Kosova nuk ka arritur të bëhet vend anëtar i INTERPOL-it, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që po mbahet në Dubai.
Në rrethin e parë të votimit, anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL e mbështetën 76 shtete, kundër saj ishin 56 shtete, kurse 22 abstenuan. Ndërkaq, në rrethin e dytë të votimit, Kosova mori 68 vota për, 51 kundër dhe 16 abstenime.
Ndërkohë që Kosova ka dështuar, INTERPOL në faqen zyrtare ka njoftuar se Asambleja e Përgjithshme ka votuar për anëtarësimin e dy vendeve të reja, Kiribati and Vanuatu, të cilat janë tashmë anëtare të kësaj organizate. INTERPOL tani numëron 194 shtete anëtare.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur zhgënjimin e saj të thellë që Kosovës i është pamundësuar të jetë pjesë e familjes botërore të Policisë, që lufton krimin transnacional.
“Fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe njëherë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës, aq më parë, kur ky anëtarësim ishte teknik dhe jo politik”, thuhet në reagimin e Qeverisë.
“Votimi kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare i bën shërbim vetëm krimit dhe kriminelëve dhe askush nuk do të duhej t’i gëzohej këtij fakti”, theksohet në reagim.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se me mospranimin e Kosovës në INTERPOL, nuk ka fitues, por vetëm humbës.
“Sot, nuk ka as fitues, por mund them lirisht se jemi humbës edhe Kosova edhe Serbia”, tha presidenti Thaçi.
“Kosova e ka rrugëtimin e vet si vend i pavarur e sovran. Por, votimi i sotëm shtron nevojën e një përkushtimi edhe më të madh të spektrit politik dhe institucional të Kosovës dhe qytetarëve për një unitet të qëndrueshëm dhe funksional”, theksoi ai.
“INTERPOL-i është një mekanizëm i rendit dhe ligjit dhe se Kosova ka dëshiruar të jetë pjesë e kontributit të paqes, stabilitetit, të luftës globale kundër korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit dhe të gjitha dukurive negative. Kjo e drejtë, fatkeqësisht sot iu mohua Kosovës”, theksoi Thaçi.
Ai u shpreh kundër formës së lobimit të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se beson vetëm në vendosmërinë e shteteve që e kanë njohur Kosovën.
Duke pasur parasysh pengesat që Serbia i bën Kosovës, Thaçi edhe njëherë ftoi spektrin politik në Kosovë që të ulet dhe të arrijë një konsensus rreth fazës finale të dialogut me Serbinë me qëllim të arritjes së një marrëveshje finale për njohje dhe normalizim të raporteve.
Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, tha se është bërë punë mjaft e madhe për anëtarësim, por kundër-fushata pati ndikim të madh.
“Kemi bërë punë të madhe, por kjo nuk u shpërblye. Është vështirë që në këto kushte të sigurohen dy të tretat e votave të bashkësisë ndërkombëtare. Nuk duhet të dekurajohemi, duhet të ecim përpara dhe kërkoj unitet nga spektri politik i Kosovës. Një është e sigurt, kësaj iniciative nuk i ka munguar përkushtimi dhe puna. Nuk kemi lënë asgjë pa bërë, asgjë nuk ia kemi lënë rastit, kemi punuar, por në fund e patë se nuk arritëm t’i sigurojmë edhe ato 12 votat e nevojshme për anëtarësim”.
“Kundërshtimi ishte shumë i madh, kundërthëniet janë të mëdha dhe Serbia siç u pa, bëri një luftë të pamëshirshme me të gjitha mjetet kundër anëtarësimit të Kosovës. Ne duhet të jemi konstruktiv dhe t’i japim rëndësi shumë dialogut. Ne duhet të krijojmë perspektivë për qytetarët e Kosovës për rininë tonë. Ne duhet të angazhohemi edhe më tepër që të arrijmë deri të paqja me Serbinë dhe çdo gjë do të jetë me e lehtë”, tha Pacolli.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka reaguar ndaj kundër-fushatës së Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, duke theksuar se dështimi i anëtarësimit është humbje për gjithë rajonin.
“Policia e Kosovës është institucion i integruar dhe i aftë dhe është dëshmuar në ndihmën e luftimit të terrorizmit ndërkombëtar, krimit kibernetik, narkotikëve, armëve dhe luftimit të rrjeteve të trafikimit të njerëzve. Shumica e shteteve e kanë parë këtë dhe kanë përkrahur aplikimin e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, në përballje me kundër-fushatën e udhëhequr nga Serbia, për t’i shtyrë shtetet të votojnë kundër anëtarësimit të Kosovës”.
“Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL nuk ka qenë arsye për njohjen e pavarësisë së Kosovës, por për forcimin e sundimit të ligjit, bashkëpunimit dhe përmbylljes së zbrazëtirës kritike të sigurisë në Ballkan. Me këtë rezultat, të gjithë humbim”.
“Ne vazhdojmë të mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në mes të Kosovës dhe Serbisë. Tani, më shumë se kurrë, të dyja palët duhet të rrisin përpjekjet për të arritur një marrëveshje për normalizim të plotë, që është mënyra e vetme për tu integruar në Bashkimin Evropian. Në përfundim, ne i shtyjmë që t’ju ikin provokimeve dhe të punojnë bashkë për një marrëveshje”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
Mbretëria e Bashkuar është e zhgënjyer që kërkesa për anëtarësim në INTERPOL të Kosovës ka qenë e pasuksesshme sot në Dubai.
“Kosova ka punuar shumë për anëtarësimin e saj në INTERPOL. Anëtarësimi i Kosovës në Interpol do të mundësonte një shkëmbim më të mirë të informacionit ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit, veçanërisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe do të përmirësonte sigurinë evropiane dhe globale. Kriminelët e organizuar tashmë bashkëpunojnë lehtësisht përtej kufijve: për t’i luftuar ata në mënyrë efektive, autoritetet tona të zbatimit të ligjit duhet të jenë në gjendje të bëjnë të njëjtën gjë”, thuhet në komunikatën e Mbretërisë së Bashkuar të postuar në ‘Facebook”, përmes faqes së Ambasadës në Prishtinë.
Në vigjilje të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme në Dubai, ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli si dhe zyrtarët e lartë në Qeverinë e Kosovës ishin shprehur të bindur se Kosova kishte siguruar votat për anëtarësim. Por, rezultati i votimit e dëshmoi të kundërtën.
Gjatë gjithë kohës së përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë, diplomacia e Serbisë ishte angazhuar në kundër-lobim për të penguar këtë anëtarësim.
Mos pranimin e Kosovës në Interpol, ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Serbisë, Nebojsha Stefanoviq,e ka quajtur fitore të madhe të Serbisë.
“Jam shumë krenar për këtë. Dua t’i falënderoj të gjitha ato shtete që së bashku me ne e kanë votuar këtë fitore dhe që i kanë përballuar presionet e mëdha të vendeve të mëdha dhe të fuqishme, të cilat kanë votuar në favor të Kosovës”, ka thënë Stefanoviq.
“Kjo flet që Serbia e ka forcuar pozicionin e saj, por nuk guxojmë të jemi euforik. Ky është një sukses i një vendi të vogël sfidues dhe krenar, por që nuk guxon që të ardhmen e vet ta bazojë në inate, por në qasje racionale dhe e cila duhet ta dëshirojë kompromisin”, tha Vuçiq.
Ai ka shtuar se vendi i tij duhet ta kuptojë se si janë raportet në botë dhe të mos e përdorë fitoren në INTERPOL.
“Nuk guxon që këtë rast ta shfrytëzojë për ta poshtëruar dhe nënvlerësoj në asnjë mënyrë palën e Prishtinës e as ata që janë përpjekur ta ndihmojnë palën e Prishtinës”, theksoi Vuçiq.
Përndryshe, tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, datojnë që nga viti 2010, por atë kohë, Komiteti Ekzekutiv nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare. Ndërkaq më 2015 dhe 2016, kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Vitin e kaluar, më 2017, Kosova tërhoqi vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.