Nikollë Loka dhe Poezia !

Nga Musa Jupolli

Poezia dhe kritika , jo gjithëherë në pajtim !
Poeti Nikole Loka , bindshëm na dual me një vepër ku nuk ndihemi të vetmuar, ndaj poezia e poetit Loka është udhëtare e jetës dhe kritika sikur vuri paqë me poezinë, dëshminë e së cilës na e solli Valbona Jakova. Gurra në parathënien e kësaj vepre të mrekullueshme !
Urojmë përgëzime poetit , lexuesit knaqësi në lexim !

Natën kapërceje pa leje

Mbylli sytë e natën kapërceje pa leje,
lere diellin e zbrit pa shkallë deri te vetja,
të mjafton një paradite pa rradhë,
një herë në javë,
për të kujtuar çfarë nuk je,
se çfarë je ta kujtojnë të tjerët.
Lëre diellin e perëndo në vend të tij,
muzgun tërhiqe pas vetes,
kapërce një urë pa trumf,
si ushtari i thjeshtë pas betejës,
fitimtar kur s’ke asgjë për të humbur,
humbës kur ke gjithçka pa mund,
krenarinë bëje urë për një ditë vere,
kapërce mbi ura me kryet ul.

_____________________

Ma lërë fatin tënd

Det o det,
ma lërë fatin tënd ta nxjerr në breg,
ma lërë dhimbjen tënde ta shpërndaj,
se çdo vuajtje më pak,
të heq dallgë,
dhe atë rrëmbim
të shpirtit tonë pelegrin,
ktheje në dritë,
e kur s’ka diell,
le të na ndriçojë imazhi yt,
për dymbëdhjetë muaj!
Ne do ta kthejmë me ujë.

——————–
Në vendlindje

Në vendlindje
na kursyen erërat,
shiu dhimbshëm na lagu,
kishin ngjyrë lulesh vetëtimat,
pranverat dukeshin si vajzat.
Në vendlindje
lulet ishin erëmira si frutet,
deheshim me rrush nën pjergulla,
pa na njohur, rrugës kalimtari,
na uronte me një “Tungjatjeta!”
Në vendlindje,
shpirti ngarkohet me gurë,
e qielli mbulohet me mall.
Malli vjen prej larg,
nuk shqitet më,
herë si ajër për frymën,
e herë si gjak për zemrën.