Gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria” ka botuar numrin e saj special, të përvitshëm, kushtuar 28 Nëntorit, festës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit.
Numri voluminoz me 120 faqe përmban materiale me vlera historike në shqip dhe anglisht. Shkrime që nxjerrin në pah vlerat kulturore e historike të kombit shqiptar e të komunitetit të shqiptarëve të Amerikës. Momente nga jeta e kombit si dhe ngjarje e vepritari të komunitetit tonë janë gjithashtu shpalosur në disa faqe me radhë. Shkrime nga arkivi i gazetës, si dhe letërsi, referate e përshkrime librash janë gjithashtu pjesë e këtij numri masiv.
Ashtu si çdo vit, biznese nga më të njohurat, organizata dhe figura të njohura të botës shqiptare kanë bërë urimet e tyre për festën më të madhe kombëtare shqiptare e kanë promovuar shërbimet prej të cilave përfitojnë prej vitesh shqiptaro-amerikanët. Pa ndihmën e tyre këta numra të përvitshëm nuk do të realizoheshin dot.
E themeluar në 1991, “Illyria” botohet në New York dhe është një nga zërat më të fuqishëm të kauzës kombëtare shqiptare në SHBA. Ajo mund të gjendet në pikat e shitjeve të gazetave në mbarë qytetin e New York-ut si dhe shkon me abonime në mbarë Shtetet e Bashkuara, nga Florida në Alaska. Mbi një milionë shqiptarë kanë shfletuar shkrimet e saj në faqen e internetit (www.illyriapress.com) dhe në llogarinë e saj në Facebook.
Gëzuar festën!