Në kuadër të Vitit Kombëtar të Heroit tonë Gjergj Kastriotit, Skënderbeut të dy presidentët vizituan bashkësinë e Arbanasve të Zarës, “oazin e shqiptarëve në Kroaci”, ku u takuan dhe u përshëndetën përzemërsisht me përfaqësuesit arbanas, me Prefektin dhe Kryetarin e Bashkisë së Zadarit, autoritetet vendore dhe drejtuesit fetarë, etj.
Presidenti Meta dhe Presidentja kroate Grabar-Kitarović u ndalën fillimisht në Kishën “Gospe Loretske” (Zonja Jonë e Loretos), e ndërtuar gati 300 vite më parë si strehë shpirtërore dhe mbrojtëse e banorëve të rinj të Zarës.
Si dhe më pas vizituan shkollën fillore “Dr. Krune Krstića”, në të cilën fëmijët e bashkësisë arbanase mësojnë dhe shkollohen në gjuhën shqipe.
“Këtu janë shkolluar breza të shumtë arbanasish duke nxjerrë plejada akademikësh, studiuesish, shkrimtarësh e artistësh, të cilët krijuan vlerën e përbashkët sa arbneshe, aq edhe kroate.” – vuri në dukje Presidenti Meta.
Presidentja e Kroacisë theksoi se: “Arbanasit kanë një kontribut të jashtëzakonshëm për krijimin dhe mbrojtjen e Kroacisë. 11 luftëtarë Arbanas nga famullia e Zarës dhën jetën për Atdhe.”
Duke cituar shkrimtarin e madh kroat, priftin françeskan Andrija Kaçuç Mioshiç vuri në dukje se: “Nuk ka lindur nëna hero më të madh se Gjergj Kastrioti Skënderbeu.”
Duke iu drejtuar të pranishmëve në qendrën Kulturore dhe Artistike të Shoqatës “Vicko Zmajevic” , në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës u shpreh: “Jam shumë i emocionuar që sot, së bashku me Presidenten Kitaroviç, të ndodhem këtu mes jush, vëllezër e motra të një gjaku Arbënesh, për të kremtuar Vitin Mbarëkombëtar të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeu.
Dëshiroj të falënderoj nga zemra miken e shqiptarëve, Presidenten e Kroacisë, Znj. Kolinda Grabar-Kitaroviç.
Prania e saj në këtë ditë historike në Arbanas, jo vetëm që na nderon, por është tregues mirënjohjeje, vlerësimi dhe shprehje e miqësisë dhe lidhjeve të thella historike, kulturore, politike dhe ekonomike që bashkojnë dy vendet tona, veçanërisht popujt tanë.
Të gjithë ju, motra e vëllezër Arbanas e miq të veçantë kroatë që jeni mbledhur këtu, dëshiroj t’ju falenderoj nga zemra.
Përshëndetjet tuaja, fjalët plot mall dhe dashuri për atdheun tuaj në Arbënisht, më krijojnë emocione të rralla.
Ju falënderoj që keni ardhur këtu!
Pak ditë më parë, vizitova së bashku me Presidentin Italian arbëreshët e Italisë, ndërsa sot, jam i lumtur të vizitoj Arbanasin dhe të takoj Arbneshët tanë të shtrenjtë, këtu, në këtë vend të bukur të bregdetit dalmat ku të gjithë, shqiptarë, kroato-shqiptarë dhe kroatë, e ndjejnë veten njësoj si një familje, një vatër, një shtëpi.
Ju jeni sot, kujtesa e gjallë e kombit shqiptar, për atë çka atij i ndodhi 5 shekuj më parë, atëherë kur u tentua që me zjarr e me hekur të çbëhej gjithçka shqiptare e mundësisht të shfarosej një komb.
Por, motra e vëllezër, kjo gjë nuk u mundësua vetëm falë veprës legjendare të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.
“Epoka e Skënderbeut”, me madhështinë dhe rëndësinë e saj, përcaktoi jo vetëm fatet e kombit tonë e lirinë e tij, por njëkohësisht edhe të ardhmen e Evropës dhe qytetërimit evropian.
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, mbetet figura më madhështore e kombit tonë, njëkohësisht emblema kombëtare, modeli i shkëlqyer i bashkimit të shqiptarëve dhe forcës së tyre në momentet më të vështira të historisë së kombit.
Të dashur motra e vëllezër,
Para thuajse 300 vitesh, Kryepeshkopi kroat Zmajević, i emëruar në këtë post nga Papa shqiptar Klementi XI, hapi portat e Zadarit për Arbanasit, duke i ofruar atyre siguri e duke u mundësuar ngritjen e kishës së tyre, të cilën e kanë dhe e ruajnë edhe sot me shumë dashuri, besnikëri e krenari.
Falë kësaj mikëpritjeje të veçantë, për tre shekuj me rradhë, ju keni mbajtur të gjallë dhe keni trashëguar brez pas brezi gjuhën e të parëve, fenë, zakonet, ritet e kulturën, ngjyrat e bukura të kostumeve popullore për të cilat, ne ju jemi shumë mirënjohës e ndihemi shumë krenarë.
Ju mbeteni pjesë e rëndësishme e traditës dhe trungut të lashtë të popullit shqiptar në brigjet e Dalmacisë, duke krijuar, ashtu siç shprehet dhe i madhi, profesor Stipçeviçi, “një oaz të shqiptarëve në Kroaci” e duke qendruar shpirtërisht e mendërisht të lidhur me atdheun tuaj të dashur, Shqipërinë.
Himni juaj i vitit 1913, pas shpalljes së pavarësisë, e shpreh qartë lidhjen e Arbëneshve të Zarës me mëmëdhenë dhe gjakun e të parëve:
Pjesë të shpërndara të një populli heronjsh
Një familje e madhe jemi tani
Shqiptarë ndjehemi dhe ne
Mbështjellë me dritë dhe diell
Po, me gjak shqiptar jemi dhe ne!
Bashkëjetesa juaj shembullore me popullsinë kroate ka krijuar një model të veçantë dhe autentik të raportit vllazërues të dy popujve, në kuadrin e dinamikës së marrëdhënieve, afërsisë, interesave dhe sfidave të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Kroacisë.
Lidhjet miqësore e vëllazërore me kroatët janë shekullore.
Ato janë lidhje gjaku dhe shpirti, janë lidhje që burojnë nga përkatësia ilire, lidhje që vazhdojnë mes Skënderbeut e Raguzën e dikurshme, Dubrovnikun e sotëm, lidhje që askush nuk mundi t’i zbehë, janë lidhje të të sotmes dhe të së ardhmes.
Falë kësaj historie, jo vetëm Arbanasit, por të gjithë shqiptarët në Kroaci janë ndjerë gjithmonë “sa shqiptarë aq edhe kroatë”.
Ky fakt, dëshmon se miqësia mes tyre është e vjetër, e qëndrueshme, e shëndoshë, e sinqertë dhe shumë e rëndësishme për të tashmen dhe të ardhmen, urë lidhëse mes popujve e vendeve tona.
Jo rastësisht, një nga albanologët më të shquar, Milan Shuflaj (Milan Šufflay), është një zëdhënës kurajoz, i pakrahasueshëm dhe i besueshëm i historisë së prejardhjes dhe autoktonisë së shqiptarëve në trojet e tyre përkundër morisë së teorive e ideologjive antishqiptare të kohës.
Kontributi i rëndësishëm, vetëmohimi dhe sakrificat e shqiptarëve në luftën heroike për pavarësi të Kroacisë janë tregues i kësaj miqësie të veçantë.
Ndaj, përfitoj nga rasti që, sërish në prani të Presidentes Kitaroviç, të shpreh vlerësimet e mia më të mira për marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Kroacisë, midis shqiptarëve e kroatëve.
Ato mbështeten jo vetëm në lidhjet e forta historike mes dy kombeve, por njëkohësisht kanë vizion të përbashkët drejt së ardhmes të shkëlqyer euroatlantike.
Ky model dhe vlerat që ato mbartin janë një kontribut i rëndësishëm për paqen dhe sigurinë në rajonin e Evropës Juglindore dhe në hapësirën Adriatiko-Joniane.
Ne ndajmë së bashku, jo vetëm sfidat, por edhe përgjegjësinë e thellë si dy vende të NATO-s, përballë çdo rreziku që cënon mirëqënien, zhvillimin dhe paqen në rajon, përballë çdo tentative e përpjekjeje që shkon kundër qasjes së harmonisë e bashkëpunimit mes vendeve dhe popujve të rajonit tonë.
Kjo është një arsye e madhe që marrëdhëniet tona të ngrihen në nivelin e partneritetit strategjik dhe të forcohen në interes të një bashkëpunimi edhe më cilësor.
Dëshiroj të shpreh, mirënjohjen ndaj Kroacisë dhe kroatëve, edhe për mbështetjen e pakushtëzuar ndaj Pavarësisë së Kosovës dhe ndaj hapave të saj në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe antarësimit në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare.
Të nderuar zonja e zotërinj,
Sot, ndodhem pikërisht aty ku priten katër rrugët që mbajnë emrat më simbolikë për Arbanasit e shqiptarët: Vicka Zmajevica, Gospe Loretske, Milana Šufflaya, dhe Kastriotića Skenderbega.
Këta emra lidhen me momentet më të rëndësishme të historisë së Arbneshve që nga viti i largët i Mesjetës, 1726, e deri në ditët e sotme, por edhe me identitetin dhe krenarinë e tyre kombëtare.
Pas pak, do të kem nderin dhe kënaqësinë, që të vizitoj dhe Kishën e “Zonjës së Loretos”, ngritur si mbrojtëse e banorëve të rinj të Zarës, afro 300 vjet më parë.
Arbanasit e ndërtuan këtë kishë me emrin e Virgjëreshës Mari, së pari, për të ruajtur fort traditën e tyre kristiane, për të cilën dhe u detyruan të largohen nga trojet e tyre, dhe së dyti, si shtegtarë për të nxjerrë mallin e një shtëpie dhe një familjeje të vërtetë.
Me shumë interes e gëzim, do të vizitoj edhe Shkollën “Krune Krstića”, aty ku janë shkolluar edhe në gjuhën amtare breza të shumtë Arbanasish dhe ka dalë një plejadë e tërë akademikësh, studiuesish, shkrimtarësh, artistësh e sportistësh, duke krijuar vlerën e përbashkët sa Arbneshe, aq edhe kroate.
Vlerat dhe kontributet e arbanasve nuk mbeten të izoluara brenda oazit shqiptar ose të botës shqiptare.
Kujtoj këtu, me shumë respekt, të ndjerin, akademikun dhe ilirologun e famshëm, të përkushtuar dhe mendimtarin e madh, Aleksandar Stipçeviç – Shandrin, i cili, jetën e tij ia dedikoi trashëgimisë së ilirëve dhe kultivimit të traditave të Arbanasve, si edhe Arbanasin e mirënjohur, Kruno Krstiç, i cili gjithashtu ka lënë një trashëgimi të pasur përmes fjalorit të gjuhës Arbneshe, në mënyrë që brezat e rinj të kenë mundësi ta mësojnë e flasin atë.
Ndërsa sot, traditën më të mirë të këtyre personaliteteve akademike, e mban të gjallë Profesoresha Maximiljana Barançiç, e cila, me një pasion të jashtëzakonshëm dhe ndjenjë të lartë patriotike drejton Shoqatën që mban emrin e prelatit kroat “Vicko Zmajević”, atij që i dha mundësinë Arbneshëve të Shqipërisë së veriut të vijojnë të jetojnë si të tillë edhe jashtë trojeve të tyre amtare.
Profesoresha Barançiç me përkushtimin e saj përpiqet të ruajë gjuhën shqipe, ashtu siç të parët Arbneshë e sollën në brigjet e Dalmacisë, pasi u shkulën nga tokat arbërore.
Lista e emrave të Arbanasve të shquar është shumë e gjatë dhe shumë domethënëse; ajo përfshin, arkitektë të veprave kishtare dhe sociale, një plejadë të vlerësueshme priftërinjsh, historianësh, filozofësh dhe mjeshtër të fjalës dhe të mendimit, gjuhëtarë dhe mbledhës të folklorit, mjekë, zotërues të mjeshtërisë së artit muzikor, personalitete të sportit dhe të kulturës, gazetarë të njohur deri edhe politikanë apo ambasadorë të rëndësishëm.
Pinjollët e familjeve Deshpali, Kotlar, Stipçeviç, Mateshiç, Krstiç, Duka, Kalmeta, Rela e të tjerë, e kanë ruajtur të gjallë shpirtin dhe kulturën Arbanase dhe kanë lënë gjurmë të shkëlqyera edhe në jetën sociale, politike e kulturore të Kroacisë moderne.
Të gjithë e vlerësojmë lart yllin e basketbollit, Arbanasin Pino (Josip) Gjergja, i cili, ka qenë pjesë e një ekipi kampion në ish-Jugosllavi dhe në vitin 2008 është nominuar ndërmjet 50 basketbollistëve më të mirë të EuroLigës.
Por, dëshiroj gjithashtu, të shpreh një falënderim edhe për Bashkësinë Shqiptare të Zarës që kryesohet nga zoti Adem Shala, për kontributin në drejtim të ruajtjes së traditës dhe forcimit të lidhjeve shpirtërore e miqësore midis shqiptarëve e kroatëve.
Zonja Presidente,
Kjo trashëgimi e jashtëzakonshme që ne kemi në themel të marrëdhënieve tona, është një thesar të cilin, sot, ne po përpiqemi ta ruajmë, ta kultivojmë me kujdes e dashuri dhe t’ua përcjellim veçanërisht gjeneratave të reja të vendeve tona.
Marrëdhëniet tona kanë nevojë të ushqehen me historinë dhe faqet e saj të ndritura në dobi të respektit, bashkëpunimit, njohjes të së tashmes dhe ndërtimit të së ardhmes me më shumë vendosmëri.
E ardhmja që ne kërkojmë është ajo e Bashkimit Evropian dhe Shqipëria ka besim në këtë projekt madhor, ashtu siç është e bindur se, hapi i rëndësishëm i anëtarësimit të saj të plotë në BE bëhet duke pasur në krah miq të vërtetë dhe të sprovuar.
Kroacia, vendi juaj, është një mik i tillë!
Së bashku, ne do të ndihemi më të sigurt jo vetëm në Evropën e Bashkuar, por edhe në projektin për të ndërtuar një rajon të sigurt dhe në paqe.
Shumë i emocionuar nga kjo mikpritje e veçantë dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve, arbanas, kroatë, shqiptarë e të tjerë, këtu në këtë shesh dhe të uroj Arbanasit e Zarës që ta ruajnë sa më gjatë traditën, gjuhën e bukur Arbneshe, dashurinë për atdheun e tyre dhe respektin e mirënjohjen për vendin e tyre të bukur, Kroacinë.
Faleminderit dhe rroftë miqësia vëllazërore shqiptaro-kroate!”