Kontributin e ish Presidentit Georg H.W. Bush, i cili vdiq sot në moshën 94 vjeçare, shqiptarët do ta kujtojnë përgjithmonë.
Në vitin 1989, atëherë kur problemi i Kosovës ishte pak i njohur, pata fatin ta takoj Presidentin Bush në Saten Island, të New York-ut, kur me një grup shokësh shkuam atje për të mbështetur Susan Molinari-n në fushatën e saj në zgjedhje për kongresiste. Pasi u zgjodh, ajo u bë mike e madhe e shqiptarëve. Në vitin 1994, republikanja Susan Molinari së bashku me kongresistin demokrat Eliot Engel, formuan Komitetin për Çështje të Shqiptarëve, të njohur ndryshe si “Albanian Caucus”.
Ndërkaq, në vitin 1993, Eliot Engel, Susan Molinari dhe dy kongresistë tjerë, vizituan Kosovën për ta parë gjendjen atje.
Gjatw takimit, nw Staten Island, na u dha rasti informonim Presidentin Bush për gjendjen tejet të rëndë në Kosovë, për suspendimin e Autonomisë, për dhunën, terrorin dhe burgosjet që bënte pushteti serb, e sidomos mbi elitën intelektuale.
Nga kjo kohë problemi i Kosovës gjithnjë e më shumë mori mbështetje në Washington DC, në Senat dhe Kongres.
Shqiptarëve u kujtohet kur ky President në dhjetor të vitit 1992 vendosi Vijën e Kuqe ndaj Serbisë, duke i dërguar një letër Millosheviqit, në të cilën mes tjerash ia bënte të qartë se në rast të një konflikti në Kosovë, të shkaktuar nga veprimi serb, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë gati të përdorin forcën ushtarake.
Ne, shqiptarët e Amerikës, filluam një aktivitet intensiv për ta sensibilizuar sa më shumë problemin e Kosovës, duke zënë miq në Washington dhe New York që ata të na ndihmonin në idenë tonë që Kosova ta fitojë lirinë dhe pavarësinë. Ne patëm përkrahje të pa rezervë nga Administrata e Presidentit Clinton dhe nga Bushi i Ri, i cili gjatë vizitës së tij në Shqipëri, rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës, përdori fjalët “Mjaft, është mjaft”.
Populli i Kosovës do t’i jetë gjithëherë mirënjohës Presddentit George H W Bush për kontributin e madh që dha për çështjen shqiptare dhe në veçanti për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.
Shpirti i tij pushoftë në paqe!
Harry Bajraktari,
New York, 2018