me kanion të bukur dhe ujëvara të mëdha. Ka shumë vende rreth tij për kampe, shoqëri, pushime, rafting, peshkim. Štrbački Buk është një nga vendet që duhet patjetër të vizitohen, sepse ujërat janë të bukura, atmosfera është e përsosur , gjithçka është e mrekullueshme.Rijeka Una, mori emrin nga romakët e lashtë, të cilët për herë të parë e panë bukurinë e saj të gjallë dhe dëgjuan zhurmën e ujëvarave të saj,njëri prej tyre i befasuar asokohe bërtiti: UNA, që do të thotë “një” ose “vetëm”.

Gjatësia totale e rrjedhës së lumit Una është rreth 212.5 kilometra dhe lumi rrjedh pranë fshatit Donja Suvaja dhe Donji Lapac nën shpatet e maleve Plješevica dhe Stražbenica në Republikën e Kroacisë në zonën e Likës dhe derdhet në lumin Sava pranë Jasenovac, i cili sjell rreth 8 miliardë metra kub ujë në vit . Për shkak të tokës së saj pjellore dhe për shkak të qasjes së saj të drejtpërdrejtë, zona e menjëhershme e lumit ka tërhequr një numër të madh të banorëve, kështu që mbi 700 000 njerëz jetojnë në territorin e lumit, që është mbi 9368 km2.

Burimi i lumit është i vendosur në një lartësi prej rreth 450 metra dhe i papërmbajtshëm i ngjan një liqeni të gjelbërt-blu-jeshil rreth të cilit ndodhen gurë të mëdhenj gëlqerorë. Burimi mbrohet si një monument gjeografik dhe gjeologjik i natyrës. Uji shumë i ftohtë i pranverës shpërthen me fuqi të madhe nga nëntoka ,pas 20 metra nga burimi i lumit shfaqet ujëvara e parë. Një sasi e madhe e ujit plotësohet nga disa degë më të vogla, ndër të cilat janë Studeni Potok, Srebrenica, Sredica dhe Lalinovac. Rrjedha e lumit Una rrjedh nëpër qytetet e mëposhtme: Martinbrod, Kulen Vakuf, Ripac, Bihac, Bosanska Krupa, Bosanski otok, Novi Grad, Kostajnica, Kozarska Dubica.

Parku është një nga tre parqet kombëtare në BiH. Kanioni i lumit është me origjinë karstike, me mure sedimentare dhe shpesh formohen ujëvara më të vogla ose më të mëdha.

Është i pasur me peshq salmonide, trofta,ndërsa rreth brigjeve luleshtrydhe dhe dëllinja,nderkohe qe ariu i murmë, rriqebulli, neperka, kaprolli, derri i egër pasurojnë botën shtazore.Rafting po zhvillohet në vitet e fundit,ndërsa kayaking ka një traditë më të gjatë. Monumentet natyrore, rrjedhojë e trilleve të ujit bëhen lehtësisht të vizitueshme për turistët, shtigjet dhe shkallët prej druri janë bërë për shumicën e tyre, rreth rrugëve është shumë pastër. Nga shtigjet ka disa kende shikimi, kështu që ju mund të merrni shumë foto të ujit, nga pamje të ndryshme.Kuzhina lokale është shumë e veçantë, dominojnë elementet tradicionalë,sikurse te veshjet dhe ndertesat. Njerëzit janë shumë miqësorë dhe mikpritës.

Grupi i të rinjve, pjesë aktive e veprimtarisë së organizatës “Toka” ka ndërtuar në bashkëpunim me partnerët e vet boshnjakë një agjendë mjaft interesante, e cila përfshinte prezantimin e turizmit vendas “Tourizm Cluster” nga aktorët vendorë, ku spikat referimi elokuent dhe perplot informacion i administratorit të parkut Haris Haxhihajdareviç dhe Zdrinka Deliç, krahas referimit “Steikholder Forum Valbona” nga Liridon Mustafaj, më pas një vizitë impresionuese në “Traditional Family Bussines-eko village” në Kulen Vakuf, e cila vazhdon gjatë me një darkë miqësore me ushqim tradicional dhe muzikë të mire, të afruar nga nje grup i njohur muzikor i Bosnje-Hercegovinës.

Të nesërmen pjesa më pikante e vizitës studimore ishte shetitja e gjatë në Martin Brod dhe Strbacki Buk, atje ku shfaqet madhështia natyrore e parkut dhe befasitë pafund të natyrës, ku padyshim kryefjala është shejtnia e ujit, ruajtja e ekositemit të mrekullueshëm me biodiversitetin e rrallë dhe përulja me respekt e njerëzve ndaj kësaj vlere të pazëvëndësueshme për jetën e tyre dhe përcjelljen në mënyrë të patjetërsueshme pë brezat e ardhshëm.Teksa ndjej këtë përjetim dhe shoh me sytë e mi sesi natyra dhe asetet e saj menaxhohen në mënyrën më të përpiktë për ti sherbyer njeriut dhe vetëm njeriut, mëndja pareshtur më shkon tek Valbona jonë dhe lugina e saj, tashmë e përçudnuar dhe e kafshuar…

Krejt parkun atje e vëzhgojnë rejnxhersat, të cilët me uniformat, pajisjet dhe seriozitetin e tyre natyrisht se bëjnë shumë, por gjithçka atje mbrohet, vlerësohet dhe ruhet nga një mëndësi dhe kulturë e skalitur qytetare, që e konsideron Unan një emblemë kombëtare, një burim të patjetërsueshëm të të ardhurave, një garanci mbijetese edhe për shumë shekuj.Gjithçka, ashtu si lumi , shkon rrjedhës së vet, natyra dhe njeriu shkojnë krahas njeri tjetrit në evolucionin e tyre, duke plotësuar mangësitë dhe nevojat, duke sfiduar rrisqet e kohës dhe mbrapshtitë e ndryshme.

Këtë bisedojmë edhe me drejtorin e përgjithshëm të Nacional Park Una, z.Amarildo Muliç, një njeri me vizion dhe autoritet, kontributi i të cilit është i padiskutueshëm në madhështinë dhe famën e këtij parku.Të qënit drejtor për të është thjesht një nocion, ai me mish dhe shpirt i është përkushtuar të ardhmes së këtij parku, e sheh dhe e ndjen kudo, në brigjet e lumit, thellë në pyll, bashkë me rejnxhersat(rojet) e parkut, në ekofshatet duke kthyer nga nje kupe raki shlivo apo verë më miqtë…

Ai ka shumë miq shqiptarë, biles në tavolinë me ne, duke diskutuar për Valbonën , në një bisedë telefonike me Stipe Mesiç, ish presidentin e Kroacisë dhe mikun e shqiptarëve, krenohet me musafirët e tij dhe e fton edhe atë për një vizitë të përbashkët në Luginën e Valbonës.

Ai di shumëçka për Valbonën, pyet edhe per efektet ndikuese të hidrocentraleve në ndërtim në ekosistemin e saj, ka lobuar dhe na fton edhe ne për të lançuar një Memorandum Bashkëpunimi mes parqeve në Shqipëri dhe Bosnje, por edhe ne vende të tjera të Ballkanit në mbrojtje të natyrës nga turret agresive të biznesit industrial dhe pangopësisë së pakontrolluar të digave të gurta…

Orët shkojnë paundjerë, është aq ftohtë, por ne nuk e ndjejmë aspak ashtu të magjepsur në gjirin e Una Nacional Park dhe të mikpritjes së miqve tanë boshnjakë, duke filmuar dhe fotografuar pafund, duke kënduar së bashku këngë shqiptare dhe boshnjake, duke shpalosur flamurin tonë kombëtar bregut të tij me rastin e festës sonë kombëtare.

Udhëtojmë drejt Kroacisë, duke përditësuar momentet më të bukura nga kjo vizitë studimore,ballafaqojme faktet dhe informacionet rreth këtij realiteti të njohur turistik në shkallë ndërkombëtare,këmbejme ide dhe mundësi sesi sukseset e këtij vendi dhe këtyre njerëzve,sadopak ti perdorim si shembull dhe praktikë positive.Të njerëzve, të cilët kanë kapërcyer jo shumë kohë më parë një luftë, por kanë ditur të ringrihen, pikërisht duke u mbështetur tek tradita, natyra dhe sidomos tek forca mrekulluese e ujit të një lumi gjigand në pasuritë e tij, që buron nga bjeshkët e egra, por konsiderohet si shejtni atje poshtë ku jeton komuniteti me hallet dhe gëzimet e tij.

Kalojmë Serbinë dhe hyjmë në Kosovë të përmalluar, të emocionuar, moti është i ftohtë, por ndihemi të lumtur që jemi drejt atdheut, por edhe të trishtuar që akoma në Parkun tonë Kombëtar të Valbonës nuk  e konsiderojmë shejtni ujin dhe gjithçka rreth tij.Siç thoshte një poet i njohur amerikan, njerëzit edhe mund të jetojnë pa dashuri, por kurrë pa ujë…

Dhjetor 2018